SHPËRNDAJE

Në kuadër të programit “Partneriteti Evropian me Komunat” komuna e Bujanocit në vitin 2013 ka përfituar mjetet me vlerë prej 157.000 euro, të dedikuara për blerjen e paisjeve të nevojshme për Transfer Stacionin.

Që nga ajo periudhë e deri më sot edhe përkundër shum premtimeve dhe mjeteve shtesë të ndara nga Trupi koordinues dhe buxheti komunal Transfer Stacioni në komunën e Bujanocit nuk është në funksion e sipas pushtetarëve nuk do të jetë as këtë vit.

Përkundrazi është mbuluar nga bari dhe mbeturinat. Kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi në vitin 2017 pati deklaruar “Qëllimi ynë është që sa më shpejtë të fillojmë me realizimin, që Transfer Stacionin tonë ta vëmë në gjendje që të fillojë me veprimtarinë e vetë. Janë duke u kryer punët e ndërtimtarisë dhe punët e infrastrukturës.

Mjetet janë të dedikuara nga Trupi Koordinues, ndërsa qëllimi është që punët në Transfer Stacionin të kryhen deri në fund të vitit 2017”. Që nga ajo periudhë ky Impiant për reciklimin e mbeturinave akoma nuk është në funksion.

Edhe përkundër afateve të lartpërmendura, montimi i paisjeve të reciklimit ka filluar në prill të vitit 2019 dhe ka përfunduar brenda një periudhë jo të gjatë, por aty ka ngecuar gjithçka, sepse edhe sot e kësaj ditë, edhe pse për vitin 2019 nga buxheti komunal janë paraparë edhe 10.000.000 dinarë, Transfer Stacioni i Bujanocit nuk është në funksion, është mbuluar nga bari dhe mbeturinat.

Deklarate fundit nga përfaqësuesit e Pushtetit Lokal vjenë se mjetet e parapara për Transfer Stacionin me vlerë prej 10 milion dinarë do të dedikohen për një projekt tjetër, gjegjësisht për projektin e ndriçimit publik modern dhe kjo sipas tyre nuk nënkupton se nuk do të kryhet ky projekt, thjesht është vlerësuar se këtë vit uk do të ketë kohë të mjaftueshme për realizimin e punëve të parapara në instalimet e jashtme të Transfer Stacionit.

Sipas përfaqësuesve të Pushtetit Lokal të cilat këtë lajm ia kanë kumtuar mediave lokale ne gjuhën serbe, ky projekt do të prolongohet për vitin e ardhshëm.

“Këto janë mjetet që i marrim nga Trupi koordinues, dhe pasi që kemi konstatuar se nuk do të arrijmë që ta realizojmë projektin e TS-së deri në fund të vitit, kemi vendosur për ndryshim të dedikimit të mjeteve me qëllim që mjetet të mos ngelin të pashfrytëzuara” ka thënë për mediat në gjuhën serbe Rahim Salihu i nënshkruar si shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës.

Salihu ka thënë se punët në Transfer Stacionin për reciklimin e mbeturinave do të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm./presheva.com/