SHPËRNDAJE

Sikurse në çdo vendbanim tjetër të komunës së Bujanocit edhe në fshatin Bilaç, mërgimtarët janë një frymëzim për të mos thënë shpresa e fundit në këtë periudhë të vështirë siocio-ekonomike.

“Momentalisht të ardhurat më të mëdha në këtë vendbanim janë nga mërgimtarët, duke parë se bujqësia është duke u punuar në një përqindje shumë të vogël dhe popullata, sidomos ata pak të rinjë që kanë mbetur iu është përkushtuar më shum ndërtimtarisë, veçanarisht në ndërtimin e shtëpive shumica e të cilëve pronarë janë mërgimtarët dhe kjo po luan një rol shum pozitiv në të ardhurat, sikurse te punëtorët poashtu edhe te ndërmarrjet furnizuese” është shprehur kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Bilaç Jakup Xhelili.

Sipas Xhelilit të rinjtë të cilët kanë përvetësuar profesione të ndryshme vështirë është ti gjesh tek ne, të gjithë po largohen për një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Fshati Bilaç përballet edhe me mungesë të infrastrukturës, sidomos të kanalizimit, rrugëve, veçanarisht problem me të cilin më së shumti po përballen banorët e këtij vendbanimi është mungesa e mjekëve.

“Ambulanta nuk punonë, nuk kemi mjekë dhe kjo është gjendja më e vështirë me të cilën po përballet popullata, sepse banorët janë të detyruar që për nja medikament të shkojnë në Bujanoc, por çfar të bëjnë të moshuarit dhe ata të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë, kjo është gjendje alarmante” është shprehur Xhelili.

Fshati Bilaç është vendbanimi i vetëm në komunën e Bujanocit që ka edhe tregun e gjelbërt, i cili çdo të marte grumbullon tregtarët dhe popullatën jo vetëm nga Bilaçi por edhe vendbanimet për rreth./presheva.com/