SHPËRNDAJE

 

Do ta nis këtë tregim, o lexues të nderuar, n’ emër të Allahut, Mëshirëbërësit tonë Fuqiplotë, duke ju uruar paqë e harmoni të gjithëve me radhë. Si juve që jetoni në Kosovë, ashtu dhe atyre që jetojnë në trevat e shkëputura prej saj.
Ca ditë më parë, deri sa po lexoja vargun pesëdhjetë e dy të Kapitullit Suret ul Hud, se si m’u çfaqët përpara dhe thash me zë të lartë:
” O, vëllezër shqiptarë! Kërkoni falje prej të Madhit Zot, se vetëm ai ju shpëton nga sherbëtorët e Serbisë. Mos ia vëni veshin Ramushit apo Hashimit, se ata pak mërziten për hallet tuaja. Ata e kanë byrekun të shtruar dhe s’ kanë çare pa ju hequr për hunde, se ashtu i kanë premtuar Udbës. Po gabuan dhe e luajtën bishtin, menjëherë i thërret ajo docentja e kategorisë së rëndë, sinjora Mogerini, dhe ua ngreh veshët siç na i ngrihte neve zotëri Mustafa. Ndiqeni arsyen e shëndoshë dhe mbani qëndrim, se herëdo – kurdo, Serbia do të mërzitet me neve dhe t’ ikë përtej Nishit. Mbani qëndrim siç keni mbajtur, se qëndrimi i drejtë e vret armikun. Kjo është një këshillë për ata që akoma s’ janë shurdhuar.”
Ashtu thash dhe dola në ballkon për ta ndezur një cigare. Shyqyr që jam te shtëpia, thash pastaj, se kam rënë në hall me vickat e Evropës Demokratike që, një anë, na dëfton përralla për të drejtat dhe liritë e njeriut e, n’ anën tjetër, s’ na le rehat ta pijmë duhanin tonë. Një vakt, kur ishte më pak demokratike dhe e ndarë në ”lindje” e ”perendim”, uleshim në cilëndo kafe dhe pinim duhan nga 24 orë, pa na thënë kush ”stop” me gojë.
Deri sa po e thithja cigaren, erdhi një melaqe e më tha:
” Ikën edhe krishtlindjet. Wrdhi një vit i ri. Deri në gjysëm të janarit vitrinat ishin të stolisura me kukulla, pemët xixëllonin nga dritat elektrike, kafenetë ishin plot me njerëz dhe rrugët ishin të zbukuruara me bredha të lartë. Tani kanë ardhur maunet dhe po i mbledhin bredhat e thatë. Do t’ i çojnë në Playwood dhe do t’ i bëjnë dërrasa.”
“ Ashtu ndodhë çdo vit,” i thash.
Unë e dua Krishtlindjen. Ndonëse s’ është kremte e jona, më pëlqen që qafirët evropianë, për ta kremtuar atë festë të madhe, presin me mijëra pisha, luten për paqë dhe, me të ikur ditët e saj, i mbledhin në pirgje dhe ua falin fabrikës së dërrasave. Merreni me mend sa pishnaja të gjelbra, sa parajsa të të Madhit Zot, po shndërrohen në dyer, dritare dhe bërllok.
Meqë ra fjala për bërllokun, do t’ u dëftoj se jo të gjithë popujt i presin krishtlindjet me pisha, edhe ate, për tri arsye kryesore. E para arsye është se bredhat janë të pakët dhe njerëzit janë të shumtë. Sikur ta blente çdo njeri nga një bredh, ky dru fisnik do të zhdukej nga rruzulli për katër pesë vjet. E dyta arsye është se bredhat rriten vetëm në pjesën veriore të rruzullit tokësor. Sikur t’ ia nisnin suedezët, norvegjezët, finlandezët e rusët të shisnin bredha edhe në Libi, Tunizi apo Marok, ajo pjesë e Evropës Veriore do të shndërrohej në shkretirë. E treta arsye është se bredhat e pishat janë drunj të ndjeshëm dhe nuk i shtrohen temperaturës së lartë. Pa kaluar shtatë a tetë ditë, ata fillojnë të zhvishen nga petku i tyre ngjyrë smeraldi dhe s’ hyjnë në punë as për t’ i arnuar gardhet.
Nga sa thash më sipër del se një pjesë e Botës së krishterë i pret krishtlindjet me bredha, kurse pjesa tjetër, ajo që gjendet në jug të zonës tropike, krishtlindjet i pret me mandarina, klementina, portokalle apo ndonjë dru të familjes mango. Kështu, për shembull, ganezët, që janë më shumë myslimanë se të krishterë, në vend të pishave përdorin një lis që është i gjatë e i lëmuet si frashëri. Zairasit, që janë të krishterë dhe fukarenj si ne, krishtlindjet i presin nën një mën të trashë, duke hedhur valle e duke ngrënë mëna. Se si priten krishtlindjet në Angola, Botsuana apo Zimbabve, nuk e di, por e di se në Azagan, që gjendet pak më tutje, në lindje të Oqeanisë, krishtlindjet priten nën deegët e një fiku të madh. Ata fiq s’ janë të hollë si shkozat e Caravajkës, por të gjatë e të trashë si lisat e Ballshit. Ju që s’ keni qenë në Shqipëri, duhet të shkoni e t’ i shihni, ndërsa ata që i kanë parë, e kuptojnë se ku e kam hallin.
Këtu në Suedi krishtlindja fillon më ora katër pasdite. Të gjithë anëtarët e familjes, duke filluar nga ajo e fqinjëve të mi e deri te familja e zotit Lövden, ulen në dhomat e pritjes, hanë e pinë ato që ka shtruar zonja e shtëpisë, shikojnë bashkarisht seriale të ndryshëm, i japin peshqeshe njëri tjetrit dhe pendohen për gabimet e bëra.
” Përse duhet të pendohen”, pyesni ju.
Thjesht, se kanë dhembje të ndërgjegjes. Edhe gëzohen, edhe pendohen. Këtë zakon e kanë trashguar nga Juda Iskarioti, njëri nga apostujt e Jezu Krishtit, i cili, pasi e tradhëtoi mësuesin e vet, u pendua aq shumë saqë hipi në degë të fikut dhe bëri vetëvrasje.
S’ ka nevojë t’ ua kujtoj se këtë pasdite ndërgjegjia e vëllezërve të krishterë është e tendosur, sepse në mesin e tyre ka burra që janë ndarë nga gratë e para dhe fëmijët i kanë lënë në kujdesin e burrave të dytë. Ka gra që janë ndarë nga burrat e parë, por s’ pajtohen as me burrat e dytë. Ka pastaj pijanecë që vit për vit i premtojnë familjes se do ta lënë rakinë, por s’ e kanë mbajtur fjalën. Ka dhunues, piromanë, hajna e narkotrafikantë që atë natë ulen me familjet e tyre dhe, në shenjë pajtimi, rishtaz pendohen për prapsitë e moçme. Shumë prej tyre, madje, pasi i venë fëmijët në gjumë, rënkojnë në heshtje që s’ janë si azaganët, të cilët, për të dëshmuar se njëmend janë penduar, ngjiten në degët e fiqëve dhe e varin vetveten. Njësoj si Juda Iskarioti.
“Nga dolën azaganët”, thoni ju.
Nga faqet e internetit, pra. Kushdo që ka një laptop, siç thotë vjehrra ime, mundet të shohë me sytë e vet, se edhe në Azagan Krishtlindja pritet më katër pasdite. Njësoj si në Suedi.
Edhe pse klima është e ngrohtë, azaganët, që nga peshkatarët e varfër e deri te bajraktari i pasur, mblidhen nën hijen e një fiku të madh dhe fillojnë të hanë pula të pjekura, fli, byrekë, mish viçi dhe të pijnë raki bananesh. Duke qenë se s’ kanë televizorë e videokaseta, pasditën s’e shkojnë duke shikuar filma të vizatuar, por duke ngrënë e duke pirë e duke kënduar. Kuptohet vetvetiu se ata që hanë e pinë më së shumti, ndërgjegjen e kanë më të pastër.
Mjerisht, në mesin e tyre ka dhe tradhëtarë, dhunues, pederastë, lezbejka, piromanë, hajna e kriminelë të llojeve të ndryshme, të cilët n’ ato çaste gëzimi pendohen për mëkatet që kanë bërë. Ata nuk mbyllen si komshinjtë e mi për të derdhur lotë e për të rënkuar në heshtje, por atë çast që i zë pija, hipin në degët e fikut dhe aty për aty i japin fund jetës së tyre. Më e mira me ato krishtlindje është se priten me këngë që s’ dinë të pushojnë deri në ditën e nesërme, kur të gjallët i mbledhin të vdekurit dhe me këngë e me valle i përcjellin te varrezat.
Duke i kujtuar azaganët, edhe unë, si Andon Zakua, e ndeza një cigare dhe iu drejtova të Madhit Zor me kto fjalë:
” O i Madhi Zot. Bëre mirë që e jaradise mënin dhe qershinë. Bëre edhe më mirë që e jaradise dardhën e sheftelinë. Po kur more mund e krijove gjithë ato të mira, pse s’ e mbolle edhe një fik të trashë në qendër të Malmes, nëpër të cilën sorrollaten lloj lloj matrapazësh, dallkaukësh, rrenacakësh, vetëmashtruesish të Partisë së Luftës, të cilët qe dyzet vjet që e trajtojnë popullin e tyre me keq se serbët e Shumadisë? Duhej të vijë keq, o i Madhi Zot, për ata që prore po e gënjejnë veten se Kosova u çlirua, ndërsa vëllezërit tanë po jetojnë më keq se skllevërit e Romës antike…”
Ka gjasa që lutja ime do t’ i dëshpërojë vëllezërit myslimanë, po nuk prish punë. Kor’Ani i shenjtë na mëson se secili njeri ka të drejtë t’ i shtrojë mendimet e veta në logun e burrave dhe detyra e burrave është të dëgjojnë si njerëz të arsyeshëm. E sa i përket denimit, ajo punë është në dorë të të Madhit Zot.
Ne, shqiptarët, kemi nevojë për një fik shumë të trashë. Veçanërisht tani që ish kapedanët e Lëvizjes Popullore janë bërë ortakë me çorbaxhinjtë serbë dhe po e trajtojnë Kosovën si t’ ishte një lavire polake. Sikur të kishim dhembje të ndërgjegjes dhe ta ndiqnim shembullin e vëllezërve azaganë, numri i matrapazëve, dallkaukëve e hipokritëve shqiptarë do t’ ishte më i vogël, edhe ate, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, po edhe këtu në diasporë.
Merreni me mend sa mirë do t’ i pritnim krishtlindjet! Ne, myslimanët shqiptarë, të ulur midis katolikëve e protestantëve suedezë, do hanim mishra të pjekura në zgarë, speca të mbushur me oriz, sallatë, tollumba, bakllava, dhe pasi të lodheshim nga ahengu, do t’ i ndihmonim ish torturuesit tonë, që na kanë sharë e na kanë ndjekur më keq se Serbia, të ngjiten në degët e fikut. Do ta këndonim atë këngën e shquar partizane ”Bashkohu shok, me ne në çetë” dhe, pasi t’ ua venim litarët në duar, do t’ ua falnim të gjitha gjynahet… Euzu Bilahi Minesh Shejtani Rraxhim… Dhe kremtja do vazhdonte me dajre, daulle e violina.
I pari që duhej të ngjitej në “fikun” e apostullit Judas është Qemal Bivolaku, një ish funkcionar i Lëvizjes për Importin e Mishit të Bardhë nga Shqipëria e Ramiz Aliut. Ky dallanguz duhet ta vrasë vetveten nga dhembja e ndërgjegjes se ka vjedhur nga Suedia 500 mijë dollar dhe të gjitha ato i ka investuar në një kamp për shitjen e motrave shqiptare e joshqiptare. S’ ka nevojë të shtoj se po ky dilinxhi, për ta rritur pasurinë e tij private, të cilën gjoja e mblidhte për çlirimin e Kosovës, i ka rjepur të gjithë këngëtarët e merituar shqiptarë, për pa e përjashtuar as Arif Vladin, Merita Halilin, Manjola Manjanin e Parashqevi Simakun dhe i ka ushqyer vetëm me pizza e koka kola. Veçanërisht Meritën e Arif Vladin i ka qethur fare.
Pas Qemalit në degën e fikut duhet të ngjitet Vaxhidja. Euzu Bilahi Minesh Shejtani Rraxhim… O Zot, falja mëkatet edhe kësaj motre se, përkundër marrëzive të mëdha, kjo i ka gostitur me bukë e me wisky të gjithë hyzmeqarët e Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit. Para së gjithash, Xhida kaq qenë aleate e njëfar Halit Sahit Xhambasit dhe Haki Hudutit, që na i copëtonin tavolinat me grushta sa herë që përmendej Ibrahim Rugova. Një ngushllim i madh do t’ ishte sikur Xhidës t’ i miratohej edhe një kilo sapun për ta larë gojën nga pislluqet që ka lëshuar kundër armiqëve të Lidhjes Demokratike.
Pas Vaxhidës, radha duhej t’ i vijë Naim Beqës, të cilin shtypi jugosllav e ka quajtur ”veçiti hajvan”. Ky sherbëtor besnik i Udbës, që s’ ka patur tjetër punë pos të na ndjekë mua, Qebir Hajdarin, Kosovë Rexhë Balën e Sabri Novosellën, është i trashë në kokë dhe ka më shumë dhjamë se mish. Në agun e demokracisë shqiptare, Naimi, me ndihmën e Lëvizjes së lartpërmendur, arriti të bëhej mekanik i njërës nga shoqatat e diasporës shqiptare, pastaj u bë zëvendës i Qemal Bivolakut, pastaj “poreznik” dhe, në fund, ministër i arsimit për diasporën… Edhe pse vetë s’ i kishte kryer as katër klasë të shkollës fillore… Fëmijet e këtushëm, që edhe ashtu s’ po dine t’ i lidhin dy fjalë në gjuhën shqipe, duhet t’ i ruajnë mirë dëftesat që ua lëshonte ky parllapan, se janë antika të vërteta. Fjalën ”mirë” s’ e përdora kot, se vetëm ne, shqiptarët, jemi leshko dhe iu themi edhe derrave dajë. Përndryshe, ta ulësh secilin matrapaz në krye të vendit është një mëkatë dhe primitivizëm i madh.
Po dëgjoj se Naim Beqa, bashk me dhëndrrin e vet, e paskan lutur Edi Ramën, dikur kryebashkiak i Tiranës, t’ ua mundësonte hapjen e një parukerie përballë banjove publike të Tiranës dhe, me siguri që do të mernin leje sikur të mos i pengonte zgjedhja e Lulzim Bashës. Rrjedhimisht, ëndrra e tyre ngordhi si gomari i Nasradin Hoxhës. Tani ai – me disa shokë – paska themeluar një agjensi udhëtimesh për të rinjtë e të rejat shqiptare në Britaninë e madhe. Autobusat e tij, njësoj si opiumi që vjen nga Afganistani, e ndjekin itinerarin Prishtinë – Varshavë – Oslo dhe Norwitch të Britanisë së Madhe. Do Zoti që kam lexuar gabim, se Naimi, nëse ka ndërgjegje të pastër, qyshkur duhej varte veten në degë të fikut.
Fill pas Naimit, në degën e fikut duhet të ngjiten edhe motrat azilante, që erdhën këtu me ndihmën e mafiozëve serbë. Vetë fakti që morën burrat e fëmijët dhe ikën nga dhuna s’ i rëndon aspak, se ta shpëtosh evladin na meson edhe Kor’Ani i Madhnueshëm, por që erdhën këtu dhe – pas njëzet e kusur vitesh, e bekojnë Millosheviqin që i “shpëtoi nga fukarallaku” është fyerje e rëndë për nënat kosovare, të cilat prore s’ i kanë gjetur djemt dhe burrat e tyre. Qebesa, deklaratat e tyre janë të ulta dhe fyerse edhe për ata që i strehuan në vendin e tyre, për pa i pyetur se kush i ndiqte dhe kush i solli në këtë vend të largët.
A ka tjerë që duhej të ngjiten degët e fikut?
Sa të duash. I pari – pas tyre – jam unë. Pas meje duhet të vijnë edhe të gjithë pedagogët e ashtuquajtur shqiptarë, që po punojnë nëpër të ashtuquajturat ”shkolla shqipe”. Unë do të çohesha si më plak që jam dhe, i përcjellë nga defi e qemanetë, do të ngjitesha në degën e fikut dhe do të qaja si vajtuesit shkodranë. Tridhjetë e sa vjet i këshillova vëllezërit e mi të flasin shqip me fëmijët e tyre, sepse shqipja s’ e pengon askend të mësojë suedisht, anglisht apo gjermanisht, por ata – siç ndodhë gjithmonë me ne – më shpallën nacionalist dhe armik të integrimit evropjan. Dhe kanë të drejtë ata, se gëzojnë përkrahjen e ish kolegëve të mi nga Maqedonia, që me vite kanë marrë rrogë për të ligjëruar shqip, por fëmijve të tyre u flasin turqisht… Edhe këta kanë të drejtë, se turqishtja është më e fisme se gjuha shqipe.
Shembullin tim duhej ta ndjekin edhe ata kapedanët e Lëvizjes Për Mashtrimin e Popullit të Kosovës, të cilët, me dijeninë time, s’ i kanë mbaruar as nga dy klasa gjimnaz, por para popullit dolën si gazetarë të shquar, filozofë, ushtarakë dhe politikanë të regjura. Në vazhdën e asaj iliade të pafisme, ata kanë zënë vende në Universitetin e Kosovës, nëpër universitetet private, në Institutin e Historisë, qebesa edhe në Parlamentin e Kosovës, ku marrin nga dy rroga: njërën nga populli i tyre i varfër, tjetrën nga Zyra për Mirëqenie Sociale. Sipas rregullit, para se të kërcenin nga dega, do bënin mirë të dëftonin se nga po u shkojnë gjithë ato euro për të ngritur hotele e restorante në bregdetin shqiptar, kur populli i Kosovës, për ta financuar hajninë e tyre legale, po vuan të zezat e ullirit.
Në degën e fikut duhej të ngjiteshin edhe qeveritarët e sotëm kosovarë, të cilët, me heshtjen e tyre, sikur s’donë të prishen me mafiozët serbë e boshnjakë, që po na përcjellin ikanakë afganë, po shesin pashaporta të falsifikuar dhe po e mbajnë Kosovën me drogë. Dhembje të ndërgjegjes duhej të kishin edhe veprimtarët flokëbardhë, që deri dje ishin ajka e krenarisë kombëtare. Ata, që me vetëmohimin e tyre, i ushqyen ëndrrat tona për liri.
Shkurt, Krishtlindjen mund ta prisnim edhe ne, shqiptarët myslimanë, sikur dhembja e ndërgjegjes tonë të ishte pak më e sinqertë dhe autentike. Paçka se ne, shyqyr Zotit, s’ jemi të krishterë dhe pak mërzitemi për molla, dardha apo degë të fikut. Neve s’ na prish punë zullumi që ua bëjmë të tjerëve. Aq më pak na prish punë zullumi që ia bëjmë vetvetes, duke u puthur me dilinxhinjtë, matrapazët, kriminelët dhe hyzmeqarët e Serbisë.
Tani që i shkrova këto radhë, si juve që jeni myslimanë, ashtu dhe të tjerëve që janë të krishterë, po ju lus në frymën e vargjeve shtatë, tetë e nëntë, të surës El Bekar:
“ O vëllezër shqiptarë! Kini kujdes të Madhin Zot, se ai i di të gjitha. Hani nga ajo që është e lejuar dhe mos shkoni pas Shejtanit, se ai është armiku i juaj. Ai ju nxit të hyni nëpër shkurre e nëpër ferra dhe ju këshillon të thoni ato që s’ i dini. Ua Selamun Alejkum!”

Shkruan: Ramadan Rexhepi