SHPËRNDAJE

Profesori universitar Blerim Reka, përmes rrjeteve sociale ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar shteti në zgjedhjet presidenciale, por i pavarur. Ai thotë se për vendimin e tij që të kandidojë ka pasur disa arsye.

“E para:

vetëm me kandidat maqedonas, pa asnjë shqiptar, kjo shoqëri multietnike, rrezikon të rrëshqet drejt shtetit monoetnik; e shqiptarët vetëm votues, por jo edhe te votuar. E dyta: vetëm kritikat intelektuale – pa i hyrë përballjes politike – nuk mjaftojnë për ndryshimin e gjendjes.

Ato, në FB mbeten virtuale, ndërkaq jeta është megjithatë reale. Fundja, historinë e shkruajnë shtetarët; intelektualët vetëm shkruajnë për historinë”,(sic) ka shkruar Reka në Facebook. Më herët nga Aleanca për Shqiptarët konfirmuan se do të mbështesin Blerim Rekën në zgjedhjet presidenciale, ndërsa Reka pritet të mbështetet edhe nga partia tjetër opozitare shqiptare Lëvizja Besa.

Blerim Reka, kandidati i përbashkët i opozitës shqiptare për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut Reka është pro-rektor në Universitetin e Evropës Juglindore, ndërsa nga viti 2006 deri 2010 ka qenë ambasador i Maqedonisë në BE. Ndryshe, përveç garës së përbashkët të opozitës shqiptare, me një kandidat do të garojnë edhe partitë në pushtet BDI dhe LSDM, të cilat nesër pritet ta publikojnë emrin e kandidatit të tyre për president të shtetit.

Ndërsa partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, do të garojë me profesoreshën Gordana Siljanovska, e cila mori mbështetjen e shumicës së delegatëve të partisë në kongresin që u mbajt para disa ditëve. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill.