SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë takimit në Gjermani me Ministrin e Jashtëm gjerman Haiko Maas, ka thënë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është në kundërshtim me përpjekjet që janë bërë në Ballkan në tri dekadat e fundit.

“Mendoj se kjo do të binte në kundërshtim me të gjitha përpjekjet që janë bërë në Ballkan në tri dekadat e fundit. Do të binte në kundërshtim edhe me Aktin Final të Helsinkit dhe me dokumentet tjera ndërkombëtare ligjërisht obliguese. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutin e Pandoras për rastet tjera në rajon. SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit në Ballkan, duke u siguruar që shoqëritë të mbesin të hapura. E di shumë mirë që është një sfidë e madhe ndërtimi i shoqërive dhe institucioneve që i shërbejnë këtij qëllimi, por na duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, ka deklaruar Bushati, raporton Koha.net.

Sipas tij, përfshirja e SHBA-së në rajon është shumë e rëndësishme për shkak të vendndodhjes gjeopolitike të Evropës Juglindore në mes të Lindjes së Mesme në njërën anë, dhe me BE-në në anën tjetër.

“SHBA-ja është dëshmuar e suksesshme në rajonin tonë në ndalimin e gjakderdhjes dhe luftës në Jugosllavi dhe në përfundimin e disa prej projekteve më të rëndësishme për sigurinë në rajon, përfshirë edhe zgjerimin e NATO-s në Kroaci, Shqipëri, Mal të Zi e shpresojmë së shpejti edhe në Shkup. Ka nxitur po ashtu edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E dimë shumë mirë se procesi Kosovë-Serbi po zhvillohet nga Bashkimi Evropian, por pa përkrahjen e SHBA-së, rezultatet e pritura nuk mund të arrihen”, ka thënë Bushati në konferencën për media pas takimit me Mass.

Bushati tha se dëshira për anëtarësim në BE ka bërë që rajoni të ketë zhvillime pozitive.

“Kemi nevojë për një BE të bashkuar për të mbështetur vendet e Ballkanit dhe përfshirjen e tyre në Bashkimin Evropian, gjë që s’ka qenë gjithmonë kështu, si për shembull për Shqipërinë dhe Maqedoninë”, ka thënë më tej Bushati.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht duhet të ketë rezultate politike, raporton Koha.net.

“Momentalisht, fokusi kryesor ka qenë në teknikalitete në raport me patentat e shoferëve dhe me lirinë e lëvizjes së qytetarëve nëpër zonat kufitare. Tani është koha që edhe Kosova edhe Serbia të bëjnë koncesione më të dhimbshme me shpresën që të arrihet një marrëveshje që u konvenon të dyja palëve, e cila po ashtu mund të jetë ligjërisht obliguese. Është shumë e qartë se për Serbinë s’ka BE pa njohjen e Kosovës. E as për Kosovën s’ka BE as NATO pa i adresuar çështjet e ndërlidhura me Serbinë apo me pakicën e saj serbe në Kosovë”, u shpreh ai.