SHPËRNDAJE

Dy përfaqësuesit e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) që kanë fituar votat për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe Riza Halimi, akoma nuk kanë marrë ndonjë ftesë për hyrë në  koalicionin qeverisës me partinë e Aleksandër Vuçiqit, Partinë Përparimtare Serbe. Por, pavarësisht nëse do të jenë  pjesë e koalicionit qeverisës apo jo, dy shqiptarët e legjislativit të Serbisë thonë  se do të angazhohen në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe sigurimi i përfaqësimit  adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, shkruan Zëri.

Sa jeni të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve?

Sh. Kamberi: Bazuar në rezultatin e arritur prej dy mandateve, sfidën e madhe me të cilën jemi ballafaquar në këto zgjedhje, si e vetmja parti shqiptare e Luginës së Preshevës, që ka participuar në procesin zgjedhor dhe faktin se është hera e parë që nga themelimi i PVD-së më 1990 të kemi të mandatuar dy deputet, mund të them se rezultati i arritur është mëse i kënaqshëm. 

Për rezultatin e arritur duhet të falënderoj përzemërsisht jo vetëm elektoratin tonë, por, edhe elektoratin e partive tjera shqiptare në Luginë të Preshevës, i cili ka përkrahë listën e PVD-së në zgjedhjet e 16 marsit. Natyrisht, nuk mund të lë pa falënderuar edhe kryeministrin e Kosovës, z. Hashim Thaçi i cili me deklaratën përkrahëse, të dhënë një ditë para ditës së zgjedhjeve, i ka dhënë imput plotësues elektoratit shqiptar, prefektin e Gjilanit z. Lutfi Haziri, qeverinë e Shqipërisë dhe Ambasadën shqiptare në Beograd e cila poashtu ka përkrahur PVD-në në këtë sfidë, por, edhe përfaqësuesit e institucioneve relevante ndërkombëtare, të cilat vendimin e PVD-së për pjesmarrje në këto zgjedhje e kanë cilësuar “të guximshëm”.

A do të bëni koalicion me partinë e kryeministrit të ardhshëm të Serbisë?

Sh. Kamberi: Në këto momente kur ende nuk janë shpallur rezultatet zyrtare nga Komisioni qendrorë, ne ende nuk kemi asnjë ftëse nga cilado parti për të biseduar rreth pjesmarrjs tonë në koalicionet qeveritare.

 

Nëse po cilat do të jenë kërkesat tuaja në aspektin e politikave qeveritare?

Sh. Kamberi: Objektivi jonë kryesorë i pjesmarrjes në këto zgjedhje është që edhe përmes kësaj forme të angazhimit politik në nivelin parlamentarë të ndikojmë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Sigurisht që kërkesa jonë kryesore që do të shtrohet para qeverisë së re është sigurimi i përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore (gjyqësorë, polici, inspeksionet republikane, doganë etj), përmirësimi i gjendjes në arsim, me gjetjen e zgjidhjes adekuate për furnizim me tekste mësimore bashkëkohore të shkollave shqipe. Përgjithësisht të gjitha ato kërkesa që ne edhe vitin e kaluar ia kemi shtruar qeverisë aktuale, e që dalin nga Platforma e masave urgjente të ndara në shtatë fusha.

 

A do të kërkoni ta merrni postin e ndonjë ministri apo zëvendësministri?

Sh. Kamberi: Ashtu siç e thashë më parë, objektivi jonë prioritarë është të kemi shqiptarë të përfaqësuar në institucionet shtetërore që veprojnë në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sikurse edhe përfaqësimi jonë adekuat në sistemin e gjyqësorit. Në këtë moment, kur ende nuk kemi ndonjë ofertë konkrete është herët të diskutohet për pjesmarrjen tonë me poste konkrete në qeveri. Sido që të jetë, vendimin përfundimtarë do ta marrim në kryesinë tonë, por, natyrisht pas konsultimeve adekuate që do të bëjmë edhe me miqtë tanë.

 

A do të kërkoni ta drejtoni Trupin Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?

 Sh. Kamberi: Ajo që do të kërkojmë nga trupi koordinues është që ai të fillojë  edhe realisht ta luajë rolin  për të cilin edhe është themeluar. Të realizojë ato objektiva nga sferat e ndryshme jetësore, të përcaktuara që më 2001. Është mendimi im personal, por, nuk mendoj se ne duhet të kërkojmë të udhëheqim Trupin koordinues, pasi që mendojmë se këtë institucion duhet ta udhëheqë dikush që ka përkrahjen e majaftueshme politike nga kryeministri i ardhshëm. Ne do të kërkojmë që Trupi koordinues, misioni i të cilit është edhe krijimi i kushteve për përfaqësimin adekuat të shqiptyarëve në institucionet shtetërore, së pari vet të shprehë politikën integruese, pasi që në këto momente, prej 27 të punësuarëve, në kuadër të tij gjenden vetëm dy shqiptarë. 

 

Cfarë ndikimi do të ketë për Luginën hyrja juaj në qeveri (nëse ndodhë)?

Sh. Kamberi:  krijimi i kushteve për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në organet shtetërore të nivelit lokal dhe rajonal, arritja e sjelljes së investitorëve të huaj në komunat tona dhe ndihma që duhet dhënë biznesit lokal përmes granteve të veçanta me qëllimin përfundimtar të krijimit të veneve të punës dhe krijimit të perspektivës për të rinjtë tanë, eliminimi i gjitha formave të diskriminimit institucional që janë prezente dhe masat nga Plani jonë shtatë pikësh do të dëshiroja të behën realitet si rezultat i participimit tonë në këto zgjehdje.

 

Cili do të jetë pozicioni juaj karshi njohjes së Kosovës?

Sh. Kamberi: Jemi në qeveri osë jashtë saj, qëndrimi i PVD-së nuk ndryshon: Kosova është shtet i veçantë me kufijtë e përcaktuar dhe i njohur nga fuqitë kryesore të botës. Poashtu besojmë se njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është element i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes afatgjate në Ballkan.