SHPËRNDAJE

“I gjithë presioni është te ne kundër Suedisë”, kështu ka thënë Low pas humbjes 1-0 nga Meksika, sipas të cilit ‘nuk ishte dita e Gjermanisë’.
Kampioni e ka nisur me humbje Botërorin e Rusisë, pasi e mposhti 1-0 Meksika, duke ia vështirësuar tani punët në Grupin F, ku ndeshjen e radhës e ka me Suedinë, ndërsa e mbyll fazën e grupeve me Koren e Jugut.

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, është shprehur i dëshpëruar pas humbjes nga Meksika, duke thënë thjesht “topi nuk donte të hynte brenda”.

Ai e ka pranuar se kundër Suedisë do të jenë në presion, pasi u duhet patjetër fitorja nëse duan ta kalojnë grupin.

“Në pjesën e parë luajtëm shumë keq. Nuk ishim në gjendje të aplikojmë lojën tonë sulmuese apo edhe nuk e qarkulluam mirë topin. Në pjesën e dytë bëmë më shumë presion, por Meksika gjithashtu u zmbraps”, tha Low.

“Kishim disa gjuajtje në drejtim të portës, por në një apo tjetër mënyrë, dukej sikur topi s’donte të hyjë në portë”.

“Të gjithë jemi të zhgënjyer dhe kokë ulur. Duhet të shikojmë para, e ta lëmë këtë prapa”, shtoi Low.

Low, që me Gjermaninë triumfoi në vitin 2014 në Brazil, e pranoi se ndeshja me Suedinë është për jetë a vdekje për Kampionët.

“Duhet ta fitojmë ndeshjen e radhës, kjo as që diskutohet. Presioni është i gjithi mbi ne kundër Suedisë”, theksoi mes tjerash, Joachim Low.