SHPËRNDAJE

 
Më në fund, e përcollëm edhe vitin e pesëmbëdhjetë të këtij shekulli dhe sapo kemi shkelur në të gjashtëmbëdhjetin. Nga sa po shihet, as ky s’ po vjen me lajme të mira. Kushdo që hapë një televizor apo gazetë shqiptare, prapa rubrikave të tyre shquan mburrka, kërcnime, marrëveshje, alishverishe dhe një luftë të pandërprerë për plaçkë zyrtare. Të dy partitë që e kanë zaptuar Parlamentin e Prishtinës po shiten si demokratike, por të gjithë po e dimëse si njëra, ashtu dhe tjetra, janë shndërruar në forcademo(n)kratike dhe ka kohë që e kanë harruar elektoratin e tyre. Se t’e ishte e kundërta, ky karnaval do përfundonte me ikjen e Serbisë nga Kosova.
Në pikën e nëntë të “Dekalogut”, Mit’hat Frashëri i ndjerë, prijësi i Ballit Kombëtar,shkruante:
“Të luftojmë për t’ i harmonizuar e bashkuar energjitë e kombit, për ta arritur bashkimin mendor e shpirtëror të shqiptarëve.”
Ashtu si dhe i jati, Mit’hati ishte një atdhetar i sinqertë. Ai u rrit nën hijen e një atdhedashurie që ka mbetur e paprekur në piedestalin e kulturës shqiptare. Ai ishte nip i Naim Frashërit të madh, babait të poezisë shqiptare; ai ishte nip i Sami Frashërit të madh, njërit nga dijetarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane; ai ishte biri i Abdyl Frashërit të madh, themeluesit të Lidhjes së Prizrenit dhe flamurtarit të aspiratave tona kombëtare. Ai ishte dhe një erudit i madh. Nga përvoja që kishte fituar si nëpunës, gazetar, shkrimtar, ideolog dhe mbrojtës i çeshtjes kombëtare, Mit’hati e dinte se shoqëria shqiptare, pas robërisë së gjatë turke, ishte katandisur në një injorancë të dhunshme dhe politikën e saj s’ e bënin shqiptarët, por turkofilët, grekofilët, sllavofilët, bejlerët, tregtarët, spekullantët dhe dallkaukët e të gjitha ngjyrnave, të cilët, jo vetëm që e pengonin evolucionin e shoqërisë shqiptare, por ishin të gatshëm ta prishin edhe një herë. Rrjedhimisht, porositë e rilindasit tonë nuk duhen këputur nga konteksti, sepse janë sintezë e një studimi të gjatë të mentalitetit shqiptar.Përndryshe, ai s’ do të merte mund ta porosiste popullin e tij – t’ iu ruhet servilëve, dallkaukëve e antipatriotëveinjorantë.
Mit’hat Frashëri jetoi në një kohë kur Shqipëria Etnike gjendej në një udhëkryq të madh dhe duhej – një herë e përgjithmonë – ta zgjidhte rrugën e saj. Mit’hati donte që Shqipëria e tij të lidhej me Perendimin, Enveri dhe dropullitët e tij donin të kundërtën. Mit’hati synonte qeverisjen demokratike, Enveri dhe dropullitët e tij synonin Diktaturën e Proletariatit. Dhe kështu ndodhi që prijësit shqiptarë, në vend se ta bashkonin, ata e bënë pikë e pasë dhe u rrasën në vorbullën e një vetvrasjeje vullnetare. Në vend se të luftonin për një Shqipëri të Lirë e Demokratike, ata i rrokën armët dhe, duke i mashtruar edhe kosovarët e ngratë, e shliruan Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi, ndërsa vëllezërit e tyre i lanë në robëri. Ky copëtim i Shqipërisë nuk u bë me dëshirën e shqiptarëve, por me dëshirën e dallkaukëve shqiptarë, të cilët, për t’ ua bërë qejfin vëllezërve sllavë, ua falën gjysmën e atdheut të tyre. Në defteret e asaj hordhie, shqiptarët vinin në vendin e dymbdhjetë, menjëherë pas evgjitëve të Durrësit dhe Sarandës. Radha e popujve më të fisëm se ne ishte e gjatë. Në vendin e parë vinin rusët, pastaj serbët, kroatët, sllovenët,bosnjakët,malaziasit, bullgarët e Maqedonisë, grekët,vllehët, ”gollobërdasit”, evgjitët dhe – në fund – shqiptarët.
Aspirata e vetme e asaj shtrese dhe pasardhësve të saj – në të cilën hyjnë edhe ata që e kanë zaptuar Parlamentin e Kosovës, ministritë, dekanatet si dhe bashkitë e ndryshme – ka qenë dhe do të mbetet ”kolltuku”. Ashtu ishte gjatë kohës së Enverit, ashtu ishte gjatë kohës së Ramizit, ashtu vazhdoi dhe gjatë kohës së Fatosit…Me këto synime dhe me këtë filozofi, dallkaukët tonë e lanë atdheun e tyre 100 vjet prapa… Përndryshe, gazdallarët e tyre serbë nuk do guxonin të bënin siç po bëjnë nëpër pikat kufitare… Përndryshe, preshevarët e bujanocasit e cegjël nuk do të rrinin pa libra… Në një kohë kur edhe bushmenët e Afrikës Qendrore po themelojnë formacione shtetërore, dallkaukët shqiptarë po vazhdojnë ta konsiderojnë 29 Nëntorin si ditë të Çlirimit të Shqipërisë. Kjo dëshmon qartë që ata, edhe pse kanë futur ndonjë diplomë në xhep, ato i kanë blerë me marka dhe kurrë s’ e kanë shfletuar librin e Petro Markos ”Retë dhe Gurët”… Prore vazhdojnë të enden nëçardakun e përrallave mesjetare serbe. As në qiell, as në tokë…
Duke i parë allishverishet e Fuqive tëMëdha,Mit’hat Frashëri ishte i mendimit se harmonizimi i energjive të Kombit është njëra nga detyrat madhore të popullit shqiptar. Edhe pse vdiq herët – pak vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore – shqiptarët e vërtetë e ruajtën amanetin e tij dhe, përkundër shtypjes që ushtrohej në Jugosllavi, i harmonizuan energjitë e tyre për një shlirim kombëtar. Të gjitha përpjekjet e tyre, që nga agu i viteve 50-të e deri te shpallja e Republikës së Kosovës, kanë qenë në shërbim të porosive që u patën lëneë rilindasit shqiptarë.
Mjerisht, edhe pas rënies së Diktaturës Proletare, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, nuk u shliruan nga prezenca e dallkaukëve dhe matrapazëve shqiptarë. Jo më shumë se brenda natës, bijt e ish komunistëve, grekofilëve e sllavofilëve shqiptarë, i ndërruan kostumet dhe u bënë demokratë. Prapë për hir të kolltuqeve. Si ata të Tiranës, ashtu dhe ata të Prishtinës. Ҫ’ është e drejta, Shqipëria Etnike kurrë s’ kanë patur kaq sllavofilë e grekofilë setani. Në një kohë kur përfaqsuesit më të shëndoshë të shoqërisë shqiptare bëjnë çmos që të ikin nga vendlindja e tyre, me shpresa se mërgimi do t’ ua jap ate që s’ po ua jep vendlindja, aspiratat e popullit të ngratë po katandisen njëra pas tjetrës në fund të detit dhe njeriu e pyet veten cilës kategori njerëzore i takojnë këta zotërinj që kanë dalë në ballë të kombit. A janë demokratë apo demo(n)kratë?
Meqë gabova dhe thash se sot, të dy pashalluqet shqiptare janë plot e përplot me dallkaukë e matrapazë, po marrë guxim të shtoj se ky cirk nuk është aq i ri sa mendojnë disa djem të rinj e politikanë të sinqertë. Kjo shtresë e shoqërisë shqiptare, që ka parazituar dhe paraziton me dekada,nuk e ka ndër mend të largohet nga politika shqiptare deri në vitin 2100. Kjo është më e regjur se ata axhaminjtë e sinqertë që po përpiqen ta përzënë nga Parlamenti dhe kurrëqysh s’ po ia dalin qëllimit të tyre.
Gjatë qëndrimit tim të gjatë në Evropën Perendimore kam patur rast të shkoj në shumë mbledhjee demonstrata të”bujshme”për të cilat shkruanin edhe ”korrespodentët” e jashtëm. Jo dhe aq për ta informuar popullin shqiptar për ato që ndodhin jashtë, sa për ta pavdekësuar veprimtarinë e tyre në faqet e atij ”facebook-ut” të famshëm, pa praninë e të cilit s’ po rrojnë dot as inuitët e Grönlandës. N’ ato mbledhje kam parë lloj lloj gërzhaqësh dhe kam dëgjuar lloj lloj marrëzish. Megjithate, ato që më kanë lënë mbresa më të thella se çdo gjë tjetër janë – ligjëratat e ”demo(n)kratëve shqiptarë, të cilët, në mungesë të skenave më të mëdha, i shfrytëzonin ato për të bërë ”politikë të madhe” dhe për ta luftuar Ibrahgim Rugovën. Në mezin e tyre s’ kishte vetëm kapsamunatë ish Lëvizje Popullore,që atëbotë përbëhej nga shtatë a tetë sekte, të gjitha të egra e mburracake, të gjitha agresive si sektet e soçme të Sirisë e Irakut, por edhe hajna, narkodilerë e politikanë që kurrë s’ e kanë luajtur një gurë për hallet e popullit shqiptar. Në mesin e tyre s’ kishte vetëm emisarë të Ambasadës Shqiptare, por edhe mistreca shqiptaro – bosnjakë, që para ”revolucionit të vonuar” endeshin shtëpi më shtëpi me Skender Gjinushin e Fatos Nanon… Kishte kontrabandisë që tani po “dergjen” nëpër burgje e Suedisë, Norvegjisë e Sllovakisë për shitje të drogës… Kishte patriotë që me zell të madh i zbraznin fondet e dhe ne – shqiptarët e trashë – i dëgjonim si besimtarë të devotshëm, gojëhapur, thua se ata hajna s’ na i kishte dërguar UDB-a, por na kishin zbritur drejt e nga parajza e të Madhit Zot. Na recitonin ata këngë popullore, thus se kishin mbaruar shkolla të larta të dramës, dhe ne i dëgjonim… Foli Ҫerçizi me gojë… Leri djemt e mi të shkojnë… Se ç’ lidhje kishte Ҫerçiz Topulli me ata poetë e matrapazë, që vidhnin vardhe, vidhnin këngë e rrisnin mjekrra për të na u shitur si atdhetarë – është çeshtje që askush s’ e kishte të qartë. Kishte lloj lloj hajlazash që na flliqnin çdo mbrëmje përkujtimore… Dhe ne, në vend se t’i nxirnim fyshek përjashta, për hatër të popullit, bëheshim pjesëmarrës të disa karnavaleve që na i kurdisnin disa tregtarë të flamujve.
Ca ditë më parë, duke e shfletuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, mësova diçka të re mbi lingvistin gjerman Falmayer. Filip Falmayeri, gjuhtar, historian, bizantinist, publicist dhe anëtar i Akademisë së Bavarisë, duke folur për prejardhjen e popullit grek, ”gabimisht” kishte thënë se helenët e sotëm nuk kanë gjë të përbashkët me ata të vjetrit që ne i quajmë helenë të lashtë dhe se ata janë një përzjerje e vllehve me me sllavë, arbëreshë e arumunë.
Kjo më nxiti edhe një herë ta shfletoj librin e tre shkrimtareve danez Lund, Pihl e Slök ”Historiaideve e dieve evropjane” ku, përpos studimeve që iu kushtohen shkollave filozofike, është edhe një kapitull i gjatë mbi ideologët e tyre si Isokrati, Sokrati, Platoni e Aristoteli. Autorët, përpos tjerash, na njoftojnë se politika, ashtu siç e kuptonin grekët e lashtë, ishte shkenca mbi shtetin dhe qeverisjen e tij. S’ ka dyshim se ky koncept ka ndryshuar me kohën, por jo si produkt i një definicioni të gabuar filozofik, por si rezultat i konflikteve që më vonë do t’ i mbërthejnë qytetet e lashta greke. Nëse s’ gabohem, kohë më parë, duke shkruar mbi rolin e një qeveritarit, e pata cekur se grekët e lashtëkishin koncepte të qarta se kush duhej të merrej me qeverisjen e një vendi dhe kush duhet të rrinte para ”qerres”. Edhe pse ishin në konflikte të përhershme me njëri tjetrin, ata i nderonin qeveritarët e aftë dhe i trajtonin si të paprekshëm. Dhe kjo është e kuptueshme, se nga ajo përvojë dolën ligjvënës si Soloni, Demosteni, Perikliu e shumë të tjerë.
Për dallim nga grekët e lashtë, që i ndanin detyrat sipas diturive që kishin përvehtësuar,politikën e soçme shqiptare po e bëjnë studentët e dështuar, zanatllinjtë, mafiozët, spekullantët dhe pasardhësit e ish funkcionarëve të vjetër titistë e enveristë. Ka dhe shtresa tjera, por unë s’po e shoh të nevojshme t’ i numëroj me radhë, se mjaftojnë edhe me kaq. Këta përfaqsues të patologjisë moderne, këta dallkaukë, që s’ i lexonin as veprat e Enver Hoxhës, edhe pse veten dajma e kanë quajtur marksistë leninistë, do të duronin për bukë sikur të mos ishte Zyra e Mirëqenies Sociale në Zvicër, Gjermani e Suedi. Paçka se, sapo depërtuan në radhët e popullit dhe blenë nga një ”laptop” të vjedhur, të gjithë u bënë doktorë, filozofë, gazetarë, anëtarë të Akademisë së Shkencave Suedeze, poetë dhe vizionarë të mëdhenj. Për të qenë tragjedia edhe më e madhe, atdhetarizma e tyre ishte aq e tejdukshme, saqë çdo shqiptar e kuptonte se atyre s’ u hante palla as për Kosovë, as për Shqipëri. Janë ata matrapazë të hotel Tiranës e hotel Rognerit që dje i përvehtësuan aspiratat e heronjve të Kosovës ndërsa sot po tregtojnë me gjakun e tyre.
Pas asaj që thashmë sipër, shtrohet pyetja: Kush po e formon opinionin te ne dhe kur do të marrë fund kjo hallakamë që e ka përfshirë Shqipërinë e Natyrshme?
Gjykuar nga deklaratat e politikanëve tanë, punët tona po ecin për marak. Mjafton që sypetritat tanë i kanë zënë kolltuqet dhe – në stilin e kolegëve evropjanë – e lëshojnë ndonjë sqarim apo deklaratë në ”faqet” e tyre– dhe me kaq janë larë me votuesit e tyre. Punë e madhe se papunësia është mastodontale. Punë e madhe se me qindra e mijëra të rinj po ikin nga vendi. Punë e madhe se edhe sot, 16 vjet pas përfundimit të luftës, fati i qindra burrave e grave shqiptare nuk dihet. Punë e madhe se populli i tyre zbriti në Hades dhe përjetoi trauma që s’ dëftohen me gojë. Mjafton që herë pas here ta shkruajnë ndonjë koment në ”facebook” dhe tezat e tyre t’ia veshin kësaj apo asaj ministreshe të popujv evropjanë.
Prapa asaj fushate tëmatrapazëve tanë nuk fshihet vetëm bishti i një inferioriteti autentik por edhe dëshira e flakët që të zbardhën nën hijen e pushtetit të madh. Të marrësh e t’ i pyetësh sa prej tyre kanë studjuar shkencat politike, del se të gjithë, që nga qeveritarët e deri te truprojet e tyre, janë derbedenë dhe funkcionojnë me ndihmën e këshilltarëve të tyre. Pa ata këshilltarë? Ata mbase janë pakë më të ditur por zori i nxitë t’ u thonë derrave – dajë. Të marrësh e t’ i pyetësh ata gazetarët e famshëm, që gjoja kanë praktikuar edhe në Suedi, Norvegji e Gjermani, del se të gjithë, me përjashtim të ndonjërit që e ka blerë diplomën në Tiranë, nuk ia kanë dalë ta mbarojnë as gjimnazin e mbrëmjes dhe dituritë e tyre mbi shoqërinë evropjane janë burnut.
Tmerri i dallkaukëve tanë është – sinqeriteti. Ata, kudo që i cakton populli, si kryetar të bashkive apo si kryetarë të Parlamentit, nuk e ndiejnë veten rehat, se janë të ndërgjegjshëm që janë uzurpues dhe të padenjë për vendet që kanë zaptuar. Ata ulen rehat – rehat në kolltuqet e tyre dhe s’ kanë qejf t’ ua kujtosh kohën kur ishin të rëndomtë dhe jetonin nga dy rrogat që merrnin: njerën nga Zyra e Mirëqenies Sociale, dhe tjetrën nga populli i tyre.Sikur të kishin pak ndërgjegje, ata vetë duhej t’e iknin nga kolltuqet që kanë zaptuar – dhe duke ikur rrugës – t’ iu kërkojnë falje shqiptarëve të varfër.
U bënë shumë muaj që shqiptarët, si ata që kanë qëlluar në Shqipëri, ashtu dhe ata që kanë qëlluar në Kosovë, janë katandisur në cep të xingonës. As janë që rrijnë, as janë që arratisen. Nëse arratisen, siç bënë vitin e kaluar, i pret dimri, sëmundjet ngjitëse, varfëria dhe ai refuzimi i mallkuar që nuk po i përfshinë arabët, somaliasit apo afganët. Nëse rrijnë, siç e meritojnë si qytetarë të vendlindjes, po i mbytë papunësia, varfëria dhe mjerimi socialo-politik. Lexo sa të duash, se askund, në asnjërën nga ato deklaratat e politikanëve shqiptarë, nuk ballafaqohesh me një keqardhje apo shqetësim për hallin e tyre… Dhe i vjen keq njeriut për ata vëllezër e motra që s’ kanë as aq të ardhura sa ta blejnë bukën e përditshme, jo më ta pagujnë mjek privat apo të vishen si politikanët e tyre.
Mit’hat Frashëri iku dhe nuk kthehet më. Por ai na ka lënë një program të thjeshtë, të cilin e kupton çdo shqiptar, dhe njëra nga pikat e tij më të rëndësishme është – të luftojmë për t’ i bashkuar dhe harmonizuar energjitë e kombit. Nëse Parlamenti i Tiranës dhe ai i Prishtinës nuk e realizojnë bashkimin mendor dhe shpirtëror të shqiptarvet, e tërë djersa dhe gjaku që kanë derdhur të parët tanë do shndërohet në një dështim absurd, të cilën s’ do na falin as ata që e viktimosën veten për neve, as ata që do vijnë më vonë.

Shkruan: Ramadan Rexhepi