SHPËRNDAJE

Ky frut njihet që në lashtësi me përdorimin e tij në shërimin e shumë patologjive nga mjekësia kineze.

Së fundmi edhe mjekësia modern i ka njohur disa veti tepër të dobishme për shëndetin. Të dhënat më bindëse rreth këtij ushqimi tregojnë ndikim në këto katër aspekte shëndetësore.

Rregullim i diabetit – Tipi 2
Pjepri i hidhur përmban një substancë qe ka veprim të ngjashëm me insulinën, duke ndihmuar kështu në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Gjithsesi, duke pasur këtë efekt, çdo pacient që vuan nga diabeti duhet të jetë tepër i kujdesshëm në përdorimin e tij krahas mjekimit, pasi mund të shkaktojë hipoglicemi. Për këtë arsye, konsumi i frutit duhet të bëhet gradualisht, nën mbikëqyrje dhe me aprovimin e mjekut.

Dobësim
Personat që vuajnë nga çrregullime të sheqerit për shkak të rezistencës ndaj insulinës, janë të prirur të shtojnë peshë dhe masë dhjamore. Në këtë rast, fruti ka ndikim shumë pozitiv pasi, rregullimi i metabolizmit të sheqerit presupozon arritjen e një peshe trupore optimale.
Përbërës të këtij fruti aktivizojnë të njëjtat enzima që çlirohen pas një ushtrimi fizik, të cilat sigurojnë kalimin e glukozës brenda qelizës ku edhe përdoret për energji.

Qetësim i aparatit tretës
Konsumi i pjeprit të hidhur ndikon në mënyrë kurative për ulcerën e stomakut, duodenit, si dhe për kolitin. Ky frut mund të përdoret në formë plotësuese kur vuani nga ulcera, gastriti apo inflamim i zorrëve.

Eliminim i qelizave kanceroze
Disa ekstrakte të këtij fruti janë zbuluar të kenë efekt toksik për qeliza kanceroze të kokës dhe qafës, në një studim të fundit. Vetëm një vit më parë, një tjetër studim ka treguar veprimtari antikanceroze ndaj qelizave të vezoreve dhe të gjirit.
Gjithsesi, konsumi i tij mund të ndërveprojë me terapinë, kështu që duhet patjetër mbikëqyrja e mjekut në rast se konsumohet.

Pjepri i hidhur shërben si një ushqyes i mirë i mëlçisë dhe ndihmon shëndetin e lëkurës në rastet e psoriazës dhe aknes. Ai është një burim substancash kimike të cilat përforcojnë mekanizmat tanë mbrojtës.

Si ta konsumoj pjeprin e hidhur?

Ashtu sikurse edhe emri e tregon, ky frut është mjaft i hidhur. Gjithsesi me gatimin kjo hidhësi mund të evitohet, njësoj si me patëllxhanin. Pasi e prisni për së gjati dhe i largoni farat dhe cipën e trashë që mbështjell bërthamën e frutit, ju mund ta gatuani të pjekur në furrë dhe të mbushur me gjizë, hudhra dhe arra, të skuqur me erëza të tjera dhe pak lëng mishi ose thjesht ta shtrydhni dhe ta konsumoni në një lëng frutash, si p.sh. lëng shege dhe portokalli.