SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, thotë se delegacioni i Shqipërisë është i gatshëm për vizitë në Beograd.

Në një intervistë për “France 24”, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka treguar gatishmërinë e palës shqiptare për ta vizituar Serbinë, por thotë se pret që edhe Beogradi të ketë vullnetin për këtë gjë. Ai ka reaguar sërish për ngjarjet e ndodhura në Beograd, gjatë ndeshjes midis Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe për marrëdhëniet e ardhshme mes dy vendeve.

Ndiqeni të plotë intervistën:

France 24: Kemi qenë dëshmitarë të një sërë akuzave në lidhje me ata që duhet të fajësohen për këtë incident. Sipas jush, kush është përgjegjës për këtë?

Ditmir Bushati: Faleminderit që më ofruat mundësinë për të reaguar në lidhje me zhvillimet e pakëndshme në Beograd, gjatë ndeshjes midis Shqipërisë dhe Serbisë. Qeveria shqiptare dënon me forcë provokimet, ushtrimin e dhunës në stadium e gjithashtu ngjarjet që shoqëruan këtë ndeshje futbolli, duke shprehur keqardhjen e saj mbi përdorimin e tyre për qëllime politike, fatkeqësisht nga zyrtarë të lartë në Serbi.

Ne kemi qenë mjaft të qartë në pozicionin tonë mbi këtë ngjarje, jemi distancuar nga përdorimi i dhunës dhe çdo lloj tjetër provokimi, u kemi bërë thirrje autoriteteve serbe të hetonin këtë çështje dhe u bëjmë thirrje gjithashtu që të ndalojnë së fajësuari Shqipërinë si komb, si qeveri dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.

Siç të gjithë e dimë, nga rregullat e shkruara dhe gjerësisht të pranuara, vendi pritës është plotësisht përgjegjës për mbarëvajtjen e një aktiviteti të tillë.  Edhe pse ne luajtëm në Serbi në rrethana shumë të pazakonta, ku tifozët tanë nuk u lejuan të hynin në stadium,  ku simbolet tona kombëtare nuk lejoheshin, ne luajtëm, pa asnjë ankesë. Po ashtu, kur filloi hedhja masive e objekteve të rënda dhe fishekzjarrëve në fushë dhe retorika tejet e pakëndshme kundër himnit tonë kombëtar, ne nuk u ankuam dhe vazhduam të luanim. Kemi udhëzuar gjithashtu njerëz nga FSHF dhe ambasadën tonë atje të ruajnë qetësinë dhe të përcjellin vetëm mesazhe paqësore.

France 24: Kryeministri i Shqipërisë do të zhvillojë një vizitë historike në Serbi javën e ardhshme. A do të zhvillohet kjo vizitë, apo ajo mbetet ende për t’u diskutuar, duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit?

Ditmir Bushati: Këto janë çështje që jo domosdoshmërisht duhet të jenë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse ne arrijmë të vendosim një vijë të qartë ndarëse midis sportit, huliganizmit dhe politikës, sepse sporti nuk mund të drejtojë çështjet shtetërore. Ky ka qenë qëndrimi ynë i qartë mbi këtë çështje. Jemi të vendosur të vazhdojmë rrugën tonë konstruktive në lidhje me politikën e jashtme në rajon, dhe Serbia është pjesë e këtij rajoni. Ne duam të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë, por për këtë nevojiten të dyja palët. Ne kemi shprehur qartë gatishmërinë tonë për të vizituar kryeqytetin serb, dhe nuk mendojmë se duhet të presim shtatë dekada të tjera  për materializimin e një aktiviteti dhe vizite kaq të rëndësishme. Të gjitha mundësitë janë të hapura, por nevojitet vullneti i të dy palëve. Ne jemi të gatshëm të vizitojmë Serbinë, dhe besojmë e shpresojmë se Serbia është gati të na mirëpresë./Top Channel/