SHPËRNDAJE

Serbia krahas obstruksioneve të vazhdueshme në shumë fusha të ndryshme karshi Kosovës nuk rresht nga përpjekjet për të prezantuar Kosovën si një vend me potencial destabilizues edhe nga aspekti i sigurisë.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se në vazhdën e këtyre përpjekjeve shërbimi sekret serb BIA i instruktuar nga shërbimet sekrete ruse të cilat operojnë në Serbi, ka organizuar një forum në Beograd në të cilin nesër do të marrin pjesë të gjithë drejtorët e shërbimeve të inteligjencës nga shtetet e ish Jugosllavisë.

Edhe në këtë rast, sipas burimeve të Indeksonline, Serbia do të mundohet që të paraqes Kosovën dhe institucionet e saja jo profesionale, të dështuara dhe të brishta në shumë fusha të sigurisë, e me theks të veçantë në luftën kundër terrorizmit.

Fatmirësisht institucionet e sigurisë së Kosovës dhe ato të drejtësisë kanë dhënë shembullin më të mirë në tërë rajonin duke zhvilluar operacione të suksesshme të cilat kanë rezultuar me parandalimin e akteve terroriste por edhe arrestimin e të gjithë atyre që janë dyshuar për aktivitete të tilla, duke përfshirë edhe trajtimin e luftëtarëve të huaj.

Kosova dhe institucionet e saja janë pjesë e aleancës në luftën kundër terrorizmit, dhe kontributi i dhënë i institucioneve relevante të Kosovës çmohet dhe vlerësohet shumë lartë nga mekanizmat kyc që sot luajnë rolin kryesor në sigurinë globale.

Orientimi pro evropian i popullit të Kosovës, efikasiteti dhe profesionalizmi i institucioneve kompetente janë garanca dhe shembulli më i mirë se Kosova është një vend i sigurt, stabil dhe me perspektive të qartë.

Shërbimi inteligjent serb ‘BIA’ edhe pse ka ndërruar emrin, nuk ka ndërruar metodat e punës, metoda të cilat nuk përkojnë me shërbimet inteligjente të shteteve demokratike.

Edhe pse BIA mundohet të paraqitet se ka bashkëpunim me shërbime inteligjente perëndimore, bashkëpunimin kryesor e ka me shërbimet inteligjente ruse.

Lajmi i fundit në mediat serbe për dërgimin në Serbi të njeriut misterioz të presidentit Putin e dokumentojnë këtë synim të BIA.

Se Serbia është bazë e shërbimeve ruse dëshmon edhe hapja në Nish e ‘Qendrës humanitare Ruso-Serbe’, qendër e cila rolin primar e ka spiunazhin.

Shërbimet ruso-serbe kishin rol aktiv në tentimin për grushtshtet në Malin e Zi dhe Maqedoni, me qëllim që të pengonin anëtarësimin e këtyre dy shteteve ballkanike në NATO.