SHPËRNDAJE

Rexhep Altepe, shqiptar me prejardhje nga Shkupi, tani dhjetë vite me radhë udhëheq metropolin tre milionësh Bursa, që është qyteti i katërt në Turqi për nga popullsia, kurse i dyti pas Stambollit, sa i përket eksportit vjetor që realizon jashtë vendit. Anketat që bëhen nga institute të ndryshme tregojnë se Altepe pa ndonjë problem të madh do të fitojë edhe mandatin e tretë, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 mars të këtij viti

Rexhep Altepe nuk është i popullarizuar te mediat shqiptare në Ballkan sa prefekti i Tiranës Lulzim Basha, ose sa prefekti i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai nuk është i popullarizuar te ne as sa kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, ose sa kryetari i Strugës Zijadin Sela dhe kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.

Mirëpo Rexhep Altepe, shqiptar me prejardhje nga Shkupi, është kryetar i një qyteti i cili ka më tepër popullsi se sa nëse bëhen bashkë Tirana, Prishtina, Shkupi, Tetova, Struga e Kërçova.

Altepe tani dhjetë vite me radhë është kryetar i metropolit tre milionësh Bursa, që është qyteti i katërt në Turqi për nga popullsia, kurse i dyti pas Stambollit, sa i përket eksportit vjetor që realizon jashtë vendit.

Karrierën e vet politike, Altepe e ka filluar si kryetar i komunës Osman Gazi, ndryshe komuna më e madhe në kuadër të qytetit të Bursës, ku jeton komuniteti më i madh shqiptar në këtë qytet. Pas rezultateve të treguara në udhëheqjen e kësaj komune, Altepe në vitin 2004 ka vendosur të marrë pjesë në garën për kryetar të qytetit të Bursës, duke fituar këtë garë si kandidat i AK Partisë së kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan. Fitoren e ka përsëritur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2009, kurse të gjitha anketat që bëhen nga institute të ndryshme tregojnë se ai pa ndonjë problem të madh do të fitojë edhe mandatin e tretë, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 mars të këtij viti.

“Anketat tregojnë se kryetari Rexhep Altepe gëzon popullaritet prej 46 deri 50 për qind, kurse rejtingu i rivalit të tij nga partia opozitare CHP (Xhe-Ha-Pe) është rreth 25 për qind. Mendoj se pa asnjë problem do të fitojmë edhe në zgjedhjet e 30 marsit”, tha për “Lajm” Emir Xhemal, këshilltar i kryetarit Altepe, i cili poashtu është shqiptar me prejardhje nga fshati Nerez i Shkupit.

 

Pse fiton bindshëm Altepe?

Parashtrohet pyetja se pse fiton kaq bindshëm garën për kryetar të Bursës shqiptaro-shkupjani Rexhep Altepe? Athua fiton në bazë të fjalëve dhe premtimeve, apo në bazë të punës që ka bërë? Nuk diskutohet fare se ai është orator i mirë dhe elokuent, por është e qartë se popullaritetin e madh që gëzon te votuesit, më tepër bazohet në veprat që ka bërë se sa në fjalët që i thotë.

Altepe konsiderohet si një nga reformatorët më të mëdhenj në këtë qytet, sepse ka avancuar edhe më tepër industrinë e kësaj qendre tradicionale industriale. Në Bursë funksionojnë 25 zona të lira ekonomike, kurse vetëm njëra prej tyre realizon eksport në vlerë prej 6 miliardë dollarëve. Krahas kompanive të shumta turke, në Bursë funksionojnë edhe një numër i madh i kompanive të huaja, mes të cilave edhe kompani me nam botëror. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive me investimet e tyre në Bursë kanë ardhur gjatë dhjetë viteve të fundit, që paraqet dëshmi të qartë për politikën e suksesshme të kryetarit Rexhep Altepe për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Para dhjetë viteve në Bursë kishte 300 kompani të huaja. Sot në qytetin tonë funksionojnë 800 kompani të huaja, të cilat kryesisht eksportojnë në Evropë dhe në SHBA. Gjatë krizës financiare botërore edhe pse nuk kishte rritje të eksportit ët kompanive nga Bursa, megjithatë nuk kishte as rënie por nuk pati as ulje, falë orientimit të eksportit drejt vendeve të Azisë dhe Afrikës Veriore. Tani eksporti ka filluar sërish të shënojë rritje, fakt që na gëzon tej mase”, tha Altepe gjatë takimit që realizoi me një grup gazetarësh nga Maqedonia, që qëndruan katër ditë me radhë në Bursë.

 

Bursa, Ballkan i vogël

Vizita e grupit të gazetarëve nga Maqedonia ishte në funksion të politikës së kryetarit të këtij qyteti për të forcuar lidhjet e Bursës dhe Turqisë në përgjithësi, me vendet ballkanike.

“Unë jam një ballkanas i vërtetë. Babai im është nga Shkupi, nëna ime nga Kosova, bashkëshortja ime nga Kavalla e Greqisë. Turqia si një nga vendet më demokratike është e interesuar të zhvillojë raporte miqësore me të gjitha vendet jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe në botë”, thotë Altepe.

Krenari për industrinë e Bursës paraqet fakti se në fabrikat e këtij qyteti bëhet prodhimi i plotë i tramvajit. Ky fakt është edhe krenari për krejt Turqinë, sepse është bë vendi i gjashtë në Evropë që mund të lavdërohet si vend ku bëhet prodhimi i plotë i këtij mjeti të rëndëishëm transporti.

Mirëpo krahas zhvillimit të industrisë, gjatë mandatit të kryetarit Rexhep Altepe, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe ekologjisë. Gjatë pesë viteve të fundit hapësirat e gjelbra në këtë qytet janë zgjeruar për një milion hektarë, kurse për pesë vitet e ardhshme parashikohet të krijohet edhe aq hapësirë e gjelbër. Në funksion të zgjerimit të hapësirave të gjelbra janë rrënuar edhe kuarte të tëra banesore, ku ka pasur kryesisht ndërtesa të vjetra. Pronarëve të banesave ose shtëpive në këto kuarte u është dhënë kompensim më i lartë se vlera e banesave apo shtëpive që kanë poseduar. Pas një muaji krenari e qytetit Bursa do të jetë edhe stadiumi i ri i qytetit, i ndërtuar sipas standardeve më moderne dhe që do të ketë kapacitet të pranojë 45 mijë shikues.

 

Bursa, qytet me rreth 200 mijë shqiptarë

Bursa është qytet popullsinë e të cilit e përbën komunitet i madh i emigrantëve nga vendet ballkanike, që në këtë qytet kanë arritur në periudha të ndryshme kohore. Komunitetin më të madh të ardhacakëve e përbëjnë turqit e Bullgarisë, kurse pas tyre vijnë shqiptarët. “Bursa ka popullsi prej 2.8 milion banorëve. Gjysmën e popullsisë e përbëjnë emigrantë nga vendet ballkanike, kurse 15-16 për qind të numrit të emigrantëve e përbëjnë shqiptarët”, sqaron Altepe. Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë e kësaj përqindje, rezulton se në Bursë jetojnë 170 deri 200 mijë shqiptarë. /LAJMPRESS