SHPËRNDAJE

Për Komisionin Evropian, vendimi i opozitës për të djegur mandatet dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe shihet si joproduktiv. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiq, në konferencën për shtyp të mesditës tha se Parlamenti është vendi ku bëhen diskutimet e mëdha.

“Vendimi i opozitës, në këndvështrimin tonë dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri, pasi Parlamenti është vendi ku zhvillimet e rëndësishme dhe reformat duhen diskutuar dhe avancuar, jo bojkotuar. Vendimi i opozitës shihet si joproduktiv, bie ndesh me zgjedhjen demokratike të qytetarëve shqiptarë, si dhe dëmton edhe përparimet e bëra deri më tani në rrugën evropiane”, tha Maja Koçijançiq. Komisioni, sipas Koçijançiq pret që deputetët shqiptarë të mbrojnë idetë dhe parimet e demokracisë në Parlament, e të evitojnë aktet e dhunës dhe deklaratat nxitëse.

“Ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime për të kapërcyer situatën, në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një thirrje shumë e qartë, që ne vazhdojmë ta konsiderojmë të vlefshme”, tha Koçijançiq. Në lidhje me Reformën në Drejtësi, edhe njëherë Koçijançiq ka theksuar se është më e rëndësishme cilësia e procesit, sesa shpejtësia e tij. Zëdhënësja e KE-së thotë se vettingu ka dhënë rezultate konkrete dhe se Komisioni do të ndalet gjerësisht te ky proces në raportin e përvitshëm të zgjerimit, në pranverë.