SHPËRNDAJE

Diku rreth 40 km nga qendra e Mitrovicës, në magjistralen e ‘Ibrit’, që përshkon bjeshkët veri-perëndimore të trevës së Shalës së Bajgorës, shtrihen tri fshatrat shqiptare. Ato bëjnë pjesë në territorin e Komunës së Leposaviqit.

Fshatrat janë Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë e Vllahisë, të vetme me popullsi shqiptare të kësaj komune. Banorët e kësaj treve pothuajse janë të izoluar. Kurse lëvizja e tyre e lirë është shumë e kufizuar.

Për të arritur deri në shtëpitë e tyre, banorët duhet të shfrytëzojnë magjistralen e ‘Ibrit’ në veri të Kosovës. Siguria jo e mjaftueshme, udhëtimi i vështirësuar, punësimi, arsimi, përkujdesja jo adekuate mjekësore dhe lëvizja e lirë, janë problemet me të cilat përballen banorët e këtyre tri fshatrave shqiptare të komunës së Leposaviqit.

Kështu është jeta për ta tash e 15 vjet. Haki Imeri, përfaqësues i këtyre tri fshatrave, thotë për Tribunën se banorët shqiptarë kanë shumë probleme, por mbi të gjitha i rëndon lëvizja e lirë e cila është e kufizuar.

Ai sqaron se banorët duhet të presin orarin e caktuar të lëvizjes së një furgoni humanitar që u mundëson transportin 3 herë në ditë, e 5 herë në jave. Sipas tij, ditëve të pushimit kur popullata shqiptare e këtyre fshatrave ka nevojë për gjëra elementare apo për ndonjë vizitë në Mitrovicë apo gjetiu,udhëtimi i tyre është shumë i vështirësuar.

Kjo pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë në rrugën Leposaviq-Mitrovicë. Kjo sipas Imerit, ka ndikuar dukshëm në boshatisjen e këtyre fshatrave nga banorët. /Tribuna/