SHPËRNDAJE

Fotoreportazh nga familja e të ndjerit Mehmetaki Beqiri / «E, kjo është jeta! Mysafirë jemi në këtë botë. Pse të ndodhë kështu?! Nuk e kemi menduar kurrë këtë!», ishin pyetjet dhe dilemat që me zë të qetë i pëshpëritnin të afërmit dhe vëllai i të ndjerit, i vrarë ditën e premte, më 22 gusht, në xhaminë «El Hidaje» në Winkeln të St.Gallenit.

Me ngjarjen e hidhur, që ndodhi ditën e premte, më 22 gusht, në xhaminë «El Hidaje» në Winkeln të St.Gallenit, tashmë edhe lexuesit tanë janë njoftuar edhe nëpërmjet portalit tonë. E sot në mëngjes, me ftesë të kushëririt të të ndjerit, z. Ismet Ajeti, i cili ishte përgjegjës për mikpritjen e njerëzve që shkonin për ngushëllime dhe për procedurën e dokumenteve të të ndjerit për t’ia përgatitur dhe për t’ia nisur kufomën për në vendlindjen e tij në Rahovicë e për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, u gjetëm qysh herët në familjen e të ndjerit, Mehmetaki Beqiri. Për 17 vjet me radhë, i ndjeri kishte jetuar në këtë banesë me familjen e tij, konkretisht në adresën Rorschacherstrasse 125, përballë një qendre të madhe tregtare. E privova veten nga një qytetar i rëndomtë që shkon për ngushëllime dhe në rolin e gazetarit për ta shkruar një reportazh, edhe pse në këto raste nuk është fare lehtë t’i përballosh lotët e dhimbjes së madhe të familjes.

Të hysh në shtëpinë e të ndjerit, të shikosh familjen e tij me lot në sy nuk është një gjë lehtë e përballueshme, megjithatë ata mbaheshin të fortë dhe, në anën tjetër, shumë krenarë që bashkëshorti, babai, vëllai, xhaxhai, kushëriri e daja i tyre ishte i pranueshëm nga shumica e njerëzve të mirë dhe prej së premtes, kur ndodhi rasti tragjik, kjo shtëpi gjithnjë është e hapur me miqtë e familjes për ta ndarë dhimbjen së bashku me ta. Këto vizita, siç thonë familjarët, tregojnë qartë se i ndjeri ishte i pranueshëm pozitivisht për të gjithë. Ishte e vështirë t’i shikosh në sy dy djemtë e tij, dy vajzat, vëllanë që kishte ardhur nga Austria, meqë jeton dhe vepron atje, kushërinjtë, dajat, nipat, e kështu me radhë. Ata flisnin pak dhe dëgjonin, e herë pas here shihej edhe loti, duke pëshpëritur: «Nuk e kemi pritur këtë. Pse të ndodhë kjo?! E lusim Zotin që askujt të mos i ndodhë kjo. Askush nuk kishte menduar se mund të ndodhë një vrasje në xhami». Djemtë i përqafonin ata që vinin për ngushëllime, e falënderonin shumë secilin dhe i dëgjonin kur flisnin për babanë e tyre. E, në anën tjetër, vajzat kujdeseshin me përpikëri që askush të mos dalë nga shtëpia pa ndonjë gotë ujë e kafe, ashtu si e do zakoni.

Ismet Ajeti, kushëriri i të ndjerit, rrinte në krye të konakut, me një pamje të zbehtë, ishte zverdhur i tëri, ndërsa vazhdimisht i binte telefoni, duke i shprehur ngushëllime dhe, në anën tjetër, me ngarkesën se si sa më shpejt të përgatitet kufoma e të ndjerit për ta përcjellë në Atdhe. Duhet bileta e aeroplanit, kompania e varrimit që është duke ardhur rrugës, telefonatat nga spitali, thirrjet e imamit e të Kryesisë së xhamisë, si dhe dashamirë të tjerë, e njëkohësisht duke biseduar vazhdimisht me vëllanë, me djemtë dhe me farefisin tjetër.

Në këso raste dhimbjesh duhen njerëz të tillë që dinë të organizohen siç është më së miri dhe pa asnjë hezitim. Heshtje, e herë pas here dëgjohet zëri i shokut të të ndjerit, Skender Hasani, i cili kishte miqësi familjare jo më pak se 14 vjet me radhë. Ai tregonte se i ndjeri ishte burrë i shkëlqyeshëm, shumë i qetë, besimtar dhe bamirës. «Ai ka ndihmuar sa herë që dikush i është drejtuar, por edhe në situatat e ndryshme që i ka përjetuar Atdheu ynë. Kjo na ka goditur edhe ne, shokët. Lusim zotin që ta drejtojë në parajsë, sepse Zoti e përcolli në xhami me namaz dhe me abdes që të japë shpirt», na tha, ndër të tjera, z.Hasani. 

Kurse në njërën anë ishte edhe një stërnip i të ndjerit, nga fshati Tërnoc i Bujanocit, aty nga të gjashtëdhjetat. Ai ofshante dhe fshinte sytë nga lotët që i dilnin herë pas here. Edhe pse disa herë ishte për ngushëllime imami i xhamisë «El Hidaje», z. Mehas Alija, ai erdhi edhe sot në shtëpinë e të ndjerit, ku u prit nga familja e ngushtë Beqiri. Ai qëndronte qetë, me një modesti të madhe, e herë-herë i dridhej edhe buza, sepse e kishte njohur mirë të ndjerin, thoshte fjalë kuranore, duke e ngushëlluar familjen dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm. Ai shpjegonte, por edhe e freskonte shpirtin e të gjithëve. Gjatë kohës sa fliste ai, nuk e shihje dikë duke qarë, por të gjithë e përcillnin me vëmendje. Ai, ndër të tjera, tha: «Kështu e ka shkruar Perëndia dhe duhet të pajtohemi të gjithë. Kaq ka pasur për të jetuar. Ai u nda nga kjo botë në xhami, në shtëpinë e Perëndisë, e jo në vende jo të mira. Ju kuptoj të gjithëve që jeni të mërzitur, por edhe ne na takon pikëllimi. Të shikojmë tutje dhe ta përcjellim për në vendlindje ashtu siç është më së miri». Zoti Ismet Ajeti, së bashku me imamin e xhamisë, dha shenjë që të nisemi për në Spitalin e St.Gallenit, meqë tashmë nga atje mund të tërhiqet trupi i pajetë i të ndjerit, për t’ia falur namazin kufomës dhe për t’u përshëndetur për të fundit herë të gjithë ata që nuk kanë mundësi të udhëtojnë për në varrim në Rahovicë. Në Spitalin e St.Gallenit, ashtu si edhe në gjithë Zvicrën, qëndronte një rend i shkëlqyeshëm i personelit të asaj pjese të kësaj ndërtese me mantele të bardha, e aty ku ishte i ndjeri dyert qëndronin të hapura. Ata shikonin të pikëlluar dhe na drejtonin për në sallën ku ishte kufoma e të ndjerit.

Herë pas here vinin edhe nga xhamia «El Hidaje», si sekretari i xhamisë z.Bekim Berisha, pastaj dr. Hisham Maizar, kryetar i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, i cili dje kishte qenë për ngushëllime në familje, në moshë mjaft të thyer, por duke dashur t’ia japë lamtumirën e fundit të ndjerit. Me të hyrë në sallën ku ishte vendosur i ndjeri, imami i xhamisë z.Alija, ua rikujtoi të pranishmëve, rregullat se si duhet falur namazin, si duhet dhënë aminin dhe formën se si duhet përshëndetur për të fundit herë. «E, kjo është jeta! Mysafirë jemi në këtë botë. Pse të ndodhë kështu?! Nuk e kemi menduar kurrë këtë!», ishin pyetjet dhe dilemat që me zë të qetë i pëshpëritnin të afërmit dhe vëllai i të ndjerit. Në rend të parë ishte imami me djemtë e të ndjerit, xhaxhai, vëllai, kushërinjtë, e kështu me radhë. Me të përfunduar ky ritual, u panë edhe dy vajzat e të ndjerit që kishin pritur jashtë, e të cilat dëshironin të hyjnë edhe ato për t’u përshëndetur me babanë e tyre. Ato e bënë këtë me lot rrëke nga sytë, duke ngashëryer: «Katër ditë po shkojnë, e nuk e kemi parë babën tonë! Duam ta shohim, nuk mund të presim deri nesër, kur të jemi në vendlindje!». Zoti Ismet Ajeti me shumë kujdes i vëzhgonte vajzat e të ndjerit dhe djemtë, të cilët më pastaj u larguan bashkë me të tjerët, duke bërë me dije se nesër, më 27 gusht, e mërkurë, me namazin e ikindisë, në varrezat e fshatit Rahovicë do të bëhet varrimi.

Falënderimet e familjes së të ndjerit 

Memetaki Beqiri kishte lindur në vitin 1963. Ai nga viti 1983 jetonte dhe vepronte në Zvicër. Pas vetes e la bashkëshorten dhe katër fëmijë, djali më i madh në moshën 25-vjeçare, ndërsa vajza më e vogël 18-vjeçare. Vëllai i të ndjerit, Zejdiu, i cili ishte me familjen e tij në Austri, nuk fliste shumë, por vetëm tha se nuk i vjen mirë që të shkruhet apo të flitet për këtë rast pa pasur fakte. «Pra, rasti të mos shkruhet e të mos përshkruhet me fjalë që dëgjohen nga jashtë. Vëllai ynë nuk është vrarë nga dora e serbit, kjo dihet dhe është parë nga të tjerët, e jo siç lexuam nëpër disa media. I falënderoj të gjithë që janë munduar të flasin mirë dhe me bazë.

I falënderojmë të gjithë që po na vijnë për ngushëllime. E falënderojmë edhe Kryesinë e xhamisë, anëtarët e saj, gjithë familjen e gjerë këtu e në Atdhe, meqë po na japin fjalë të ëmbla ngushëllimi. Zvicra, ky shtet i së drejtës, e di më së miri situatën dhe pa dyshim se do ta thotë fjalën e fundit, pse dhe si ka ndodhur kjo. Ne besojmë shumë në drejtësinë dhe në ligjin zviceran». Edhe Ismet Ajeti i falënderoi të gjithë për mundin dhe ngushëllimet që i kanë dhënë dhe që po i japin. Ndërsa dr. Hisham Maizar, kryetar i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, na njoftoi dhe njëkohësisht na ftoi që ditën e enjte, duke filluar nga ora 14:00, do të mbahet një konferencë për media në xhaminë «El Hidaje». U ndamë nga familja, së pari si bashkëqytetarë të asaj pjese të Atdheut, e dyta si bashkëkombës dhe, e treta, në detyrën tonë që të shkruajmë për atë që e pamë, si dhe të lutemi për paqe në gjithë botën, e të mos shohim e dëgjojmë kurrë lajme të kësaj natyre, jo vetëm ndër ne, por askund. (Dashnim HEBIBI, presheva.com, dialogplus.ch)