SHPËRNDAJE

DeBiasi

‘Në Itali kërkojnë të gjithë emra të mëdhenj, por jo të gjithë janë Guardiola. Unë sot kam një komb që më mbështet dhe do t’ju befasojmë sërish’
Kështu e nis Gianni De Biazi intervistën për të përditshmen italiane La Repubblica.

Kjo është intervista e plotë e trajnerit të Kombëtares shqiptare

De Biazi, po kaloni momente të paharrueshme, apo jo?

Viti 2015 ka qenë magjik. Në fillim nënshtetësia, më pas “Honoris Causa” dhe në fund titulli “Nderi i Kombit”, që te ne është i barasvlershëm me “Urdhrin e Kavalierit”. Na priti kryeministri dhe Presidenti i Republikës. Emrat tanë do të shkruhen në një pllakë të artë në stadiumin e ri që do të ndërtohet në Tiranë. Dhe pas gjithë këtyre vlerësimeve e kupton se ke mbi shpatulla një popull të tërë.

Është një fitore që vlen për të gjithë Shqipërinë?

Është një shembull për të rinjtë që mund të mësojnë të luftojnë me durim pa u stepur. Shqipëria është një vend që ka qenë tejet i izoluar dhe pjesëmarrja në Evropian është edhe një formë integrimi në Perëndim. Kryeministri Rama tha se klasa politike duhet të mësojë të sillet si ekipi kombëtar.

Cili është imazhi që të është fiksuar në kokë pas festimeve?

Gjatë rrugës shumë persona më përshëndesnin duke vendosur dorën në zemër dhe duke më thënë “respekt”. Më quajnë “profesori”. Mallëngjehem dhe kjo më jep një shtysë të jashtëzakonshme për të punuar.

Ju kishte ndodhur më parë një gjë e tillë?

Pak më parë i pata dërguar një mesazh Urbano Kairos, ish-presidenti tim te Torino. I thashë se situata po më dukej e njëjtë me atë kur mundëm Mantovën dhe ngjitëm Torinon në Serinë A në 2006-ën. Por atje kisha mbi shpatulla vetëm tifozët e Torinos, ndërsa këtu një popull të tërë. Është ndjesi e bukur në fakt, sepse ka aq shumë shqiptarë nëpër Evropë, saqë në çdo stadium ku luajmë më duket sikur jemi në shtëpinë tonë.

Cili është objektivi në Evropian?

Nëse do të kalonim grupin, atëherë do të ishte një hap i jashtëzakonshëm, por të mos e teprojmë me fantazinë. Më parë duhet të presim shortin dhe pastaj flasim.

Në cilin aspekt ju është dashur të punonit më shumë gjatë këtyre viteve me skuadrën shqiptare?

Lojtarët shqiptarë kanë tendencën që, pasi kalojnë objektiva afatmesëm, pushojnë… Në këtë mënyrë rrezikojnë që të mos arrijnë objektivin përfundimtar. Por janë shumë të përkushtuar dhe shumë patriotë: nëse djeg një flamur shqiptar, të hidhen përsipër. Nëse kjo ndodh në Itali, ne blejmë një tjetër…

Në fakt, ndeshjet me Serbinë ishin shumë të tensionuara…

Po, e vërtetë, por ndeshja e kthimit në Shqipëri shkoi për mrekulli. Mëkat që humbëm. Ishte kryendeshja e edicionit për ne. Por ishte thelbësore që të mos kishte trazira, dhe nuk pati. Ishim nën vëzhgimin e rreptë të UEFA-s dhe shqiptarët treguan se nuk mbajnë mëri dhe se e meritojnë të hyjnë në Evropë.

Keni kritikuar ata që ju tallnin kur morët një kombëtare, por tani ju jeni në festë…

Kur debutova me Kombëtaren në ndeshjen kundër Gjeorgjisë në vitin 2012, për të motivuar ekipin u shkrova një letër lojtarëve. U pata thënë se nëse do të më ndiqnin besnikërisht dhe nëse do të besonin shumë tek ëndrra e tyre, atëherë do të realizonin objektivin. Ishte çmenduri të mendoje se në një grup me Portugalinë, Serbinë dhe Danimarkën të mund të kualifikoheshe direkt, por ne ia dolëm. Kur letra u publikua, shikoja në televizor fytyra gjysmë të qeshura në debate televizive. Kam një memorie prej elefanti unë, nuk harroj kurrë…

A është kjo një hakmarrje edhe për ata që nuk patën besim te ju në Itali?

Keqardhja ime e vetme është Udineze. Kurrë nuk kisha stërvitur një skuadër kaq afër shtëpisë, afro 80 kilometra, dhe nuk më kuptuan thuajse asnjëherë. Në Itali klubet e mëdha parapëlqejnë emra të mëdhenj, pavarësisht arritjeve apo se sa kompetent është. Por nuk janë të gjithë Guardiola. Napoli, për shembull, ka bërë një zgjedhje të zgjuar me Sarrin, sepse ai është vërtet një zanatçi i futbollit.

Sa shqiptar ndiheni?

Nuk e kam mësuar kurrë gjuhën, sepse është tejet e ndërlikuar. Alfabeti ka 36 shkronja dhe është një përzierje mes shqipes, turqishtes dhe serbishtes. Ndihem shqiptar në masën që më lejon të bëhem pjesë e rrethanave ku ndodhem dhe të jap më të mirën time. Nëse nuk përjetoj emocionet e duhura, nuk arrij të kem rezultate pozitive.

Do ta festoni gjithë këtë arritje?

Nuk jam ndalur akoma. Sot kam një tjetër impenjim: një kurs komunikimi në Trieste. Nuk dua ta humb. Do të shkoj atje bashkë me gruan time, edhe pse jam i dërrmuar si një dardhë e qullët. Jam i dërrmuar, por i lumtur.