SHPËRNDAJE

Tani që kishim ngrënë bukë dhe kishim pirë çaj dhe kishim shkëmbyer mendime me miqët danezë, të cilët na pritën mirë për të vetmen arsye se ishim shqiptarë, humori ynë ishte në qiell. Mësimi që kishim marrë nga ai takim ishte i vlefshëm: ne mundeshim të jetonim në Suedi edhe njëqind vjet dhe të mos bëheshim kurrë suedezë. I ashtuquajturi integrim s’ ishte vetëm mohim i gjuhës amëtare, por dhe mohim i vetvetes tonë. Rrjedhimisht, sikur të vinin suedezët në Kosovë dhe të jetonin njëqind vjet me ne, kurrë s’do të pranonin t’i ndërronin doket e tyre, sepse ne do t’ i konsideronim butakë dhe mendjeprishur.
Kjo vlente edhe për neve. Sa më duarlëpirës të shtireshim para punëdhënësve dhe afaristëve suedezë, aq më shumë do na përbuznin si popull. Mu për këtë arsye duhej t’ i ruanim këngët dhe vallet popullore, ta ruanim gjuhën që kishim marrë nga vendlindja dhe ate duhej ta bënim me një vetëdije edhe më të lartë se ajo e vëllezërve arbëreshë. Malmja, njëri nga qytetet më jugor të Suedisë s’ ishte Kalabri, ku mundeshim të jetonim të izoluar nëpër fshatra dhe të mos përziheshim me suedezët e josuedezët e ardhur nga tërë bota. Kjo ishte një shoqëri moderne dhe e sofistikuar. Nëse vetë, me dëshirën tone, e neglizhonim çeshtjen e identitetit kombëtar, brenda një kohe të shkurtër do të binim pre e një mallkim i madh: fëmijët tanë do ta harronin gjuhën e të parëve tonë.
Ismeti na priti me të gjitha të mirat. Si kuzhinjer i parë, ai ishte pjestar i një kolektivi të madh dhe gëzonte privilegje të posaçme. Njëri prej tyre ishte dhe e drejta ta ftonte cilindo shok apo anëtar të familjes në dy anijet që shkonin e vinin nga Kopenhaga. Me fjalë tjera, në frymën e tyre hynin edhe tri biletat që ia kishte dhënë Hajdarit, si dhe darka që do na shtronte në një sallë të tragetit.
Si në çdo vend tjetër, edhe aty punohej me të madhe. Atëbotë s’ egzistonte ndonjë urë që e lidhte Suedinë me Danimarkën dhe të gjithë ata që udhëtonin me makina s’ kishin të gjallë pa “Hamletin” apo “Ofelian”, dy tragetet që i nxirnin n’ anën e kundërt dhe, para se t’i përcillnin për në Gjermani, Holandë apo Spanjë, i paisnin me cigare, krema dielli, parfume, si dhe pije të shtrenjta alkoholike. Tragetet konsideroheshin si zonë ndërkombëtare dhe mallrat që shiteshin në dy katet e tyre ishin të lira dhe pa doganë. Kjo i joshte edhe kontrabandistët e prapë të udhëtonin ditë për ditë për në Kopenhagë dhe të ngarkoheshin me cigare, birra e pije alkoholike.
Fatlumnisht, atë natë darka ishte ngrënë dhe Ismeti mundej të pushonte pak, të rrinte me neve. Me të hyrë “Hamleti” në liman, ai doli përjashta dhe, pasi e njoftoi çunin se kush ishim, na shoqëroi drejt e në një sallë ku hynin e dilnin njerëz të veshur në kostume të bardhë. Ca prej tyre ishin kuzhinjerë, të tjerët ndihmës-kuzhinjerë, kamarierë, llogaritarë, furnizues dhe pjatalarës. Ai ishte i lumtur që po na priste në vendin e punës dhe, gjykuar nga buzëqeshjet e tjerëve, s’ ishte vetëm valltar i mirë, por dhe shumë i sjellshëm me kolegët e tij. Shihej prej sëlargu se të gjithë e pëlqenin. Si mysafirë, ne e ndoqëm nga prapa, deri sa erdhëm në një dhomë anësore, përtej së cilës dukeshin kazanet, tenxheret, qepshet, tavat dhe erëzat që ata përdornin në punën e përditshme.
“ Hajde bujrun si në shtëpinë tuaj,” tha ai duke qeshur e duke na përqafuar përsëri. “Kjo është dhoma ku hamë e rrimë ne, kuzhinjerët. Tani, bini shkurt: qysh kaluat me ata miqët?”
“ Qebesa, shumë mirë dhe, si të jetë kismet, ato këmbët tua do të vallëzojnë jo vetëm në Kopenhagë, po dhe në Odense, Orhus, Roskilde dhe Olborg. Kjo është oferta e tyre,” i tha Ismet Vrella, që gjithmonë tallej me të.
“ S’ po bën mirë që po tallesh me mua,” i tha Ismet Reçi, duke e veshur përparsen.
“ Për besë s’ po tallem,” u betua tjetri.  
” Ty t’ lumtë goja, se ma zbukurove ditën,” tha Ismeti. ” Unë do të pi verë. Ju çka po doni?”
” Po marrim verë, se atje ku ishim u ngopëm me çaj,” tha Hajdari.
“ Verë doni, verë do t’ ju jap,” tha Ismeti, duke e veshur përparsen. ” Tani mos shihni kusur, po unë do vete të marrë diçka për të ngrënë. Jam i uritur si ujku.”
Ai solli edhe një shishe me verë kiliane, na mbushi gotat me një natyrshmëri elegante dhe u zhduk përsëri. Pesë minuta më vonë ia behu prapa, këtë herë i shoqëruar nga një kamarier i gjatë, dhe na vuri nga një biftek përpara, të shoqëruar nga një pjatë e madhe me patate të skuqura dhe një tjetër me sallatë bullgare.  
“ Mbase duhej të bëja më shumë sallatë po ne, ballkanasit, jemi mishngrënës dhe sallatën e hamë më pak,” tha Ismeti, duke zënë vend përbri Hajdarit. ” Tani ju bëftë mirë, se atje ku ishin s’ ju kanë dhënë darkë. Mos qofsha gabim, danezët hanë vonë, gjë që këtu s’ praktikohet fare.”
“ Kjo që thua, qëndron,” i thash. ” Kryesorja, ata na pritën me ato që kishin dhe pritja e tyre ishte mësimdhënëse. Disa gjëra që mësova sonte i kisha ditur, por nuk i besoja. Tani i di dhe i besoj. Megjithate, ne kemi hajr nga lidhjet që ajo shoqatë ka me fakultetet, konzervatoret, akademitë dhe shkollat e larta që gjenden në Esbjerg, Kopenhagë, Odense, Roskilde, Orhus e gjetiu… Dua të them se të gjitha format e bashkpunimit, pa i përjashtuar ato politike, janë n’ interesin tonë. E di se duket qesharake por ne, kosovarët, në mungesë të një qeverie të hajrit, duhet vetë të bëhemi ambasadorë të popullit shqiptar… Tani është vonë, por miqët danezë donë t’ ju shkojmë me ndonjë program me këngë e valle popullore. Sot për sot s’ mundeshim t’ iu themi as po, as jo, sepse atë përgjigje e dini ju udhëheqësit e grupeve.”
Ismet Reçi na pa me sy të habitur. Sëpari mua, pastaj ata tjerët.
” Unë s’ jam kundër,” tha. ” Njëmend duhet të përgaditetimi, po ajo s’ është ndonjë problem i madh. Nëse varet prej nesh, s’ duhet ta lëshojmë atë shansë.”
Ismet Vrella s’ ishte aspak i sigurt. Ai ishte i kënaqur me ne, i afruar, humoristik, por atë çast që e prekëm programin, ai e humbi nepsin e bukës. Dhe kjo na ra në sy.
” Unë s’ jam i sigurtë,” tha me një zë që sa ishte i matur, aq edhe i plogësht; dhe për ta kompletuar përgjigjen, shtoi se kjo s’ kishte të bëjë me asnjërin prej nesh. ” Përkundrazi, ju jeni njerëzit më të respektuar që kam në Malme.”
Të tre mbetëm gojëhapur. Si ta kuptonim, atëherë, përgjigjen e tij? Ne përpiqeshim ta mbanim afër, t’ ia zgjatnim dorën, ta nderonim si vëlla shqiptar, ndërsa ai mbante fshehtësira. Ju jeni të respektuar, po jo deri n’ atë gradë sa të flasim shqip dhe kuptueshëm.
” Qysh s’jam i sigurtë?” e pyeti Hajdari. ” Edhe parmbrëmë m’ i the ca fjalë po nuk e çove deri në fund. A mundesh të jesh pak më i kuptueshëm dhe të na tregosh shul shqip? Mos po të bezdismim ne, shqiptarët, se s’ jemi popull i lehtë?!.”
Ismet Vrella po matej e çmatej.
” Më shqip seç fola tani, s’ flas dot,” tha ai duke e matur çdo fjalë që ia thonte Hajdarit. ” Mos qofsha gabim, ti ke dhënë dorëheqje dhe askush s’ i di shkaqet e vërteta… Edhe unë kam dhënë dorëheqje… Dhe po ua them shqip se pa e parë nga po shkon qerrja nuk jap kurrfarë premtimesh. Këte kam dashur t’ ua them disa herë, por – hë sot, hë nesër – dhe ka mbetur e pathënë… Tani do të shtoj edhe diçka… Ne po e dimë se kush e ka themeluar atë shoqatë dhe me sakrificat e kujt është mbajtur, por që në fillim kemi bërë një gabim, edhe ate, jo për fajin e Ramadanit, por për fajin tonë… Dëgjoni, shokë! Se unë ju kam edhe shokë, edhe vëllezër… Përderisa të mos e pastrojmë Shoqatën nga disa maniakë, kot se flasim për vizita dhe programe. Nuk ndërtohet xhamia me llafe. Unë, Ismet Vrella, jam i gatshëm të vi me juve edhe në Kinë, por sa të ecë qerrja sipas urdhërave të Safet Selimit dhe dajës tij, s’ dua të jap kurrëfarë premtimesh. Kaq e thjeshtë është puna..”
” Edhe unë jam me ty,” iu bashkangjit Hajdari.
Ai tjetri dukej i qetë, i përmbledhur.
“ Unë po flas për vete,” tha Ismet Vrella. ” Ti s’ je në vendin tim dhe punën e ke më të lehtë. Unë, për fat të keq, jam hallexhi dhe sapo kam hyrë në krevat me një grua. Për ate po ju flas hapur, pa e shtrembëruar asnjë fjalë. Kurrë s’ e kam dashur rolin e “pevaçicës”. Ndoshta jam një kurkush, një fikanak, por s’ dua ta zë me dorë fizarmonikën vetëm e vetëm se ma rras Safeti një qindshe në xhep. Unë kam qenë në shkollë dhe diplomën e kam marrë me djersë të ballit. Paçka se po mbushen dymbëdhjetë e sa muaj që ai zorraxhiu nuk më trajton si shok, si shqiptar, por si sherbëtor. Unë s’ e di kush dreqin na ka hyrë në mes, por – pak me ndihmën e dajës së tij dhe pak me ndihmën e Gashëve – ai na ka bërë pike e pesë. Sa herë që do të dehet, ai shkon n’ atë bodrumin e tij dhe pi si kafshë. Pastaj, pasi bëhet qysqi, e zë kufjen me dorë, e merr një taksi dhe ikën në Ystad, ndërsa klubin ia ruajnë muhametat, xhemalat dhe ejupat shqiptarë.”
Ismet Reçi, që sapo e kollofiti copën e mishit, më pa me një shikim të paqartë, të hutuar.  Ai ishte një njeri i mirë, zemërgjërë dhe shumë i padjallëzuar. Andaj s’ e pëlqente Safeti.
“ Mirë, be, a mundem të pyes diçka,” pyeti ai. “ A kaq i domosdoshëm është ai sa që s’ bëjmë pa të? Pse s’ e ndërrojmë dhe ejvalla – udhambarë?”
“ Atë punë e dini ju,” tha Ismet Vrella. ” Unë po flas për vetvete. Ai njeri është anadollak dhe pijanec i shkollës bugare. E ka parë që ata varfanjakët e Dukagjinit janë turreca dhe, me ndihmën e tyre, po na heq për hunde. Mos shkoni më larg se te arkatari. Arkatari quhet arkatar sepse e ka për detyrë të kujdeset për arkën. Aty hyjnë lekët e anëtarësisë, lekët e birrës, lekët e biljardos, sevapi dhe gjithçka që japin anëtarët për të mirën e një pune. Aty hyjnë edhe lekët që po na jep shoqëria suedeze për punën që po bëj unë, Ismet Reçi, Hajdar Reçi, gratë, burrat dhe krejt anëtarët e shoqatës. Paçka se te ne po ndodhë plaçka. Shkon Safeti dhe ia zbraz xhepat Salihut, thua se fjala është për ndonjë ” porez të dërzhavës”. As pyet sekretar, as pyet arkatar dhe vepron si Haile Selasi…” Ai pushoi pak dhe pastaj mu drejtua mua. ” Do të pyes diçka?”
“ Pyet,” i thash. Pa e ditur se ku do të delte.
” Ne jemi në pragun e një mbledhje,” tha ai. ” Mbledhja vjetore ka një farë ecurie dhe ti e di atë punë më mirë se çdonjëri prej nesh. Unë e kam pyetur të fejuarën time dhe ajo ma ka shpjeguar ecurinë… Si kryetar shoqate që është, a ka ai farë obligimi? A duhet të shkruaj diçka? A duhet të raportojë?”
” Si s’ duhet,” i thash. ” Sipas rendit, s’ jam vetëm unë që duhet të raportoj mbi aktivitetet e shoqatës. Bash përkundrazi, si përfaqsues i shoqatës, ai duhet ta zë lapsin me dorë dhe t’ i cekë të gjitha përpjetat dhe teposhtat e Shoqatës.”       
” Ja që unë vë bast se ai do të vijë me duar në xhepa,” tha Ismeti. ” Ju ndoshta thoni – qysh po e di atë punë?! Ja do t’ u dëftoj. Siç e dini, unë do martohem dhe po më duhet një krushk. Thash: po dal deri në Rusengord dhe po flas me Ramadanin. Ate e kam edhe shok, edhe vëlla, edhe dashamir. Zbres nga autobusi dhe hyj në Shtëpinë e Aktiviteteve… Gjithë kohën që këtë mikun do ta gjej në zyrën e “Shote Galicës”… E hap derën – dhe shoh prej sëlargu se dikush është brenda… Shyqyr këtu qenka, mendoj, dhe shkoj ta marr një kafe… Ama gjithë kohën me mend se atje do ta gjej Ramadanin… Kur hyj brenda, kend po e gjej mos Safet Selimin… Ai e kish lutur Folken t’ ia hapte derën dhe – pa laps në dorë – po i studjonte dosjet që ky i kishte vënë mbi tavolinë… Jo duke marrë shënime, po duke i ngrysur vetullat si Dushan Mugosha… Përjashta, do jugosllavë kishin ardhur për ta porositur një sallë…  Nejse, hyj brënda, e përshëndes – si je, si ja ke çuar, mirë falemnderit – dhe ulem nën portretin e Shotës… Kurse ai s’ po ia ndanë sytë dosjes që ka hapur… Dikur e shtyn anash dhe lëshon një ofshamë të thellë. – Procesverbalet janë në rregull, më thot. Administrata në rregull. Veshjet kombtare në vend. Isntrumentet në vend. Po ikonografia është për dreq. Sikur t’ ishim n’ Amerikë, hante bukë. Ama ne po jetojmë në Suedi, bre vëlla. A po i sheh ata shokët, më pyeti. – Po, i thash. – Shyqyr që po i sheh, se ata hyjnë e dalin nga dhjetë herë në ditë. Ata s’ i kanë sytë në qafë. Kjo urrejtje e sekretarit tonë kundër Jugosllavisë është paranoike. Nuk na sjell kurrëfarë dobie, pos reklamës së keqe. Shiko rreth e përqark! Sa mirë i ka ra ndërmend ta sjellë gjithë atë portret të Shote Galicës dhe ta vendosë në mur, por s’ e ka gjetur asnjë portret, asnjë pamje, asnjë kalendar që ta kujton Jugosllavinë… Sa mirë i ka shkuar mendja ta ve flamurin e Shqipërisë mbi tavolinë, por flamurin e Jugosllavisë e ka harruar fare. Paçka se anëtarët e ”Vëllezarëmit” janë nga Jugosllavia…  Jo, ne bëjmë mirë ta largojmë flamurin nga tavolina, se na dalin fjalë… –  Qashtu më tha… Ju e dini që s’ kam qejf të zihem, po atë ditë më pëllciti zorra në bark…  – Hej, i thash… Atë flamur s’ e prekë prek kush, se kërcet grushti…  Atë flamur s’ e ka sjell Ramadani, po Xhemal Fetiu… Atë flamur e kanë qëndisur motrat kosovare. I keq, i mirë, ai po del nëpër dasmat e Kosovës dhe kushdo që s’ e pëlqen s’ ka nevojë ta quaj veten shqiptar… – Ai s’ e deshti veten dhe filloi të arsyetohet. – Dur bakallëm, se unë kam bërë burg për atë flamur. A di sa qytek kam ngrënë?.. – Ashtu më tha… Unë s’ isha i gatshëm ta ofendoj, po më nxiti. – Sa ditë ke qenë, e pyeta… Ai, për shkaqe që s’ e di, e zuri pardesyn dhe iku nga zyra, pa ma thënë asnjë fjalë… Megjithate, kjo sjellje e tija ma ka dhënë mësim dhe unë po u them shqip: nëse ata sklepcat e Peçanit, bashk me dallanguzët e Përlepit dhe shabllovanët e Resnës vijnë dhe kërkojnë ta zgjedhin prapë, unë s’ jam i gatshëm të vij n’ atë shoqatë. Mos ma merni për të keq…”
Dhe s’ ia morëm. Por rrëfimi i tij më la një përshtypje të çuditshme. Unë kisha këmbyer fjalë me Safetin, isha zënë, por s’ e kisha ditur që çeshtja e ”ikonografisë” do më prekte aq shumë. Përndryshe, të tjerat i dija, se m’ i kishte dëftuar Hajdari, Kemaledin Zhuti, Samiu dhe Xhemali. Tani që po i dëgjoja edhe nga Ismet Vrella, e ndjeva veten të vrerosur. Të pikëlluar, të zhgënjyer dhe të vrerosur. Për mua fytyra e Shote Galicës dhe flamuri kuq’ e zi s’ ishin dekor i një hapsire, por gjymtyrë të paprekshme të popullit shqiptar. As unë, po as ata tjerët, s’ ishim ulur n’ atë vend për interesa personale. Diçka na kishte nxitur të ngjitemi n’ atë anije dhe të qanim halle me njëri tjetrin. Mjerisht, si Hajdari, ashtu dhe Ismet Vrella, kishin të drejtë: shqiptarët e vegjël na donin, por të rriturit na kishin marrë për “hyzmeqarë”. Tani që po afrohej ”dita” e Kiametit dhe ai nuk do të zgjidhej kryetar, Safeti po bënte gjithëçka që – të na “ftohte” nga Shoqata. Por atë ndërmarrje s’ donte ta bënte hapur,  veçse me lot e me raki. Kjo dëftonte si ai ishte dinak dhe unë s’ guxoja t’ ia mohoj aftësitë. Ai s’ dilte me shkop në dorë, por me sherbet e frikësime. Vëllezër, hapni sytë! Kini kujdes me atë emigrantin tuaf. Ai ka bërë ca punë të mira, por të tjerat po i bën ters. Ne jemi dhe s’ jemi shqiptarë. Në dorë të parë jemi jugosllavë, se jemi rritur në Jugosllavi. Sa ta kemi atë njeri në mes, mundësitë tona për t’ u armiqsuar me Jugosllavinë janë në rend të ditës. Kini kujdes, se atë ditë që t’ ua marrin pashaportat, për juve do të mbyllet dera e Zyrës Sociale.
Nuk më kujtohet sa kohë kemi ndenjur ashtu, një orë, një orë e diçka, duke pirë e duke debatuar rreth mbledhjes vjetore, kur dëgjuam zërin e kapedanit që njoftonte se ”Hamleti” po i afrohej Malmes dhe ne, relativisht të dehur, filluam të bëhemi gati. Unë e Ismeti e Hajdari ishim të kënaqur me atë ditë, por Ismet Reçi i ngratë e kishte edhe një vajtje – ardhje deri në Kopenhagë.
” E kur do të fillojë ajo mbledhje,” pyeti Ismet Reçi.
” M’ ora një pasdite,” i thash. “Në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira.”  
” Ani mirupafshim, pra,” tha ai, duke na përcjellë deri te ura e zbarkimit. Ate e prisnin edhe katër orë, ndërsa neve një ecje jo dhe aq e gjatë deri te Stacionin Qendror.
Për të qenë e enjte mbrëma, limani ishte mjaft i gjallë. Me sa duket, nxënësit e një gjimnazi sudez kishin qenë në Roskilde dhe, tani që po ktheheshin prapa, kishin blerë birrë e salçiçe hungareze dhe ziheshin me njëri tjetrin. Ne zbritëm ndër të parët dhe, pasi e kaluam atë hordhi llafazanësh, vazhduam drejt një kanali që e ndante qytetin e vjetër nga periferia. Atje prisnin tre katër autobusë të gjelbër, të gatshëm për t’ u sulur drejt destinacioneve të tyre.
” Hajde natën e mirë, pra, se ika,” tha Ismet Vrella.
” E bëfsh gjumin e ëmbël,” i a kthyem ne.
Ne duhej ta prisnim tridhjetegjashtën. Njëri nga autobusët e asaj linje, tani s’ po më kujtohet cili, kthente më të djathtë dhe i lente udhëtarët përballë shkollës Verner Rydén, ndërsa tjetri merte më të majtë dhe, pasi e kalonte lagjen Katrinelund, kthehej prapa në Qendër. Ai i pari, që lakonte më të djathtë, ishte më i përshtatshëm për Hajdarin, sepse familja e tij jetonte në një shtëpi pranë Qendrës Shëndetsore.
” Ça do bësh pastaj?” e pyeta. ” Do të shkosh te shtëpia?”
“ Ç’ është e drejta, jo” tha ai. “Sonte dua të lakoj në ”klub”, se jam i sigurt që ka shumë popull. Mos harro se jemi në prag të zgjedhjeve dhe Llazari ka të ngutur. Ai pajtohet me gjithçka tjetër, por kurrësesi të largohet nga kryet e vendit. Po pse pyete? Mos e kishe ndër mend të vije edhe ti?”
“ Përkundrazi,” i thash. “ Nesër duhet të shkoj në Lund. Megjithate, kam një lutje dhe vetëm ti mund ta mbarosh. Në mëngjes, pasi ta pish kafen e të dalësh në Rusengord, do ta gjesh zotëri Avniun – Avni Ballën – dhe do t’ ia përcjellësh një porosi nga ana ime. Do t’ i thuash që kjo s’ është zgjidhja më e mirë, por e vetmja zgjedhje që shkon në pazarin e pasnesërmes. A je gati ta mbarosh atë punë apo ta çoj dikë tjetër?”
Ai u ngrys në fytyrë.
” Mos ka bërë vaki ndonjëherë të të lë në baltë?” më pyeti.
” Zoti na ruajt. Edhe sikur ta kishe bërë një punë të tillë, unë, prapseprap do ta besoja ty,” i thash qetë qetë, duke e udhëzuar për ato që do t’ ia thonte Avni Ballës. Në fund, ia rrumbullakova me këto fjalë. ” Dëgjo vëllán këtu! Kjo zgjidhje s’ është ideale, por na jep mundësi ta mbajmë shoqatën edhe pak. Të paktën deri në vitin e ardhshëm.”
“ Ideale – jo, por më e mirë se kjo që kemi,” tha Hajdari. “ Ik rehat, se atë punë ta mbaroj vetë.”
“ Ani natën e mirë, pra.”
” Natën e mirë!”
Zoti Avni Balla ishte nga Struga. Ai tërë jetën e kishte shkuar në Suboticë dhe s’ kishte njeri tjetër pos zonjës së tij. Si ushtar i njërës nga brigadat partizane ishte plagosur në Srem dhe s’ do të shkilte kurrë në Suedi sikur të mos e ndihmonin dy fshatarë të varfër hungarez dhe goca e tyre Ilona. Pak muaj pas çlirimit të Vojvodinës, ai martohet me gocën e tyre dhe punësohet në një ndërmarrje bujqësore si makinist. Aty jeton relativisht mirë, me shtëpi e begati, deri në nëntor të vitit 1956, kur shumë hungarezë ia mbathin drejt Austrisë. Edhe çifti Balla, që s’ kishte ndonjë arsye të rrinte në Jugosllavi, iu bashkangjitet mërgimtarëve. Ndryshe nga hungarezët tjerë, që preferonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglinë e Australinë, këta kërkojnë të vijnë në Suedi. S’ kishin fëmij dhe zotëri Avniu, sa herë që donte të çmallej me prespanët, e merte zonjën Ilona dhe vinte në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira. Ne, për hir që ishte i urtë e fisnik, e kishim caktuar si kryetar të Komisionit zgjedhor.
Ai ishte i qetë dhe banonte në një shtëpi që gjendje prapa ”klubit” të Safet Plluqkës. Mjerisht, atë natë s’ mundesha t’ i shkoj në shtëpi se pak ditë më parë më  kishin kërkuar ata të Institutit të Gjuhëve Romane dhe më kishin pyetur nëse doja ca numra të revistës ”Nëntori”?! Ata s’ kishin njeri që merej me gjuhën shqipe dhe, duke qenë se iu duhej vitrina, donin t’ i hidhnin në plehurishte. Kuptohet që i doja, edhe pse s’ kisha ndonjë idé për sa numra bëhej fjalë.
Sot, dyzet vjet pas asaj ngjarje, ngutja ime për t’ i marë ata numra të ”Nëntorit” duket qesharake, por të tilla ishin kohërat. Ajo epokë ishte më e thata e kulturës shqiptare. Edhe sikur të kishe miliona në xhep, s’ gjeje dot libra në gjuhën shqipe. Lere pastaj që as Ndërmarrja Shtetërore për Botimin e Librave, as administrata e saj, as Dogana shqiptare, as shërbimi postar, asgjë s’ funkciononte si duhet. E vetmja mënyrë për të blerë ndonjë libër ishte ta vizitoje Shqipërinë, por as kjo s’ ishte e lehtë, se regjimi i Enver Hoxhës s’ i donte turistët. Mbetej ndonjë turist shqiptar, po cili qytetar shqiptar – pos funkcionarëve të lartë – kishte mundësi të dilte nga Shqipëria? Dhe cilin libër mundej të ta sillte pos veprave të Enver Hoxhës?
Këtu dua të shtoj edhe diçka tjetër. Unë s’ i takoja kategorisë së pasanikëve të mëdhenj. Nuk shisja hashash apo lavire polake që të endesha nëpër Evropë dhe të kërkoja libra. Ç’ është e drejta, s’ kisha as televizor te shtëpia dhe ato pak gjëra që ndodhnin sot i mësoja të nesërmen, kur ulesha për kafe dhe e shfletoja gazetat e përditshme. Rrjedhimisht – goxha i lodhur nga peripecitë e asaj dite, parashikimet dhe opicionet që m’ i kishte shtruar Hajdar Reçi, gjërat që kisha mësuar nga miqët danezë, birra dhe duhani që kishim konzumuar gjatë rrugës, etjera, etjera, – sapo hyra në shtëpi, e zura njërin nga numrat e ”Shenjëzave” dhe vendosa të fle herët. Tani ishte i vetëm. Fundja, unë s’ kisha ndonjë arsye të shqetësohesha për ditën e pasnesërme dhe të vuaja si shoku Kryetar. Le të bëhej si të donte populli.
Të nesërmen u zgjova herët, mora një çantë të madhe dhe dola në Krydgord për t’ i mbajtur orët. Moti dukej i mirë, dita dukej e qetë, e patrazuar, dhe fëmijët luanin n’ oborr. Por godina ishte veshur në një heshtje të rëndë dhe gjëja e vetme që dëgjohej në fundi të korridorit, ishte zhurma e pazakonshme e një televizori të hapur që raportonte për diçka të pazakonshme, me zë të lartë… Ça kishte ndodhur, vallë? Mos kishin bërë kroatët ndonjë kërdi? Pak kohë më parë ata e kishin vrarë Roloviqin, ambasadorin jugosllav, dhe premtonin vrasje të reja… Kjo puna e pengjeve, atentateve dhe kidnapimeve kishte marrë përmasa të ngjethshme.  
Bëra para dhe, kur iu afrova zyrës së arsimtarëve, pash se të gjithë kolegët ia kishin ngulur sytë televizorit dhe kundronin një godinë trikatëshe të cilën e kishte përpirë flaka. Çuditërisht, ajo s’ ishte si ato shtëpitë përdhese të Viet Namit, të rrethuara me palme e gjelbrim të bujshëm, por një trikatëshe e bardhë skandinave, dhe gazetari, zoti Bu Holmstroem, raportonte drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Skena s’ ikte nga ekrani: një zjarr i lartë, që flakëronte pa pushim, muri anësor i ndërtesës i zi katran, rreth e përqark godinës një lëvizje e madhe e forcave policore, të cilat e mbanin ndërtesën nën vëzhgim. Herë pas here rrokullisej ndonjëri prej tyre para ose prapa, ulërinte ndonjë makinë e urgjencës, ndërsa gazetari Holmstroem, që dukej relativisht i tronditur, vazhdonte të raportonte për atë ngjarje që ishte zhvilluar gjatë kohës që pinim çaj në Kopenhagë. Ajo kishte filluar pasdite dhe kishte zgjatur deri në mesnatë.
” Ça ka ndodhur, Liliana?” e pyeta mësuesen e Lulit.
” Mos pyet! Terroristët e kanë sulmuar ambasadën e Gjermanisë Federale dhe kanë vrarë disa veta,” tha ajo. ”S’po dihet as sa ishin, as ça kërkonin. Ti e di si janë këta tanët… Veç shikoi shtrembët, se i mbushin brekët…”
” Shumë interesant,” i thash. ” Dje isha në Danimarkë dhe u ktheva goxha herët në Malme, po s’ vura re diçka të parëndimtë.”
” S’ kishe si të merje vesh kur ata e morën ambasadën me sulm dhe vranë secilin që provonte të komunikonte me Policinë suedeze. Dale sa të largohet policia, se do dalin shumë të palara në sipërfaqe.”  
” Nejse, dhuna ka ardhur edhe këtu dhe po vret të pafajshëm,” i thash. ” Njësoj siç po çohet nga nga Kampuçea e po shembet mbi njerëzit e pafajshëm në Laos e Viet Nam.”
” Njëmend të pafajshëm,” tha Liliana.
Atë ditë, deri sa unë e Hajdari po pinim birrë në kuvertën e anijes daneze, para Ambasades Gjermane kishin mbërritur gjashtë qytetarë të panjohur gjermanë, pesë burra dhe një grua, dhe pa u stepur fare kishin hyrë në recepsionin e saj. Sëpari e kishin lidhur recepsionistin, një gojëkeq që i kishte pritur me fjalë, pastaj i kishin lidhur edhe vizitorët që kishin qëlluar brenda…
Sjellja e tyre s’ i kishte pëlqyer asnjërit nga zyrtarët e ambasadës dhe – më së paku – zotit von Mirbach që ishte atashé ushtarak. Ai del që t’ ua tregonte vendin, por fjalori i tij s’ i kishte  penguar aspak belaxhinjtë e porsaardhur ta egzekutonin në vend…
Të shtënat e automatikëve dhe klithmat e njerëzve që iknin nëpër dritare, i bien në sy policisë suedeze, por ajo s’ kishte ndonjë përshtypje të qartë përse bëhej fjalë. Perpjekjet e saj për të hyrë n’ oborrin e ambasadës u priten me zjarr dhe shumë policë mbetën të plagosur. Pushtuesit e ambasadës, të armatosur deri në dhëmbë, s’ kishin punë me Suedinë… Ashtu kishin deklaruar nga dritarja… Por as Suedia s’ duhej të përzihej në punën e tyre… Përndryshe, të gjitha pengjet, duke filluar nga ambasadori e deri te nëpunëset, do të egzekutoheshin si ai që e kishin fërfëlluar në shkallë…
Policia e kishte zënë macen për bishti. Ajo sulet edhe një here drejt Ambasadës por s’ ia del të përparojë as deri te shkallët, ku ishin fërfëlluar kufomat e diplomatëve të vrarë. Pushtuesit, të paisur me altoparalant, edhe një here ia bëjnë të qartë Policisë se nuk janë në luftë me Suedinë por me Gjermaninë… Ata kërkonin që Gjermania Federale t’i lëshonte nga burgu 26 anëtarë të organizatës RAF, brenda mundësisë para orës nëntë të mbrëmjes, plus dalje të lirë nga vendi. Poqe se ky kusht nuk plotësohej, ambasada do të fluturonte në ajr dhe të gjitha pengjet do të ekzekutoheshin në vend.
Atë çast që ne kishim mbërritur ardhur në Malme, kati i tretë i ambasadës kishte fluturuar n’ ajr dhe një flakë e madhe, e përzjerë me tym të zi, e kishte ndriçuar qiellin. Nga dritaret e katit të dytë kishin dalë klithma të grave e burrave dhe rafale të herëpashershëm të automatikëve. Afro njëzet policë, diplomat e terroristë ishin të lënduar, por drama kishte vazhduar edhe pas mesnatës. Kjo ishte të paktën ajo që kishte ndodhur…
Për here të parë, pas njëqind e pesëdhjetë vjetësh, dhuna kishte zbarkuar në Stokholm dhe banorët e tij, të cilët ditë për ditë i shihnin të tjerët duke u djegur me napalm, u ballafaquan me fytyrën e vërtetë të luftës. Drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Pa mundësinë më të vogël të largoheshin nga qyteti. Të gjithë ishin në vendin e ngjarjes: ministri i drejtësisë, ministri i punëve të brendshme, zjarrfikësit, autoambulancat dhe aty këtu ndonjë gazetar. Megjithate, sipas zotit Palme, edhe një herë kishte triumfuar demokracia. Të paktën, ashtu shkruanin gazetat e përditshme…
Ata të Institutit për Gjuhë Romane më pritën mirë. Zonja Inger Enkvist, specialiste e gjuhës spanjolle, një grua e këndshme dhe e dedikuar për lëndën e saj, më njoftoi se asnjëri nga studentët e saj s’ ishte i interesuar ta shfletonte atë revistë që kishte zënë dy vitrina të mëdha. Ajo, pasi kishte biseduar edhe me rektorin e atij instituti, kishte vendosur t’ i flakte në kontejner dhe t’ i zëvendësonte me revista të freskëta latino-amerikane.
” Kështu që mund t’ i marr të gjitha,” e pyeta.
” Merrnin dhe ua pafshi hajrin,” më tha ajo.
Unë, me një gëzim të pafshehur, i mblodha të gjithë numrat dhe i palova nëpër qese. Ata s’ kishin asnjë vlerë për studjuesit e gjuhëve latine, por për mua që dëshiroja të njihesha me hapat e parë të letërsisë soc-realiste, ishin interesantë. E falenderova nga zemra dhe, për ta kursyer veten nga gjithë ajo peshë, e luta të ma porosiste një taksi nga zyra e saj.
Atë natë s’ doja të takoja njeri. Kisha përvojë të hidhur nga mbledhjet e gjata shqiptare dhe, për t’ iu shmangur intrigave të Safetit, e luta Rezánë, fqiun iranez, të mos dëftonte se isha te shtëpia. Ndieja nevojë ta shlodhja trurin me çfardo punimesh që ishin botuar n’ atë revistë të lidhur keq dhe të dilja nesër  i freskët dhe përqëndruar… Dhe kisha patur nevojë , se të nesërmen u zgjova si tjetër njeri. Ndonëse i lodhur, isha më i gatshëm për surprizat e asaj dite.
Përjashta mbretëronte heshtja. Asnjë zë njëriu, asnjë oshtime makine. Qielli kishte veshur një këmishë të murrme, ajri ishte i ftohtë, dhe perdet e sallonit flatëronin në erë. Duhet të ha mirë, mentova. Kjo mbledhje do jetë e gjatë dhe ka mundësi të shtyhet. Shi për ate arsye, shtrova dy thela bukë, fërgova dy vezë dhe, pasi e mbusha tasin me kafe, u ula në ballkon. Pa marrë parasysh freskun që vinte nga Deti Baltik, ajo ditë ishte e bekuar dhe unë, mysafiri i saj i paftuar, s’ kisha arsye të shqetësohesha për asgjë. Duhesha të jem i lumtur që populli im ishte gjallë dhe s’ e kishte përjetuar fatin e trojanëve, hetitëve apo kartagjenasve. Ai jetonte dhe, me pak vullnet, do të dilte nga zgjedha e armiqëve të tij.
Aty nga ora dymbëdhjetë, dymbëdhjetë e diçka, vesha një xhaketë ngjyrë kafe dhe dola në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira. Ajo ishte e hapur dhe goxha shumë resnjarë, të njohur e të panjohur, ishin ulur përballë banakut dhe pinin kafe e kuvendonin me zë të ulët. Jani, drejtori i Shtëpisë, më njoftoi se salla ku do të mbahej mbledhja ishte ajrosur që nga ora nëntë, tavolina që duhej për kryesinë e mbledhjes ishte shtruar dhe altoparlantet e vendosur në të dyja anët e sallës dukeshin në rregull.
Unë e falenderova dhe i përshëndeta me dorë të tjerët. Jo, asnjë anëtar i kryesisë, me përjashtim të Hajdarit, s’ kishte gabuar të vinte para kohe. Edhe kjo shenjë që propaganda elektorale kishte vazhduar deri n’ orët e vona të natës. Hajdari dukej i dëshiruar të bisedonte me mua. Me të parë se bleva një kafe dhe po shkoja drejt zyrës, seç i tha Selim Brahajt në vesh dhe u turr pas meje. Ata tjerët – Ibrahim Plluqka, Alixhan Dallanguzi dhe Hysen Kaja – paguan kafet dhe ikën përjashta.
” Dje të kam kërkuar gjithë ditën, po ai kojshiu yt më tha se s’ ishte brënda,” më tha me zë qortues.
“ Ti e di që isha në Lund dhe duhej të merja ca libra,” i thash. ” Pasdite s’ isha në gjendje të takoja njeri, se e ndieja veten të lodhur. Ti e di që këto mbledhjet tona janë maratonake.”
” Kjo do jetë e shkurtër,” tha ai. ”Jo pse dua unë, po ai vetë është i lodhur.”
” Kush ashtu?” e pyeta.
“ Safeti, kush tjetër.” Ai dukej i pakoncentruar, por vazhdoi të dëftonte.” Dje ka pirë gjithë ditën. Sëpari në “Golden Rose”, pastaj n’ atë klubin e Komunales që e ka bërë si të vetin. Më vjen keq që po filloj me thashetheme, po ai është matrapaz i vërtetë. E kish zënë Xhemal Fetiun, Fadil Gashin, Bahri Zujferrin e Haki Jasharin dhe po i përpunonte mer rrena. A e dini kush e ka formuar Shoqatën, i pyeste. Jo, i thoshin ata. Ai, Safet Selimi, e kishte formuar… Ai, Safet Selimi, na kishte gjetur lokal… Ai, Safet Selimi, na kish sjellë Ismet Vrellën… Ai, Safet Selimi, e kishte fejuar me atë bjonden suedeze… A ishin të ndërgjegjshëm se pas të gjitha të mirave që na kishte bërë, ne po e bënim kurban? Ata i thoshin po, o vëlla, po…”
” Këto i ka demokracia,” i thash. ” Secili ta shet gjizën për djathë dhe nuk bie në burg.”
Hajdari e zuri kokën me dorë.
” Nejse,” tha. ” Gjatë shërbimit ushtarak kam qenë në Kurdistan dhe kam parë lloj lloj kapsamuni: hajna, doracë, partizanë kurdë, varfanjakë, rrenacakë e gërzhaqë të ndryshëm, por matrapaz më të madh se këte s’ kam parë gjëkundi. Ore, vëlla! Ky sikur ka shkuar në akademi treatrale dhe për ta luajtur një rol sa më mirë ka ushtruar me muaj. Njëherë dehet me ty, të qeras, pastaj fillon të të ngërmohet, të të provokojë, deri sa të fillosh t’ i thuash “amin, o Safet”, ”amin, o Safet”… Ashtu bënte dje. Ai iu ngërmohej atyre kllaposhave, ata e ulnin kokën. Ai qante, ata e ngushllonin… Kam përshtypje se ai është më esull kur pi dhe atë çast që e zbraz një gotë, e pushton një dëshirë e papërmbajtur për ta luajtur rolin e Otelos…”
” Ai është mashtrues, o vëlla,” i thash. ” A çohemi, se njerëzit kanë filluar të hyjnë në sallë.”
” Çohemi,” tha.
Një fjalë popullore thotë: Më mirë ta ndezësh një qiri, se të rrish e të mbytesh n’ errësirë. Që ta them të drejtën, atë ditë s’ kisha shpresa për dritë, sepse qëndroja para një vargu anomalish. Ajo më e madhja ishte – kokëfortësia shqiptare. Shqiptarët janë bujarë, zemërgjërë, të njerëzishëm, mikpritës, kurreshtarë, por në relacion me njëri tjetrin – kokëfortë dhe të paarsyeshëm. Kjo, kuptohet vetvetiu, që s’ vlen për të gjithë por ka të bëjë me pasionin e tyre për ta quajtur të bardhën të zezë edhe kur është ditë më drekë dhe dielli gjendet në pikën e zenitit. Çuditërisht, atë ditë dola i lajthitur…
Sot, dyzet vjet pas asaj ngjarje, s’ po marr guxim të spekulloj nëse vendimet e saj pasqyronin opinionin e ri të anëtarëve të shoqatës apo ishin rezultat i gatishmërisë time për ta sakrifikuar idealizmin n’ interesin e atyre që e quanin veten “punëtorë të inkuadruar jasht atdheut”. Para së gjithash nuk dua ta zvogëloj angazhimin e sinqertë të miqëve Sami Dashi, Avni Balla e kushërinjëve Reçi, të cilët ishin të palodhur në përpjekjet e tyre për ta mbajtur shoqatën sa më të pastër nga fryma jugosllave. Kjo është arsyeja pse s’ po dua ta “kripë” ecjen e saj me analiza e hamendje të panevojshme, por po e ndërtoj nä bazë të të dhënave që janë shënuar në procesverbal.
Pak para orës një, deri sa anëtarsia po priste në sallë, në hyrjen e saj dha pah edhe Safet Selimi. Këtë herë i rruar, i qethur dhe i veshur në një kostum vija – vija. Pas tij erdhën kushërinjtë Gashi, Sami Dashi, Rasim Ahmeti, Ismet Vrella, Ajet Abdyl Latifi dhe disa miq tjerë që s’ i kisha takuar më parë.
Unë i përshëndeta dhe ua kujtova se duhej të fillonim. Ata ishin të vrenjtur; shenjë kjo, se para se të hynin brënda, kishin patur fërkime me njëri tjetrin. S’ ka nevojë të cekë se ata, edhe pse ua kisha dorëzuar raportin e aktiviteteve tri javë më parë, s’ e kishin shfletuar aspak. Aq më pak e dinin procedurën që duhej ndjekur gjatë mbledhjes. Kryesorja ishte – të vinin, të ziheshin pak me njëri tjetrin, të zgjidhnin ndonjë kandidat që s’ iu prishte punë me Jugosllavinë dhe t’ i ruanin pasaportat. Këte s’ e thonte asnjëri, por si unë, ashtu dhe Hajdar Reçi, Avni Balla e shumë të tjerë, e dinim përmenç.
Më në fund, Safeti brofi në këmbë dhe, pasi e nxori një letër nga xhepi, e deklaroi mbledhjen të hapur. Ai konstatoi se sipas listës që ia kisha dorëzuar, në mbledhjen e asaj dite ishin të pranishëm 63 veta dhe, nëse i llogaritnim edhe 63 gra, që s’ mundeshin të jenë me ne, bëheshim dyfishi. Ai i thirri të pranishmit të zgjidhnin një kryesi të mbledhjes. Avni Balla më propozoi mua si kryetar të mbledhjes, ndërsa Fadil Gashin si sekretar.
Menjëherë pas atij akti, mbledhja vjetore kaloi në veprim.
Safet Selimi raportoi gojarisht mbi aktivitetet e Shoqatës gjatë vitit 1974: si u themelua shoqata, cilat aktivitete zhvilloi, si mori kontaktet e para me organet e Bashkisë dhe sa kishte arritur gjatë asaj periudhe. Ai e përfundoi fjalën me një bindje të plotë se “Vëllazërimi” ishte stabilizuar, kishte mjaft aktivisë, si të rinj ashtu dhe të moshuar, kishte blerë ca kostume kombëtare, kishte vulën e saj, kishte instrumentalistë e valltarë, kishte një seksion të rinisë dhe njihej nga të gjithë si Shoqata Kulturo-artistike ”Vëllazërimi”.
Edhe unë raportova mbi ecjen kulturore të shoqatës dhe shtova se ” Vëllazërimi” përpos tjerash, e kishte gati një fletushkë informative dhe ajo, pas premtimit të zonjës Bauth të na ndihmonte me dymijë korona, ishte dorëzuar në shtypshkronjë.  
Saliu e lexoi raportin ekonomik dhe e ceku se “Vëllazërimi” s’ kishte as borxhe, as të ardhura. Arka e shoqatës ishte – siç tha ai – “tari tangall”.
Ismet Vrella raportoi mbi provat, interesin e të rinjëve dhe çfaqjet që kishim dhënë gjatë atij viti.
Menjëherë pas tyre, fjalën ia dhash Ibrahim Gashit. Ky e ceku se shoqata – në aktivitetin e saj – kishte patur edhe suksese, edhe dështime – por të gjitha fajet ia la mungesës së përvojës. Pas një kontrolli që kishte bërë një muaj më parë dhe konstatimit se gjërat dukeshin në rregull, ai i propozoi që mbledhja vjetore ta lironte kryesinë nga përgjegjësia dhe çfaqi bindje të plotë se gabimet e bëra nuk do të përsëriteshin më.
Mbledhja e liroi kryesinë nga përgjegjsia dhe kërkoi të lexohej projekt – rregullorja që kishim hartuar unë, Avni Balla dhe Safet Selimi. Unë ua lëshova të gjithëve nga një kopje dhe e lexova tekstin e saj kapitull pas kapitulli. Rregullorja, me dy shtojca të vogla, u pranua ashtu siç e kishim hartuar dhe mundej të aplikohej që nga çasti kur ta miratonte mbledhja vjetore.
Tani kishte ardhur çasti kur të pranishmit duhej të provonin se sa ishin dhe sa s’ ishin të kënaqur me punën tonë. Ne ishim të përcaktuar për një rrugë, por nëse mbledhja vjetore kërkonte prej nesh, duhej të bënim edhe kompromise. Vetëm e vetëm që t’ i zbutur kontraditat dhe për të mos dalë si një popull i përçarë.  
Unë, pasi e ceka rëndësinë e kësaj pike, ia dhash fjalën Samiut që të nënvizonte se shoqata ishte një organizatë kulturore dhe ajo përfaqësonte interesat e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se ku ishin lindur, ku kishin jetuar dhe çfarë bindje politike kishin.  Pastaj i pyeta për mënyrën se si do të shkojmë në zgjedhje: me votë të hapur apo me votë të mbyllur.
Të pranishmit çfaqën dëshirë të zgjidhnin me votë të hapur.
” Atëbotë fjalën po i a japim kryetarit të Komisionit kandidues, zotëri Avni Ballës,” thash unë. “Urdhëroni zotëri Avni!”
Zotëri Avniu s’ ishte vetëm  njeri i butë por dhe një strateg i shkëlqyeshëm. Pas ”selamit” që ia kisha nisur dy ditë më parë dhe analizës që i kishte bërë klientelës së Safet Selimit, ai i kishte mbledhur të gjitha argumentet shuk dhe i radhiti para të pranishmive me një zë t’ atillë sa të gjithë mbetën pa gojë.
” S’ di a po më njihni,” tha ai. “ Unë jam nga Struga dhe shpesh herë vij këtu të çmallem me juve. Juve kjo gjë ju duket lakror me hithra, po puna që po bëjnë këta miqët, që nga i pari e deri tek i fundit, duhet respektuar. Këtë punë duhet ta bëj dikush – dhe nëse e bën falas, na duket më e shijshme… Tani kështu qëndron puna… Nëse më pyesni mua se cilët janë burrat më të përshtatshëm për ta drejtuar këtë shoqatë, unë do t’ u thoshja: Avni Balla është i mirë për kryetar, Xhemal Fetiu për sekretar, Bahri Zujferi për arkatar, etjera, etjera. Por Avni Balla – dhe ai burrë jam unë – sado i mirë t’ ju dukem, nuk jam personi që ju duhet. Pse, do thoni. Sepse unë jam emigrant, ndërsa ju jeni ”punëtorë të inkuadruar jasht atdheut.” Unë ju kam vëllezër. Ky është shkaku pse vij e rri me juve, por s’ dua t’ ju nxjerr punë me policinë jugosllave. Më së paku dua që të keni punë me policinë jugosllave… Duke u nisur nga kjo pikë… Pra… Nga dëshira ynë që të shkoni e të ktheheni pa asnjë ferrë në këmbë, propozoj që kryetari dhe nënkryetari të mos jenë emigrantë, ngaqë fjala emigrant tingullon keq në Jugosllavi. Postet tjera mund t’ i mbushni me çfardo anëtari, se ajo s’ është e qenësishme, por kurrësesi dy të parët, sepse këta duhet ta lidhin shoqatën me krejt atë copë që flet shqip… Që nga Manastiri e deri në Ulqin… Këta, nëse e do nevoja, duhet të shkojnë edhe në Legatën Jugosllave, edhe në Komitetin Krahinor, edhe në Komitetin Qendror të Jugosllavisë… Për këtë arsye kemi menduar ta propozojmë Ismet Vrellën si kryetar, ndërsa Fadil Gashin si nënkryetar… As i pari dhe as i dyti s’ janë emigrantë dhe mund të shkojnë e të kthehen nga Kosova kur të donë… Për postet e sekretarit, arkatarit, udhëheqësit të valleve, udhëheqsit të muzikës, etjera etjera, propozojmë këta anëtarë…”
Dhe zotëri Avniu lexoi emrin tim, ate të Safet Selimit, Sami Dashit, Ajet Abdyl Latifit, Rasim Nerezit, Bahri Zujferit, Muharrem Kërcovës, Xhemal Fetiut, Fehmi Resnës, Adem Resnës, Ejup Jasharit, Emin Abdiut, etjerë, etjerë.
Nëpër sallë kaloi një shushurimë e lehtë. Ajo mundej t’ ishte gjithçka: pakënaqësi, sharje apo hidhërim, por unë isha tepër larg për ta klasifikuar si duhet. Tani që përfaqsuesi i Komisionit kandidues kishte dalë me një propozim konkret, duhej të bëja para dhe të mos e leja në baltë.
” Zotëri Avniu propozoi që Ismet Vrella të jetë kryetar i ardhshëm i Shoqatës Kulturo-artistike ”Vëllazërimi”, thash dhe prita pak për ta shtruar pyetjen time. ”Mos është dikush kundër këtij propozimi?”
Heshtje e rëndë. Përjashta kishte filluar një rigë e fortë shiu. Kjo ishte vetëm riga e parë, por kishte rrezik të vinin edhe riga tjera dhe shiu ta mbulonte Rusengordin, Malmen, Rrafshin e Skonës, Detin Baltik, Gjermaninë, po edhe botën… Tani mundej të gufonte edhe Deti i Veriut e ta mbulonte Norvegjinë, Suedinë e krejtë Rusinë deri n’ Ural, por një ditë do të kthehej në shtratin e tij dhe dielli do të çfaqej prap në qiell.”
” Asnjë kundër. Konstatoj se mbledhja e zgjedh Ismet Vrellën për kryetar të Shoqatës ”Vëllazërimi” me një mandat dyvjeçar. Kalojmë tani te propozimi numër dy. Komisioni Kandidues propozon Fadil Gashin si nënkryetar të Shoqatës ”Vëllazërimi”. Kush është kundër këtij propozimi?”
Prap heshtje e rëndë. Disi e mundimshme.
Dhe kështu me radhë e zgjodhëm sekretarin, arkatarin, anëtarët tjerë të kryesisë, zëvendësit e kryesisë dhe anëtarët e komisioneve të ndryshëm.
Në fund, pas një diskutimi goxha të ashpër midis Samiut dhe Ajet Abdyl Latifit, mbledhja vjetore konstatoi se Shoqata kishte një kryesi të re, një zyrë, një vend ku fëmijët ushtronin këngë e valle, por ndonjë lokal s’ kishte, sepse marrëveshja që Shoqata kish patur deri n’ atë ditë me Komunalen merte fund menjëherë pas mbledhjes vjetore. Të gjithë çelësat duhej t’ i dorëzoheshin Safet Selimit.
Me kaq i dhamë fund asaj mbledhje dhe ne, si kryesi e porsazgjedhur, para se ta nënshkruanim procesverbalin e mbledhjes, mundeshim të konstatonim se Shoqata Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” edhe një herë doli nga ”bodrumi” i Safet Selimit dhe të gjithë, që nga Ismet Vrella e deri te anëtarët më të thjeshtë, ishin të sigurtë se veprimtaria që do të zhvillonim në vjeshtë do t’ ishte më e painfektuar nga interesat e dallkaukëve shqiptarë që s’ kishin tjera ambicje pos të na shfrytëzonin për interesa vetiake.
Këtu po më duket me vend të ndalem në pyetjen që Zotrote ma kishe shtruar lidhur me aktivitetin e pastajmë të Shoqatës Kulturore ”Vëllazërimi”. Ti shkruan:
”Para mbledhjes vjetore ju ushqenit shpresa se, me zgjedhjen e një kryesie të re, do ta ndanit shapin prej sheqeri dhe do të zhvillonit një veprimtari më të shëndoshë kulturore, gjë që dëshmojnë edhe çfaqjet që keni dhënë në Kopenhagë, Orhus, Odense, Olborg, Lund, Ystad e Geteborg. Këtë veprimtari e vazhduat edhe gjatë vitit 1976, 1977 e 1978, kur do të mbahej një mbledhje e rregullt vjetore dhe, me propozimin tuaj personal, Shoqata e ndërroi emrin e saj. Nga nëntori i vitit 1978 shoqata quhet Shoqata Kulturo – artistike ”Kosova” . Pyetja ime është: A mund të themi se Shoqata, me zgjedhjen e kryetarit të ri, doli nga amullia dhe ndoqi rrugën e saj me faqe të bardhë?”
Që ta them të drejtën: jo, mik i dashur. Pyetja yte, sidoqoftë, dëshmon se Shoqata Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” deri në nëntor të vitit 1978, kur u pagëzua me emrin e lartpërmendur, nuk u lëkund para intrigave, shantazheve dhe grackave që kurdiseshin nëpër konaqet e ”punëtorëve të inkuadruar jasht atdheut” dhe meriton një vëllim të ri artikujsh mbi endjet e saj nëpër moçalet e titizmit kosovar.
Por duke qenë se kam ardhur në një pikë kur edhe ky kapitull duhet të përfundoet, do ta dëftoj një proverb arab.
Një kohë, kur bota islame ishte në zenitin e zhvillimit të saj, troket një lajmëtar në derën e sheikut Abdel Aziz al Muktafi dhe kërkon leje ta njoftojë për diçka. – Hë, more, ç’ lajm po më sjell, e pyeti zotëria. –   Zotëri, s’ është një po janë dy, i thotë ky. Njëri është i mirë, tjetri i keq. Me cilin të filloj? – Fillo me të keqin, se kur të mbarosh me të, vjen i miri, i tha al Muktafi. – Ani po filloj pra. Dje pasdite, deri sa njëra nga pelat tua ishte duke u shlirua nga barra e shtatzanisë, e sulmon një luan dhe e mbytë në vend. – Jazëk i qoftë atij të mallkuari, thotë Al Muktafi. Ma paska vrarë kafshën me pahir. Po ai lajmi i mirë? – Lajmi i mirë është se pela e ngratë, para se ta hante ai ugursuzi, e kishte bërë një mëz të vogël dhe ajo është shëndosh e mirë.”
” La ilahe il Allah! I madh është Krijuesi i të Gjitha Gjithësive,” tha al Muktafi dhe ia dha lajmëtarit një monedhë të artë.      

Shkruan: Ramadan Rexhepi