SHPËRNDAJE

Kompjuterë, serverë e dokumente të ndryshme janë konfiskuar në shtëpitë e katër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb. Inspektorati i Policisë së Kosovës ka arrestuar të martën policët e dyshuar për përfshirje në veprën penale të dhënies së informacioneve të paautorizuara. Policët nga stacioni Shtërpcës, dyshohet se kanë bartur informacione në drejtim të autoriteteve të Serbisë.

Kurse të martën pas batisjeve të shtëpive të tyre janë konfiskuar shumë materiale të ndryshme.Tribuna ka kuptuar se dy prej tyre janë me gradën rreshterë e dy të tjerët policë. Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës konfirmon për Tribunën se hetimet ndaj tyre kanë nisur në dhjetorin e vitit të kaluar. Arrestimi i tyre është kryer nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ROSU. Ata janë dërguar në stacionin policor në Ferizaj për t’u marrë në pyetje.

Ndërkohë, mediet serbe kanë raportuar se të arrestuarit në Shtërpcë janë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Dejan Stevanoviq, Radisha Jovanoviq, Dragan Markoviq dhe Dejan Dorgoviq, të gjithë të angazhuar në njësitin hetimor të stacionit policor të kësaj qyteze. Shtëpitë e të gjithë të arrestuarve, sipas medieve të Beogradit, janë bastisur. Policia ka ndërmarrë aksionin që në orën 5 e 30 minuta të mëngjesit të së martës, me ç’rast i kishte prezantuar autorizimin për bastisje..