SHPËRNDAJE

Lojtari më i ri i Real Madridit, Brahim Diaz, ka bërë të ditur se në mendjen e tij e kishte vetëm një klub dhe për këtë arsye vendosi të largohej nga Manchester City për t’iu bashkuar skuadrës së “Los Blancos”.
19-vjeçari i talentuar, i cili është krahasuar me Lionel Messin, ka qenë pjesë e akademisë së Manchester Cityt që nga viti 2013, kur u transferua nga Malaga. Gjatë kohës së fundit, ai ishte shumë afër për ta zënë një vend në ekipin e parë të Pep Guardiolës.

Mirëpo, spanjolli nuk ishte i kënaqur me minutat e paktë në të cilët aktivizohej dhe me mungesën e mundësisë për ta dëshmuar veten në Manchester City. Për këtë arsye, ai vendosi ta pranonte ofertën e Real Madridit për t’u bërë lojtari i parë i transferuar gjatë afatit kalimtar të janarit te kampioni evropian në katër vitet e fundit.

“Sot është dita më e rëndësishme në jetën time. Të vetmet tri opsionet që unë i dëshiroja ishin të luaja për Real Madridin, të luaja për Real Madridin ose të luaja për Real Madridin. Kam ëndërruar të luaj për këtë skuadër që kur isha fëmijë”, ka thënë Diaz në konferencën për shtyp.

Brahim Diaz nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare e gjysmë me Real Madridin. Presidenti i klubit madrilen, Florentino Perez, u shpreh mjaft i kënaqur me transferimin e këtij lojtari, duke e lavdëruar atë.

‘Brahimi është shumë i talentuar dhe ai ka një karakter të fortë, ëndrra e tij është të triumfojë për Real Madridin. Ne gjithmonë tentojmë ta përforcojmë skuadrën tonë”, është shprehur Perez.