SHPËRNDAJE

Thuhet: “Mëshira është malli më i pavlefshëm në botë, është faqja e pasme e gëzimit të ligë, që ka njeriu për fatkeqësinë e tjetrit!”

E pushteti ynë lokal, më në fund, arriti t’i qeras shoqatat joqeveritare me një “mëshirë” në formë “sadake”, nga arka e buxhetit komunal.

Mjetet e ndara për funksionimin e shoqërisë civile në Bujanoc, kapin lartësinë nga 25 mijë dinarë deri në 100 mijë sish. Disa nga shoqatat, të cilat kanë pasur “mëshirën” e pushtetit t’i gëzojnë nga 25 mijë din, ato mjerisht nuk arrin ta paguajnë qiranë e lokalit për dy muaj, e mos të flasim për një vit. E si të kërkohen suksese në fushën e veprimtarisë së shoqatave, kur ndihma e komunës për to është e mjerueshme, madje cinike.

Mjetet e ndara nga buxheti komunal, jepen për një vit, në bazë të projekteve me të cilat ato kanë konkurruar te Komisioni për ndarjen e mjeteve shoqatave joqeveritare për vitin 2014. 

Qëllimi i pushtetit lokal, ka qenë që të “dariten”, të gjitha shoqatat nga pak e ato në nivel komune nuk janë të pakta 38 sish. 

Komisioni për ndarjen e mjeteve shoqatave joqeveritare për vitin 2014, nuk e kishte lehtë. Pas disa mospajtimeve midis anëtarëve të Komisionit dhe drejtuesve të pushtetit lokal, rreth vlerësimit të projekteve të shoqatave dhe lartësisë së mjeteve të dedikuara për ta, rezultoi në dorëheqje, duke ia lëshuar vendin Komisionit të ri, i cili si me “karate” e zgjidhi enigmën e ndarjes së kulaçit.

Është mirë të dihet se me buxhetin komunal, janë paraparë me miliona dinarë për zhvillimin e veprimtarive të sektorit joqeveritar në Komunën e Bujanocit, ndërsa janë ndarë vetëm 1.710.000,oo din. (Mjetet për financimin e projekteve janë të siguruara nga pozicioni 43-06-130 (donacionet- shoqërore,socio-humanitare dhe organizatat joqeveritare ),vendimi mbi buxhetin e Komunës së Bujanocit për vitin 2014 në vlerë prej 55.444,500,oo din). Po të llogaritet në euro nga 550 mijë euro të parapara me buxhetin komunal për shoqërinë civile, janë ndarë vetëm rreth 17 mijë euro). Hiç më larg se para katër muajve, në mars të këtij viti, nga buxheti komunal për vetëm një medium privat si TV “Spektri”, janë ndarë nga buxheti komunal  2.760.000,oo din afro 26 mijë euro, gati sa dyfishi i asaj që kanë marrë bashkërisht 38 shoqata joqeveritare. Kjo nuk do koment!

Lartësia e shumës së konkurruar me projekte në vitin 2014, kapte vlerën deri në 150 mijë din, mirëpo asnjë nga shoqatat nuk e arriti ta gëzoj këtë vlerë. Shumën më të madhe prej 100 mijë din ka arrit ta siguroj një shoqatë serbe nga Komuna e Vranjë dhe një tjetër multi – kulti BSK (Shkolla e vogël e futbollit) nga Bujanoci 90 mijë din, ndonëse e paraparë me financim të rregullt të buxhetit komunal. 

Le të tregoje ndonjë OJQ shqiptare nga Bujanoci, të ketë marrë ndonjë lek nga buxheti komunal i Vranjës, ndërsa Komisioni, i përbërë nga shumica shqiptare, ashtu siç është edhe pushteti lokal, ka treguar një gjentilencë për t’u treguar sa është tolerante dhe e mëshirshme qeverisja lokale ndaj shoqatave joshqiptare edhe atë nga komunat e tjera, me të cilën e ka shkelur edhe rregulloren e Këshillit Komunal.

Po me kaq, nuk mbyllet rrëfimi për ndarjen e mjeteve shoqërisë civile nga Bujanoci. Ka zëra që dëshirojnë ta dinë se ku po avullohen paratë publike, të dedikuara për veprimtarinë e shoqatave joqeveritare?!

Nëse janë paraparë me dhjetëra milionë dinarë për veprimtarinë e shoqatave joqeveritare, a nga këto mjete atyre u janë ndarë diku rreth 1.710.000,oo din., ku po mbeten milionët e tjerë, me një fjalë ku po avullohen ato?!

Kështu ka ndodhur edhe vitin e kaluar, bile shuma e paraparë për vjet ka qenë deri në 250 mijë e ata që kanë përfituar nga ai konkurs ka qenë deri në 150 mijë din. E kur të llogariten edhe milionët e mbetura të vitit të kaluar me ato të këtij viti, del se ky pushtet, shkurt e shqip, po manipulon me paratë publike! 

Lëre që po manipulon pushteti lokal me paratë publike, por edhe po i shfrytëzon ato për çështje bamirësie.

Menaxhimi i njëanshëm dhe jotransparent i mjeteve të parapara nga buxheti komunal në fushën e informimit dhe sektorit joqeveritar, sjell dilemat e shumë kujt se ku po shkojnë paratë publike?!

Për t’i hequr këto dilema hamletiane, nuk do të ishte keq të formohet një Këshill Anketues, në nivel komune, në përbërjen e të cilit do të radhiteshin edhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe OSBE-ja, për të parë se si janë ndarë mjetet e buxhetit komunal për mediat dhe shoqatat në këto dy vitet e fundit.

Gjithashtu, nuk do të ishte keq të tërhiqet një paralele midis ish Vendimit të pushtetit të dikurshëm, ku shoqatat përfshiheshin në financim të rregullt dhe Vendimit të këtij pushteti, ku ato financohen sipas projekteve me konkurs.  Çfarë rezultati dhe reforme ka sjell ndryshimi i vendimit nga ai i mëparshmi dhe çfarë kriteriumesh janë marrë për bazë nga komisionet për ndarjen e mjeteve shoqatave joqeveritare?!, njofton Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.    

…………….

Faksimil nga ndarja e mjeteve ne mënyrë tabelare dhe pamje nga buxheti i Komunës së Bujanocit, për vitin 2014, ku janë paraparë ndihmat financiare për OJQ-të.