SHPËRNDAJE

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka theksuar se zbatimi i reformave është në të mirën e Serbisë dhe se duhet pasur një shoqëri që ka bazë të mirë ekonomike, administratë publike që është e fokusuar në qytetarët, sundim të ligjit dhe gjyqësor që është efektiv dhe transparent. Sipas saj, pikërisht janë këto reforma që do t’i mundësojnë Serbisë edhe kyçje në BE.

“Në aspektin e kapitujve negociues ne do të synojmë që të mbyllen sa më shpejtë që të jetë e mundur, por ne ishim në një proces shumë të rëndësishëm që reformat na fakt zbatohen por nuk bëjnë mjaftueshëm punë. Ne dëshirojmë që të bëhemi anëtar i familjes evropiane, sepse ne kemi vendin atje, por kur të hyjmë në BE, të jemi një partner i fortë dhe i qëndrueshëm, në mënyrë që të kemi mundësinë të japim kontribut në procesin e përgjithshëm të BE-së. Gjithashtu BE ka dhënë një shenje të qartë se është e hapur për anëtarë të rinj nga rajoni”, ka thënë Brnabiq.

Ndërkohë, e para e qeverisë serbe ka folur edhe për çështjen “Kosovë-Kataloni”.

Sipas Brnabiq, Serbia mbështet qeverinë në Madrid kur është fjala për këtë çështje, dhe prandaj kanë respektuar kërkesën e miqve dhe partnerëve në Spanjë për mos-dërgimin të letrës në Bruksel që kishte të bënte me pozitën e Kosovës.

“Përmbajtja e letrës është e mirënjohur por thelbi është se Komisioni Evropian duhet të mbetet neutral në status. Ky neutralitet i statusit të Komisionit Evropian është diçka që kam insistuar në Bruksel”, ka shtuar Brnabiq.

Brnabiq është deklaruar edhe rreth asaj se çfarë përgjigje kanë pritur duke marrë parasysh se Komisioni Evropian ka argumentuar qëndrimet.

“Kemi një partneritet të hë hapur me KE-në dhe të gjitha institucionet brenda BE-së. Ne presim që BE dhe të gjithë të tjerët t’i kuptojnë kritikat tona dhe t’u drejtohen atyre me kujdes dhe respekt. Serbia është vendi më i madh në rajon dhe gjithashtu kanë përgjegjësi të madhe”, ka thënë ajo.

Brnabiq ndër të tjera ka komentuar nëse në mandatin e saj i kërkohet që të nënshkruajë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën, duke thënë se është betuar në Kuvend që do të ruaj integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe me atë betim merr gjithçka që bën.

“Beogradi është i përkushtuar për normalizimin e marrëdhënie me Prishtinën, pasi bisedimet midis shqiptarëve dhe serbëve janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e paqes, stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit.

Për shkak të njerëzve që jetojnë në Kosovë ne duhet të mbajmë paqen dhe nuk duhet të bëjmë ndonjë lëvizje që të na kthejë në konflikte. Kjo është arsyeja pse Serbia bën gjithçka për të forcuar besimin në rajon sepse vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdojë integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor. Autoritetet e Kosovës duhet të përmbushin detyrimet e marrëveshjes së Brukselit”, ka shtuar Brnabiq.