SHPËRNDAJE

Stilisti gjerman me famë botërore, Karl Lagerfeld, u nda nga jeta të martën në moshën 85-vjeçare.

Gazeta britanike “The Guardian” bëri të ditur se Lagerfeld, drejtor kreativ i markave të njohura si “Chanel” e “Fendi” dhe një prej figurave më të famshme të industrisë së modës, ka ndërruar jetë mëngjesin e 19 shkurtit në një spital të Parisit.

Stilisti ikonë nuk ndihej mirë prej disa javësh, gjë që e pati detyruar të mungonte si rrallë ndonjëherë në disa spektakle të rëndësishme të modës.

Lagerfeld kishte krijuar një imazh origjinal të tijin vitet e fundit duke u shfaqur në publik gjithmonë me kostume të errëta, dorashka të zeza me gishta të prerë, syze gjithashtu të zeza dhe flokë të kapur bisht.

I identifikuar me markën “Chanel”, stilisti gjerman ka edhe një markë tjetër me emrin “Karl”.

Lindur në Hamburg të Gjermanisë më 10 shtator 1933, Lagerfeld u transferua në Paris më 1954-n.

Ai e nisi karrierën e modës në vitin 1955 si asistent i Pierre Balmain, ndërsa më 1983-shin filloi të punojë për “Chanel”.

Krahas markave prestigjioze si “Chanel” e “Fendi”, të cilat mbajnë firmën e tij prej dekadash të tëra, Karl Lagerfeld ka realizuar punë të ndryshme edhe me shumë shtëpi mode të famshme, mes të cilave edhe “Chloe”.