SHPËRNDAJE

Politikani serb ​Nenad Çanak, ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare në Serbi janë të rëndësishme për faktin se gjatë mandatit të përbërjes së re të Kuvendit do të ndryshojë Kushtetuta e Serbisë.

“Nëse Serbia dëshiron të përshpejtojë integrimet evropiane, ajo duhet urgjentisht të ndryshojë aktin e vet më të lartë juridik”, ka thënë Çanak për gazetën e Novi Sadit “Dnevnik”.

Nenad Çanak mendon se është e pamundur që me Kushtetutën që është aq larg realitetit dhe realitetit aktual politik, Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian.

Në Kushtetutën e Serbisë gjendet klauzola në të cilën thuhet se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë.

Njohës të integrimeve evropiane thonë se Brukseli nuk do të lejojë një formulim të tillë në Kushtetutën serbe nëse Serbia synon vërtet anëtarësimin në BE.