SHPËRNDAJE

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq tha se ajo e kupton reagimin e zyrtarëve të BE lidhur me ligjëratën e gjeneralit Vladimir Lazareviq në Akademinë Ushtarake, por, siç tha ajo, për këtë çështje nuk do të ishte e nevojshme të hapet një “kutia e Pandorës” nëse gjithçka merret parasysh në rajon.

“Unë e kuptoj atë që ata thanë, por kjo është një pikë në det”, tha ajo duke kujtuar lirimin e Naser Oriçit dhe se sipas saj në rajon ka një aeroport të quajtur me njerëz që thuhet se kanë vdekur para se të akuzoheshin për luftë krime, si dhe këshilltarë të cilët u paditën dhe u dënuan në Hagë.

Kjo deklaratë e shefes së ekzekutivit serb erdhi pas paralajmërimit të Bashkimit Evropian se emërimi i një gjenerali, i cili ka qenë i dënuar për krime lufte, si ligjërues i një akademie ushtarake, është kundër parimeve të BE-së, ku Serbia synon të anëtarësohet.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, tha përmes një deklarate se blloku pret që “udhëheqësit politikë të respektojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor”.

“Liderët politikë duhet t’i udhëheqin të gjitha përpjekjet për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur besimin e ndërsjellë, dialogun dhe tolerancën”, tha Kocijançiq.

Gjenerali i pensionuar, Vlladimir Llazareviq, është dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali për Krime Lufte i Kombeve të Bashkuara, për mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Llazareviq është liruar në vitin 2015 pasi ka shërbyer dy të tretat e dënimit.

/presheva.com