SHPËRNDAJE

Politikanët festojnë, mbajnë fjalime, populli hesht dhe bën sehir në varfëri dhe pasiguri.

Sot gjenerali me katër yje, Klark, është në pension, i respektuar në vendin e tij, por i mirënjohur dhe shumë i respektuar nga shqiptarët, të cilët në veprimtaritë e tij të ardhshme, nuk ka pse të mos shprehin admirimin dhe përkrahjen e tyre për gjeneralin brilant të kombit amerikan, mikun e mirë të kombit shqiptar.

Mesazhet e gjeneralit Uesli Klark dhe liderve të tjerë amerikanë, do të mbeten mishërim i asaj që duhet të veprojë historikisht në memorjen e kombit shqiptar. Krimet mbi shqiptarët në Kosovë dhe në konfliktin në Maqedoni janë rasti më i fundit, që duhet të na bëjë të mendojmë se ka vetëm një rrugëzgjidhje thelbësore: të ndryshojmë prerazi qëndrimin dhe sjelljen tonë përballë realitetit të dhimbshëm dhe ëndrrës për të arritur paqen.

Veç kësaj, në kohë jemi përballur me disa forca të veçanta në Evropë, të cilat kanë qenë në parim dhe realisht kundër betejës së madhe clirimtare të kombit të shumëvuajtur shqiptar. Atëherë ata kishin kurajon të kundërshtonin edhe vizionin e gjeneralit për të mposhtur Serbinë. E nëse ka ndodhur kështu, nuk ka qenë plotësisht faji i tyre.

Faji, në kontekstin historik, është i njerëzve që në momente të caktuara humbasin logjikën njerëzore dhe shpërfytyrohen përballë ngjarjeve historike. E megjithatë, shqiptarët nuk kanë bërë sa duhet, që të gjitha forcat përparimtare e vepruese të Evropës të kuptojnë me kohën dhe të arrijnë të vlerësojnë tiparet unikale kombëtare të popullit shqiptar në Ballkan.

Këto duhen parë si shfaqje e opinionit më të ndriçuar të vendit, një formë e manifestimit të ndërgjegjes së mbarë kombit, përballë mospërfilljes e dhunimit që u janë bërë të drejtave të shqiptarëve deri më sot. Duke mësuar nga karakteri i figurave të tilla me përmasa botërore, të orientohemi pa mëdyshje në pavarësinë e mendimit në marrjen e qëndrimeve, për çështjen shqiptare.

Ky konstatim duhet të na shkundë ndërgjegjen kombëtare, duke na çliruar nga problemet tona larg pikave të vdekura.
Situata në Kosovë është një kambanë për ne.

Historia është një mësuese e madhe, sepse pësimet t’i kthen në mësime. Ajo do të na orientojë drejt në rrugën që na çon në afirmimin e të drejtave dhe në emancipimin tonë të plotë. Këtë mendoj se bëmë mirë ne shqiptarët në fundshekullin e kaluar. Merita pa dyshim i takon edhe gjeneralit brilant, Uesli Klark.
Shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresivë, atyre u ka mjaftuar të mos ndiejnë mbi vete asnjë pushtet të huaj, të mos u paguajnë atyre taksa, të luftonin e të merreshin me hallet e problemet e tyre.

Në trajtimin e çështjes kombëtare kemi pasur përherë një pikënisje, e natyrisht që do të kemi edhe një pikëmbërritje. Njohuritë themelore dhe platforma e shtruar, kur janë të plota, hapin horizonte të afërta e të largëta për ardhmërinë kombëtare, por kjo materializohet dhe merr jetë, atëhere kur inteligjenca dhe populli dinë të duan vendin e tyre dhe të luftojnë për vendin e tyre.

Sot duhet të kujtojmë se ende agresorin e kemi përballë, të armatosur si më parë, me pretendime si më parë, me ëndrrën gjakatare të rikthimit ushtarakisht në Kosovë, pra hasmi edhe për shumë kohë, nuk do të harrojë grushtin e hekurt që mori në fytyrën e shëmtuar të krimit.

Kjo na mjafton për të qenë përherë vigjilentë ndaj së keqes.
Çdo lëvizje kombëtare, përmban në vetvete dy momente të rëndësishme të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën.
Nga njëra anë janë përpjekjet me dhunë, veprimet me armë për të shkundur zgjedhën e huaj dhe këto sigurisht përbëjnë dhe boshtin e lëvizjes kombëtare për të fituar lirinë.

Nga ana tjetër janë orvatjet për të përgatitur shkëputjen nga shteti shtypës për të hedhur themelet e shtetit të ri, drejt shoqërisë demokratike. Kjo është një nga veprimtaritë gjithëpërfshirëse, që ka si pikësynim krijimin e kushteve të brendshme e të jashtme, të përshtatshme e të favorshme për një ngjarje të tillë.

Megjithatë, në çdo rast duhet të kuptojmë në mënyrën më definuese se, liria asnjëherë nuk mund të dhurohet, ajo fitohet.
Në vlerat e luftës çlirimtare, nuk është rasti i subjektit të një drame apo një tragjedie, por mbështetur mbi një realitet gjaku, dhune, krimi, shfarosjeje, përdhunimi, përzënie, djegie e shkatërrimi, mbi një realitet fort të dhimbshëm në kurriz të popullit shqiptar, është rasti i një mesazhi të fuqishëm tejet atdhetar e në thelb kombëtar, se dhe në të ardhmen nuk do të jetë aspak e lehtë.

Të shtrojmë disa pyetje në planin konkret.

Pse sot nuk shtrohet problemi i rikthimit të shqiptarëve të shpërngulur në të gjitha format nga Mitrovica veriore?

Çfarë i ka detyruar ata të braktisin shtëpitë e tyre?

Pse shqiptarët në Mitrovicën veriore jetojnë me frikën e ndarjes dhe të mbetjes në pjesën serbe?

Kush e nxit këtë hemorragji etnike dhe cfarë fshihet pas kësaj, kur i njejti fenomën nxitet edhe në tre komunat e Kosovës Lindorë?

Vallë është e pranueshme “miopia” e faktorit politik ndërkombëtar përballë këtij spastrimi etnik të kryer në heshtje, që i bën shqiptarët të ndihen të braktisur?

Ku jetojnë sot mbi 11 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Mitrovica veriore?

Vallë nuk shihet që ky fenomen është i pranishëm edhe në Kosovën Lindore?

Si ka mundësi që ende Serbia i rrëshqet “pa u parë” faktorit ndërkombëtar rast pas rasti, duke realizuar synimet e veta në kurriz të shqiptarëve?

Çfarë tregon paaftësia e Grupit Negociator shqiptar në qëndrimin e tij në bisedimet me palën serbe?

Cili është motivimi i tyre përballë pretendimeve serbe?

Kush i detyron të nënshkruajnë me dorën e tyre ricopëtimin e trojeve shqiptare, duke u bërë pa dashje pjesë e pretendimeve dhe planeve të kamufluara të politikës serbe?

Çfarë tjetër fshihet në prapaskenë në dëm të cështjes kombëtare shqiptare?

U mbushen 20 vjet nga clirimi i Kosoves dhe shtatë vjet nga dalja në skenë e manovrave politike dhe stadi i mbërritur shton hijen e dyshimit duke qenë çdo ditë e më shumë më pak shpresëdhënës. Kushdo që qëndron pas kësaj fasade të zymtë nuk besojmë se do të realizojë qëllimet e tij të mbrapshta. Filozofia jonë kombëtare edhe këtë radhë do të dijë t’ia dalë mbanë me kundërshtarët e vjetër tradicionalë.

Por problemet ndonjëherë marrin për keq kur vihen nën presion. Kështu po ndodh me shqiptarët kudo në hapësirat e tyre, si një popullsi homogjene që po i nënshtrohet akoma orekseve të Rusisë dhe të ndonjë shteti tjetër europian.

Heshtet edhe atëherë kur nënat shqiptare të braktisura dalin në ndonjë ekran televiziv dhe ende kërkojnë bijtë dhe bijat e tyre, kërkojnë fëmijët e trafikuar dhe derdhin lotë të hidhur për ta, edhe kur femrat e përdhunuara nga kriminelët serbë kërkojnë drejtësi.

Politikës i janë veshur sytë përpara varfërisë së skajshme, kur fuqia blerëse në tregun shqiptar është përgjysmuar dhe problemet sociale shpesh i kapërcejnë kufijtë e dhimbjes njerëzore.

Dhimbja, varfëria dhe lotët e shqiptarëve janë dhimbje në zemrën dhe në sytë e Shqipërisë.

Në cilën lloj Evrope do të na çoni kështu, a bën ta dimë?!

Shkruan:

Prof.Dr. Sulejman Abazi Neshaj