SHPËRNDAJE

Fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, do të përmbyllet sot në ditën e dhjetë të saj.

Fushata e cila nisi më 25 shtator do të mbyllet sot me tubimet përmbyllëse të partive politike në disa komuna.

Gjatë këtyre dhjetë ditëve të fushatës, pesë kandidatë për kryeministër dhe kandidatët për deputetë nga 25 subjekte politike kanë udhëtuar në çdo cep të vendit duke shpalosur programin e tyre dhe duke kërkuar që t’u jepet besimi nga ana e qytetarëve për të udhëhequr vendin.

Sot partitë politike dhe kandidatët për kryeministra do të mbajnë takime të tjera, si dhe tubimet përmbyllëse.

Më poshtë agjenda e tyre:

Partia Fjala mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në kalanë në qendër Vushtrrisë në ora 11:00.

Partia Euroatlantike e Kosovës mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Restorant “Apartament” që gjendet në Rrugën B në Prishtinë në ora 17:00.

Koalicioni AAK-PSD me kandidatin Ramush Haradinaj për kryeministër tubimin përmbyllës e mban në Palestrën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë duke nisur nga ora 17:30.

Koalicioni Nisma-AKR-PD e kandidatit për kryeministër Fatmir Limaj mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshin “Shatërvan” në Prizren në ora 17:30.

Lidhja Demokratike e Kosovës e kandidates për kryeministre Vjosa Osmani mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në sallën e sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan në ora 18:00.

Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj për kryeministër Kadri Veseli mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në ora 18:30.

Lëvizja Vetëvendosje mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, saktësisht në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet në ora 20:00.