SHPËRNDAJE

Antarët serb të komisionit për ndryshim të rrugëve në Bujanoc kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e 22 emrave të rrugëve.

Ndryshimet e emrave të rrugëve kryesisht do të bëhen në rrugë ku jetojnë shqiptarët, ka thënë njëri nga antarët serb të komisionit për ndryshim të emrave Miodrag Milkoviq.

Vendimin për ndryshimin e emrave të 22 rrugëve e kanë përkrahur edhe këshilltarët serb në Kuvendin komunal, që janë të gjithë pjesë e koalicionit qeverisës me PD e Nagip Arifit dhe LPD e Jonuz Musliut.

Milkoviq ka thënë se ndër emrat e propozuar për ti ndryshuar emrat e rrugëve në Bujanoc nuk janë pranuar emrat nga historia e afërt që nuk janë të papranueshme për serbët, siç ka qenë në vitin 2012 kur janë propozuar emra të ish luftëtarëve të UÇPMB-së.

“Në vitin 2013 është formuar komision i ri për ndryshim të emrave të rrugëve. Ne kemi pranuar bisedime në këtë temë dhe është arritur koncenzus për ndryshimin e disa emrave pasi kemi konsideruar se nuk është e drejtë që disa emra të rrugëve ku jetojnë vetëm shqiptarë të quhen Vojvoda Radomir Putnik ose Branko Radiçeviq” ka thënë Milkoviq.

Po thuaj se në të njejtën kohë kur edhe Bujanoci kishte propozuar ndryshimin e emrave të rrugëve, edhe Presheva kishte iniciativë për ndryshimin e emrave të rrugëve.

IniciativaPDSH

Në një dokument, të cilin e posedon presheva.com, iniciativa është marrë në muajin nëntor të vitit 2012 nga grupi i këshilltarëve të UDSH-së.

“Duke pas parasysh se në komunën e Preshevës, gjegjësisht në Preshevë shumë rrugë mbajnë emërimet të cilat nuk përkojnë me kohën dhe historinë dhe çështjet kombëtare të shqiptarëve të cilët shqiptarët janë shumicë në këtë komunë, si dhe duke patur parasysh se viti 2012 është vit festiv për shqiptarët 100 vjetori i shpalljes së pavarsisë së shtetit shqiptar, shohmi të arsyeshme ngritjen e kësaj iniciative që të bëhet ndryshimi i emërimeve të rrugëve dhe të sheshit edhe atë duke u mbështetur në ligjin për vet administrim lokal dhe statutin e komunës së Preshevës që këto ndryshime të bëhen me urgjencë” thuhet në kërkesën e cila është dërguar si arsyetim nga grupi i këshilltarëve të UDSH-së.

“Ne e kemi dorëzuar këtë kërkesë, si iniciativë për ndryshimin e emrave të rrugëve në Preshevë, ku shqiptarët janë shumicë. Rrugë si Karposhi, Salvador Alende, Koçe Xoxi e shumë të tjerë duhet të ndryshohen dhe të zëvendësohen me emra të tjerë. Eshtë formuar grupi punues për të propozuar emrat për ndryshim të emrave, por asnjëherë nuk ka funksionuar dhe nuk jemi ftuar që kjo iniciativë të konsiderohet si e domosdoshme për ti ndryshuar emrat e rrugëve” ka thënë për presheva.com, Naser Aziri, kryetari i degës së UDSH-së në Preshevë, si kryesuesi i listës e cila mori iniciativë për ndryshime. /presheva.com/