SHPËRNDAJE

Në çdo rrugë, të qytetit të Bujanocit, aty-këtu, vërehen tabelat e mbishkrimeve: “Shtëpia në shitje” dhe “Kuca na prodaju”!Është e pamundur të kalosh këtyre rrugëve e të mos bien në sy këto pamje, që për bujanocasit, tashmë janë bërë të zakonshme.

Po ikin shqiptarët e bashkë me ta, po ikin edhe serbët dhe romët. Ata po ikin, në kërkim të një jete më të mirë.

Armiku më i madh i përbashkët i banorëve të kësaj komune multietnike, është varfëria. Ajo, pothuajse, ka trokitur në dyert e çdo qytetari.

Shqiptarët ikin në Kosovë dhe perëndim, serbët në drejtim të Beogradit, ndërsa romët në Vojvodinë e perëndim.

Bujanoci, një komunë, e pazhvilluar ekonomikisht, me një prapambeturi ekstreme, pak ngjallë shpresat te qytetarët se për një kohë të gjatë do të bëhet mirë.

Statistikat flasin se në Shërbimin Nacional të Punësimit, me mijëra njerëz kanë humbur durimin, duke pritur gjatë një vend pune.

Dikur ishin shkollat si fabrikat, që punësonin njerëz edhe ato dalëngadalë po tkurren, për shkak zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe një numër i madh punëtorësh të arsimit po rekrutohen për tepricë teknologjike.

Ndërmarrjet shtetërore, janë në procesin e privatizimit, ndërsa ato private ankohen se nuk kanë punë, duke nxjerrë në rrugë qindra punëtorë.

Pushteti lokal multietnik, në Bujanoc, tashmë e ka mbushur kupën me nepotizëm. Në këtë komunë, nuk mund të gjesh punë nëse nuk je në parti të atij që mban pushtet, ose nuk lidh krushqi me të afërmit e tij.

Ky zhgënjim qytetar, vjen si rezultat i një politike klanore, provinciale, lokaliste e primitive, e cila i ka gëlltitur premtimet e fushatës paraelektorale, duke brohoritur se do të hapen fabrika e biznese private e do të punësohen me mijëra vetë.

Në këtë drejtim, duke parë se shpresat për një të ardhme më të lumtur sa vijnë e shuhen, shumë familje kanë qitur në ankand shtëpitë e bizneset private, për të ikur nga sytë këmbët!

Ata pyesin arsyeshëm, se si mund të jetohet në një rajon të stërngarkuar me forca të shumta jashtë suazave të paqes, si mund të gjallërosh nga bujqësia në një treg ku fuqia blerëse ka rënie drastike, si mund të ngrihesh profesionalisht kur s’ke arsimim të lartë, si mund të merresh me tregti të jashtëligjshme, kur të presin me gjoba inspektorët lokalë e republikan, pa përjashtuar edhe gjyqet, si mund të integrohesh kur pakicat kombëtare

nuk ndjehen komod në shtetin ku jeton, si mund të punësohesh kur nuk e ke dajën, nipin e mikun në pushtet etj-etj.

Të gjitha këto vështirësi të natyrës politike dhe ekonomike, ka bërë që shumë qytetarë pa dallim etnike, t’ia mbathin për sigurimin e kafshatës së gojës.

Nëse nuk ndryshon qasja e koncepti i atyre, që mbajnë pushtet me votën e popullit, në favor të ngritjes së një klime më të shëndosh të thithjes së donacioneve për zhvillimin e vendit, shumë shpejt nga Komuna e Bujanocit, do të krijohet një Medvegjë të dytë. Përndryshe, sot e ke Bujanocin në ankand! 

 

Shoqëria Civile „Perspektiva”, në Bujanoc