SHPËRNDAJE

Ne besojmë shumë te institucionet e shtetit zviceran. Kryesia jonë dhe unë si imam distancohemi prej të gjithëve që flasin në emër të këtij rasti. Është mirë të mos flitet pa u zbardhur rasti. Nuk është mirë të bëhen komente të ndryshme», na tha ndër të tjera imami i xhamisë.

Flums-01

Në drejtim të Sargansit gjendet një qytezë e vogël – Flums-i, me 4. 876 banorë, e cila i takon Kantonit të St. Gallenit. Flumsi ndodhet në drejtim të Graubinden-it, e më pastaj të lidhë me pjesën italiane të Zvicrës. Në këtë qytezë jetojnë edhe veprojnë një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë. Thuhet se pjesën dërmuese të mërgimtarëve shqiptarë e përbëjnë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Që të gjithë thuajse njihen si bamirës dhe veprimtarë, sepse asnjëherë nuk e ndalën kontributin për të mirën e Atdheut. Për këtë, të paktën jemi informuar edhe nëpërmjet medieve. E kësaj here nuk po ndalemi në veprimtarinë bamirëse të këtyre mërgimtarëve, por për një rast tjetër, meqë ditë më parë, konkretisht më 7.12.2014, e diel, ndodhi një gjë jo e mirë për të gjithë banorët e kësaj ane, por edhe për mbarë Zvicrën.

Akt i shëmtuar dhe vandal

Nëpërmjet medieve zvicerane jemi informuar se në mëngjesin e kësaj dite, në Xhaminë shqiptare të Flumsit kanë shpërthyer dy bomba me «koktej molotovi», për çka ka raportuar edhe Policia në Flums, St.Gallen, e cila se persona të panjohur i kanë hedhur këto dy bomba, pasi e kanë thyer derën prej qelqi dhe janë hedhur nga dritarja. Dëme materiale ka pasur, por fatbardhësisht nuk ka pësuar asnjë person brenda objektit, apo jashtë saj. Për të mësuar më hollësisht për këtë rast, ne dje pasdite e vizituam këtë xhami dhe u takuam me kryetarin dhe me imamin e saj. Xhamia gjendet në qendër, një objekt i mirë, e përpara e ka edhe lokalin e saj, që të krijon një përshtypje të mirë që nga jashtë, e në logo të xhamisë është flamuri ynë kombëtar dhe ai zviceran. Xhamia i ka dy hyrje, nga lokali dhe në anën tjetër drejtpërdrejt në xhami. Me dorë në zemër, ashtu siç priten miqtë, traditë kjo jona shqiptare, na uruan mirëseardhje kryetari i xhamisë, Arben Sylejmani, dhe imami, Irfan ef.Musliu. Në pamje të parë, ata dukeshin të brengosur, por kur bashkëbisedoje me ta krijohej një përshtypje tjetër.

Flums-02

A u dëmtua faltorja e xhamisë?

Objekti i xhamisë e ka edhe podrumin e saj, i cili përfshin një lokal-kafe, ku besimtarët mund të shkojnë pas lutjeve dhe të freskohen me ndonjë pije, pastaj ta shikojnë televizorin dhe të luajnë ndonjë lojë shahu. E këto aktivitete janë të përshtatshme zakonisht për të premtet në mbrëmje, të shtunat dhe të dielat, kur mblidhen të rinj nga të gjitha trevave shqiptare, por edhe kombësi tjera. Sepse, në këtë objekt, siç dihet, nuk është i ndalur për askënd, pavarësisht nga shteti, nga besimi, nga gjuha apo raca. Një është e sigurt – pije alkoolike nuk shërbehen. E ato dy sende nuk janë hedhur në faltore, por në lokal, pra në kafenenë e xhamisë. E dëmtimet shihen edhe në tërë objektin, por jo aq shumë në faltore.

Gëzon fakti që flamujt nuk janë dëmtuar

Imami i xhamisë dhe kryetari na thanë se janë shumë të lumtur që askush nuk ka pësuar nga ky veprim vandal dhe, për fat të mirë, nuk është djegur asnjëri flamur, as ai zviceran, por as flamuri ynë kombëtar, e as logoja e xhamisë sonë. Flamuri kombëtar kuqezi dhe ai zviceran qëndrojnë në ballë të lokalit afër televizorit, por është interesant se televizori nuk është thyer. Ndërsa dëmi në lokal shihet se është i madh. Objekti është blerë në vitin 2007 me kontributin e bashkatdhetarëve, ndërsa xhamia ekziston nga viti 1993.

Flums-03

Xhamia me 315 anëtarë dhe 200 nxënës

Imami i xhamisë, Irfan Musliu, na tha gjatë bisedës se këtë rast e përjetuan keq edhe nxënësit, edhe pse ne u munduam që të mos u tregojmë se çfarë ka ndodhur. Ai u ka thënë se disa ditë do ta keni të lirë, sepse xhamia është duke e bërë një renovim. Është normale se edhe anëtarët tanë e përjetuan keq. Këto veprime pa dyshim janë vandale, pavarësisht se ku ndodhin. I falënderojmë edhe zviceranët, të cilët na e kanë freskuar shpirtin me fjalë të ëmbla. Ne kemi raporte të shkëlqyeshme me gjithë banorët në Flums. Për të gjithë kemi respekt.

Kur dhe si ndodhi rasti vandal?

Më në detaje për «dialogplus», na njoftuan kryetari i xhamisë, Arben Sylejmani, dhe imami Irfan Musliu:

Arben Sylejmani, kryetari i xhamisë:

«Asnjëherë nuk e kemi pasur asnjë problem me askënd në Flums e rrethinë. Sinqerisht, me të gjithë respektohemi dhe përshëndetemi. Sot unë isha në polici dhe e dhashë një raport, për të cilin nuk dua të flas. Kisha disa pyetje dhe ne kemi shumë besim te shteti zviceran dhe te organet e policisë. Jemi në Zvicër, në këtë shtet të sigurt dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë paqartësi. Ne lutemi që të mos flasin, apo të shkruaj askush, pa qenë i informuar drejt, që rastet të mos zbukurohen, apo zmadhohen. Ne jemi shumë të qetë dhe ua kemi lënë organeve kompetente shtetërore që të merren me rastin. Ne e bëjmë vetëm punën tonë. Ka filluar edhe të punohet në faltore, pra të pastrohet nga njerëzit kompetentë të firmave dhe gjithçka është gati për nesër, pra për të premten e 12 dhjetorit. Besimtarët mund të vijnë dhe t’i kryejnë obligimet e tyre fetare. Pra, namazi i xhumasë falet nesër në xhaminë tonë. Xhamia jonë ka raporte të mira, si me zviceranët, ashtu edhe me bashkëkombësit tanë, por edhe xhamitë tjera në tërë Zvicrën, si edhe me besimtarët e feve të tjera. Në xhaminë tonë, përveç shqiptarëve, falen edhe njerëz nga kombësi tjera, ngase ajo është e hapur për të gjithë.

Të dielën e 7 dhjetorit, afër nesh ka qëndruar edhe kryetari i Flumsit, që jeton në Flumsberg, i cili, edhe pse e kishte të lirë, erdhi për ta treguar shpirtin e tij solidar. I jemi shumë mirënjohës z. Christoph Gull. Menjëherë kanë ardhur edhe policia dhe zjarrfikësit, brenda pesë minutave. Shumë të shpejt! Kjo është Zvicra! Me ne janë solidarizuar edhe zviceranët e tjerë të Flumsit, duke shprehur keqardhje për këtë që ka ndodhur. Telegrame na kanë dërguar edhe Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, ndërsa kryetari Nehat Ismaili na ka vizituar edhe personalisht. Keqardhje dhe mbështetje na kanë dhënë edhe shoqatat zvicerane, por edhe ato shqiptare, si «Atdheu» në Badragaz, Bashkësia Islame e Kosovës, ajo e Maqedonisë dhe e Luginës së Preshevës, e kështu me radhë. Prandaj, të gjithëve u jemi mirënjohës».

Irfan Musliu, imami:

«Ne besojmë shumë te institucionet e shtetit zviceran. Kryesia jonë dhe unë si imam distancohemi prej të gjithëve që flasin në emër të këtij rasti. Është mirë të mos flitet pa u zbardhur rasti. Nuk është mirë të bëhen komente të ndryshme. Pasi ka ndodhur kjo, besoj se autorët do të zihen dhe do të dënohen. Nuk është e lehtë as për mua, as për të gjithë besimtarët, por kjo tashmë ka ndodhur, e kryesorja është se nuk e pësoi askush. Në afërsi të derës, zakonisht mbrëmjeve, qëndrojmë me një grup të rinjsh, bisedojmë e shikojmë televizorin. Sikur të ishim brenda, atëherë pa dyshim se do të ndodhte ndryshe, ndoshta do të kishim edhe viktima. Po shihet se dëmi është i madh, por besoj se do të evitohet dhe do të rifillojmë me lutjet tona. Kjo që ka ndodhur në xhaminë tonë nuk kisha dashur t’i ndodhë askujt, jo vetëm në xhami, por askund nëpër kulte fetare e nëpër shtëpi private. Kjo është e rëndë dhe e dënueshme. Edhe me përfaqësuesit e kishave këtu kemi takime dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin. U jemi falënderues të gjithëve për përkrahjen. Kam mbetur i shokuar me këtë rast. Nuk e kam besuar kurrë se mund të ndodhte diçka e tillë. Por, kjo është një sprovë që ne duhet ta tejkalojmë dhe të mblidhemi prapë, të lutemi e t’i kryejmë obligimet tona fetare. Këto ditë nuk i kemi pasur kushtet për t’i kryer obligimet tona në xhami, por prej nesër, e premte, gjithçka do të jetë gati. Lokali nuk është gati, duhen edhe disa javë, por edhe ajo do të rregullohet. I kemi takuar edhe nxënësit që vijnë për të mësuar në xhami, e kemi pasur edhe kuizin më 13 të këtij muaji, për të cilin jemi përgatitur, por ja që ndodhi kjo, prandaj do të shtyhet. Jam munduar të flas edhe me prindërit, por edhe me fëmijët, që të mos rëndohen nga kjo që ndodhi. Pra, fëmijët nuk e dinë, nuk u kemi treguar, sepse ata janë të rinj.

Rinia jonë është e integruar në shoqërinë zvicerane, prandaj ne e falënderojmë Zvicrën për të gjitha që i ka bërë për ne. Ajo na ka mundësuar që të kryejmë besimin tonë fetar pa asnjë pengesë, që fëmijët tanë të mësojnë në Shkollën Plotësuese Shqipe, e kështu me radhë. Pa dyshim, Perëndia do ta shpërblejë gjithë popullin zviceran, ashtu siç e ka shpërblyer me gjitha të mirat. Nuk është mirë që askush të flasë pa kompetencë, sepse xhamia e ka Kryesinë e saj. Nga parkingu i veturave në mëngjes e kemi parë se nga ndërtesa e xhamisë dilte tym. Kur u afruam te ndërtesa, një pjesë e konsiderueshme e xhamisë ishte përfshirë nga flaka, e nga pjesët tjera dilte tym, prandaj po vërehet se dëmi është bukur i madh. Në këtë xhami punoj plot pesë vjet dhe kaloj shumë mirë me të gjithë. Kemi besim te organet e rendit dhe sigurisë së shtetit zviceran që shumë shpejt do ta zbardhin rastin dhe autorët e këtij akti të papranueshëm të nxirren para drejtësisë. Ky akt vandal është një delikt rrugaçësh i izoluar, që nuk kanë ngjyrë politike, fetare apo racore, duke besuar çdo herë në vlerat e multikulturalizmit dhe multikonfesionalizmit, të garantuara me Kushtetutën e shtetit zviceran. E lus Zotin që ky të jetë rasti i fundit dhe të mos ndodhin askund në botë, jo vetëm nëpër xhami, por as në kultet tjera fetare. Ne nga nesër do të fillojmë me punën tonë, prandaj u bëj thirrje të gjithë besimtarëve, duke i njoftuar se nga e premtja gjithçka është gati. E për lokalin do të presim, por edhe ai do të rregullohet».

Kjo xhami e ka edhe një odë shqiptare për ata që nuk dëshirojnë të qëndrojnë në lokal, mund të ulen dhe të bisedojnë aty. Por, tash edhe ajo është e mbushur me tym. Në fytyrat e tyre shiheshin emocione, por në anën tjetër janë falënderues që gjetën mbështetje edhe nga zviceranët dhe nga i pari i Komunës. Edhe njëra nga kishat zvicerane, konkretisht nga Evangelisch-reformierte Landeskirche des Kantons Zürich, e ka përcjellë një ndihmë prej 1.000 frangash zvicerane, për çka të dy falënderojnë për këtë gjest njerëzor dhe bamirës.Falënderojmë edhe gjitha kryesitë me anëtarët e tyre edhe xhamitë shqiptare, që na kanë kontaktuar menjëherë dhe na kanë pyetur a kemi nevojë për ndihma financiare, gjithashtu falënderojmë edhe Unionin e Imamëve që na kanë përkrahur dhe na kanë afruar ndihmën e tyre shpirtërore, por edhe nëse është nevoja edhe financiare. Pra, një falënderim i madh shkon tek të gjithë që janë solidarizuar me ne edhe shpirtërisht.Në oborrin e xhamisë shihen firma pastrimi, që po përpiqen ta bëjnë atë gati për besimtarët, kurse ne me përshëndetje miqësore,u ndamë nga kryetari dhe imami i kësaj xhamie. (Teksti dhe fotot Dashnim HEBIBI, dialogplus, presheva.com)