SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e mbajtur sot të Këshillit Komunal të kryesuar nga kryetari i komunës Shaip Kamberi, veç tjerash janë ndarë 500.000.00 dinarë për gjelbrimin e qytetit, ndërsa është autorizuar Drejtorati për Investime dhe Zhvillim për shpërndarjen e kontejnerëve donacion nga R.Kosovës.

Shumën prej 500.000.00 dinarë kryesuesi i mbledhjes e ka arsyetuar me domosdoshmërinë e zëvendësimit të drunjëve të vjetëruar që janë tharë në sheshin e qytetit.

“Përveç që paraqesin rrezik, këto drunjë nuk kanë pamje të mirë dhe për këtë arsyeje do të zëvendësohen.

Së shpejti do të fillojnë punimet në ndërtimin e anësorëve (trotuareve) në anën e djathtë përgjatë rrugës kryesore dhe këtu do të ketë nevojë për gjelbrim, sikurse edhe në hyrje të qytetit te rrethrrotullimi” ka thënë Kamberi.

Duke vlerësuar se hapsirat e gjelbruar publike nuk janë në gjendje të mirë, kryetari i komunës ka sugjeruar që udhëheqësia e NP Komunalisë, në kompetencë të së cilës është kjo fushë, do të duhet të mendojë për puënsimin e një punëtori që ka njohuri për këtë.

Kësilli komunal sot gjithashtu ka autorizuar Drejtoratin për Investime dhe Zhvillim për shpërndarjen e kontejnerëve. “Kontejnerët e mëdhenjë do të vendosen kryesisht në qytet, sikurse në lokacionet e vjetra poashtu edhe në lokacione të reja, ku është theksuar se ka nevojë.

300 kontejnerë të vegjël do ti marrin ekonomit familjare në Bujanoc, Tërnoc dhe Banja e Bujanocit, nga ku grumbullohen mbeturinat në mënyrë të organizuar” ka thënë për mediat lokale në gjuhën serbe Rahim Salihu kryeshef i Drejtoratit për Investime dhe Zhvillim.

Sipas Ilir Taipit drejtor teknik në NP Komunalina e cila është përgjegjëse edhe për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave, deri në momentet e publikimit të tekstit, askush nuk i kishte kontaktuar nga Pushteti Lokal, apo njoftuar aq më pak autorizuar për shpërndarjen e kontejnerëve dhe sipas tij, kjo mund të jetë një brengë më pak për Ndërmarrjen.

Ndërkohë është mësuar se DIZH do ta kontaktojë edhe NP Komunalinë për shpërndarjen e kontejnerëve.

Nga ana tjetër vlenë të theksohet, nëse NP Komunalia është ndërmarrja e vetme përgjegjëse në komunën e Bujanocit për mirëmbajtjen e gjelbrimit, pastërtisë, ujësjellësit dhe kanalizimit, përse kjo ndërmarrje nuk është drejpërdrejt e autorizuar edhe për shpërndarjen e kontejnerëve të mbeturinave donacion nga Rëpublika e Kosovës?./presheva.com/