SHPËRNDAJE

DenisMarkaj

Mbrojtësi i djathtë i FC Lugano Denis Markaj, vetëm dy ditë para fillimit të pjesës së dytë të Kampionatit të sivjetmë futbollistik të Super Ligës zvicerane i thotë lamtumirë kësaj skuadre .

Pa dyshim Markaj ishte njëri nga më të merituarit për rikthimin pas trembëdhjetë vjetësh të FC Lugano, në elitën e futbollit zviceran.

Fanellën e këtij ekipi tiçinez Markaj e ka veshur tetëdhjeteshtatë herë. Edhe pse ka luajtur në pozitën e mbrojtësit të djathtë, Markaj pesë herë është evidentuar në listën e golashënuesve .

Deri me ardhjen e trajnerit Zdenek Zeman asnjëherë nuk ka qenë në dilemë dhe i kontestuar aktivizimi i tij në njëmbëdhjetëshin e parë të Luganos.

Trajneri Zeman me origjine çeke pa thënë edhe arsyen më të vogël në Kampionatin e sivjetmë Markajn e ka angazhuar vetëm njëmbëdhjetë herë.

Mbrojtësi me origjinë nga Gjakova, Denis Markaj me të përfunduar Kampionati i vjetëm në Challenge Legaue të Zvicrës, pati lënë Luganon duke u rikthyer te FC AARAU.

Mirëpo ishin aksionarët e FC Lugano ata që e ndjenin nevojën për Denisin dhe pas bisedimeve me FC. Aarau u arrit marrëveshja që ai të mbetet në FC. Lugano.

Markaj, i pakënaqur me tretmanin e tij si dhe me pozitën aspak të volitshme në tabelën e klasifikimit të FC Lugano, vendos që përfundimisht të largohet nga kjo skuadër.

Ai gjatë këtij stinori do të luajë në skuadrën voduaze FC LE MONTS LS, anëtare e Challenge Ligës zvicerane. Në këtë Klub Markaj do ta gjejë edhe qendërsulmuesin e spikatur dhe ish- bashkëlojtarin e tij të dikurshëm Drilon Paçarizi. /Arif Ejupi, AlbInfo/