SHPËRNDAJE

Protesta e opozitës, e cila nisi në orën 18:00 është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare.

“Daily mail” është ndër mediat që e ka pasqyruar atë hap pas hapi.

Shkrimi i plotë

Partitë opozitare shqiptare u mblodhën të shtunën në Tiranë, duke bërë thirrje që qeveria socialiste të japë dorëheqjen dhe që vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Disa u përpoqën të sulmonin ndërtesën e parlamentit, por policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe me kanalet e ujit.

Mijëra mbështetës të opozitës nga mbarë vendi u shfaqën në Bulevradin “Dëshmorët e Kombit”, që mbanin postera dhe sllogane antiqeveritare, duke hedhur fishekzjarre dhe lëndë të tjera piroteknike ndaj policisë.

Protestuesit thyen kordonin e policisë në hyrjen kryesore të Kryeministrisë, por nuk u përpoqën të hapnin dyert e saj. Policia nuk e përdori gazin lotsjellës në Kryeministri, por e përdori atë kur demonstruesit u përpoqën të sulmonin Parlamentin.

Demonstruesit qëndruan më shumë se dy orë para Parlamentit duke hedhur vazhdimisht objekte të vështira dhe fishekzjarre. Në një makinë që ishte parkuar afër Parlamentit, iu vu zjarri. Policia u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë të qetë, por më pas nisën hedhjen e gazit lotsjellës.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj denoncoi sulmet ndaj policisë, duke thënë se pesë policë u plagosën. Disa demonstrues dhe disa gazetarë u prekën gjithashtu nga gaz lotsjellës.

Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike akuzon qeverinë e Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama, se janë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, të cilin qeveria e mohon.

Kreu i Demokratëve, Lulzim Basha, bëri thirrje për një kabinet tranzitor pa Rama kryeministër, në mënyrë që të mbahen zgjedhje të reja.

“Shkon përtej nevojës urgjente një rotacion i menjëhershëm politik”,- tha Basha.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të vazhdojnë protestat e përditshme.

Ndërsa Rama, i cili është në një udhëtim jashtë vendit, shprehu keqardhje për sulmet ndaj policisë, duke reaguar në faqen e tij në Tëitter, ku shkruante se policia:

“Duhet të përballet me tejkalimet fizike të një politike të dëshpëruar”.

Në protesta që nga mesi i shkurtit, mbështetësit e opozitës janë përpjekur vazhdimisht të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të Kryeministrisë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe me kanalet e ujit.

Protesta e mbrëmjes së djeshme u mbyll pas më shumë se 4 orësh protestë në shehsin para Kryeministrisë dhe atë para Parlamentit.

Ligjvënësit e opozitës kanë hequr dorë nga vendet e tyre në parlament. Ndonëse disa vende të lira janë marrë nga kandidatët e tjerë të opozitës, socialistët drejtues kanë 74 vende në parlamentin me 140 vende.

Në qershor, Shqipëria pret një përgjigje nga Bashkimi Europian nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit të plotë dhe të mbajnë zgjedhje bashkiake.