SHPËRNDAJE

Tani që po e ndiqja rrugën që do më nxirte në krahun lindor të lagjes, unë po e shoshisja çeshtjen me gjak të ftohtë dhe s’ e kisha të qartë nëse vendimi i Këshillit Bashkiak shënonte ngjitje apo rënie për neve, kurbetqarët shqiptarë?!. Herë – herë më dukej ngjitje, se puna jonë shkonte mirë, marka gjermane forcohej dhe Serbia do të largohej nga Kosova, por lotët e Xhevaires më gurëzonin në vend. Sa herë më kujtoheshin lotët e saj, ngazëllimi im, si një gjarpër i akulltë,  me vrap ma shtrëngonte trupin. Askush në botë s’ më bindte se droga shënonte ngjitje, famë, begati. Ajo, për mendimin tim, shënonte papërgjegjësi, sadizëm, mjerim dhe rënie. Rënie morale, jo materiale.
Sidoqoftë, ai filloi rishtaz të dukej në Rusengord. S’ dilte si vitin e kaluar, kur pinte kafe me Zarifin dhe lëshonte ndonjë gënjeshtër, por sa herë që kalonte nëpër Qendër, – krejt shkarazi, krejt rastësisht, sikur hante petulla të spërkatura me sheqer – e zente ndonjërin nga shqiptarët për krahu dhe, pasi e joshte me llafe deri te makina, e çonte te djerrina që gjendej përtej “Murit”… Atje kuvendonin, bisedonin  dhe e studjonin vendin ku do të pushonin dëshmorët e  parë të fesë islame. Pastaj, pasi merreshin në grykë me njëri tjetrin, ata ktheheshin prapa dhe vazhdonin ta gërvishtnin atë plagën tjetër, të cilën askush s’ donte ta shqiptonte me zë të lartë: ikjen e motrave myslimane me kaurrët suedezë. Ato s’ ishin të pakëta, more vëlla. Deri sa tëre ditën e lume rrinin para pasqyrës dhe beltriseshin me parfum bullgar, ta thot mendja që një ditë do t’ i nxiste kurreshtja për qejfe të paprovuar. Sa ishin të vogla, baballarët i bënin zap me fjalë e flakaresha, por me pjekjen e shtatit të tyre, piqej edhe dëshira për t’ u shtytur, për t’ u prekur e për t’u puthur me ndonjë  kaurrtë mallkuar.
Ai kishte shumë shkaqe të jetë i kënaqurme veten. Kur ishte ngjitur në trenin që do ta sillte në Kopenhagë s’ kishte pos një pashaport, një kostum të blerë në Bit Pazar dhe një çante që ia kishin dhënë kushërinjtë e tij nga Yskydari. S’ ka rëndësi se ç’ përmbante ajo dreq çante. E rëndësishmja ishte që ta sillte në Kopenhagë dhe t’ ia dorëzonte Zylbeharit. Dhe ja ku e kishte sjellë i Madhi Zot: ai kishte dy gra, njërën zyrtare, tjetrën jozyrtare, ai kishte katër fëmij, tre që mbanin mbiemrin e tij dhe një që mbante mbiemrin e së jëmës, ai ishte gjithnjë kryetar i Famullisë Myslimane, ai ishte gjithënjë arsimtar i ciklit të lartë, edhe pse kurrë s’ kishte shkelur në një shkollë normale, ai ishte gjithnjë përfaqsues i myslimanëve Këshillin Besimeve të Lira dhe gjithnjë ortak me firmën ”Skania”, që më vonë do ta ndërtonte Qendrën Islamike. Tani që vetë, me dorën e tij, e kishte kërkuar një ngastër për varreza dhe Bashkia ia kishte miratuar dëshirën, Nevzati e ndiente veten mbret përballë atyre abdallëve turq e arabë që, ndonëse s’ nxirnin qime nga qulli, donin byrek për darkë. Dhe jo vetëm kaq. Ai do t’ ua dëftonte qejfin edhe atyre gërxhulave, pasanikëve arabë, që kërkonin qoshe për t’ i fshehur parat e të naftës. Dhe bënin mirë, se kush dreqin donte të plakej në Gadishullin arab, kur dielli të përcëllonte si saç?! Ai e kishte nuhatur oreksin e tyre për fllad dhe e dinte fort mirë se, pa ndihmën e tij dhe sheik Ahmedit, toufikat dhe fajsallat s’ bënin punë.
Këtu e tutje Nevzati do mbante qëndrim. Deri n’ atë vjeshtë ai kish qenë i urtë e i përulur, se çdo kërkesë e popullit  kishte shkaqet e veta, por jo më tutje. Këtu e tutje ai s’ do t’ a falte askend.Tani ai kryekali i ardhur nga Kurdistani s’ kishte pse ankohej, se punonte për dy rroga. Rrogën themelore, ate që duhej për ta mbajtur familjen, ia kishte nxjerrë nga Zyra e Mirëqenies Sociale. S’ ishte e vogël ajo, se ishte dhjetë fish më e lartë se ajo që ia jepnin fshatarët turq. Megjithate, krahasuar me rrogat që mirnin torbeshët resnjarë, Omer Lutfiu e meritonte edhe një rrogë të dytë, të cilën s’ kishte nevojë t’ ia dëftonte askujt dhe, më së paku, atyre të Mirëqenies Sociale. Fundja, cili prift dëftonte për lekët që mblidheshin në kishë? Asnjëri. Paçka se imam efendiu duhej ta përmbushte detyrën e tij. Vetë Nevzati s’ e kishte marrë asnjë metelik nga ndihmat që vinin nga Arabia Saudite, Turqia, Bosnja e Hercegovina dhe Emiratet Arabe, por do vinte një ditë kur do të kërkonte llogari nga vëllezërit myslimanë. Do të vinte një ditë – dhe ajo ditë s’ ishte larg – kur do të miratohej edhe një ngastër tjetër toke, ajo për Qendrën Islamike të Malmes – dhe atëherë Nevzati do ta merte çekanin me dorë e do t’ ua vente lakrat përpara. Por ajo ditë ishte gjithnjë e largët, se duhej gjetur arkitekti që do ta vizatonte skeletin e Qendrës, duheshin bërë kontratat, duheshin konsultuar ekspertët dhe duheshin lutur dilinxhinjtë  arabë. E rëndësishme ishte se, pas daljes së truallit për varreza, disa obligime të tij mirnin fund. Aty e tutje imami duhej ta bënte punën e vet, edhe ate, duke i falë të pesë namazet e çdo dite. S’ kishte lidhje a shkonte a nuk shkonte populli. Ai duhej ta mbante ”xhaminë” hapur, se për ate punë e paguante Zyra për Mirëqenie Sociale. Pastaj vinin lutjet e ditës së Premte… Vinin lutjet e Ramazanit… Vinin lutjet e Bajramit… Sepse të gjitha ato korona shkonin në xhepin e tij… Por ato që do t’ ia përvlonin xhepin ishin – vdekjet… Lindjet jo dhe aq… Vdekjet…
Kështu e kishte jaradisur botën i Madhi Zot… Myslimanët mbarseshin si lepujt… Ata pak mërziteshin për lindjet, se ato i kalonin mepak petulla dhe tri kilo hallvë… Vdekja, ama, i tmerronte keq… Ajo ishte dramë me shumë akte dhe mjerë ai që i mbyllte sytë në vend të huaj… Kurmi i tij duhej larë, duhej qethur, duhej rruar, duhej mbështjellë me qefin, duhej shpënë në xhami, duhej nxjerrë para xhamisë dhe – përfundimisht – duhej përcjellë deri te ajo djerrina të cilën e kishte me tapi… E ato shërbime kishin një çmim… Tani Omer Lutfiu s’ kishte çare pa bashkëpunuar me te. Të gjithë e donin kosin, por kosi shitej mepare…
Si lum Alixhani që e kishte vëlla!..
Sa herë që kaloja nëpër Qendër, ate e shihja duke pirë kafe me Ajet Tetovën dhe Ibrahim Plluqkën. S’ kishin tjetër muhabet pos revanit të fesë islame në Lindjen e Afërme… Sipas Alixhanit, hyrja e ushtrisë turke në Qipro shënonte kthimin e fesë islame në trevat e moçme të Perandorisë Turke… Kot që çirreshin ata qafirët shqiptarë kundër fesë katolike e islame… Myslimanizma ishte e fortë, e çelniktë… Titua kishte të drejtë: Ardhmëria iu takonte myslimanëve… T’ ishte e kundërta, ai s’ do të mbahej me Xhemal Abdel Naserin, Ahmet Sukarnon, Xhava Hallall Nehrun dhe Hairli Selasin… Ai njëmend gënjente ngapak, se politika ishte kurvë, po ato i bënte ngaqë ishte mysliman dhe përpiqej t’ i kthente edhe serbët në fenë islame. Dale, si kishte thënë ai zotëria, zëvendëskonzulli jugosllav? Ai kishte thënë: “Ore vëllezër! Unë jam lindur në Doboj dhe veten e konsideroj serb, por qeveria që më ka emërtuar këtu po më quan mysliman. Qysh mund të jem mysliman kur jam serb dhe boshnjak?”  Po ai mundej të lehte sa të donte. Vet fakti që dy burra të mëdhenj, si zoti Nehru e zoti Sukarno, qëndronin në ballë të miliona myslimanëve, dëshmonte se shumë shpejt, madje më shpejt seç mendonim ne, Turqia do të kthehej në Ballkan. Ca ditë më parë Titua kish qenë edhe në Gjermani dhe ua kishte falë mëkatet gjermanëve. Atë punë e kish bërë se ishte njeri i mirë dhe çerek mysliman.
Këso bisedash shtronte edhe në ”klubin” e ”Vëllazërimit”. Për herë të parë pas themelimit të Shoqatës, ai dhe Ajeti pinin kafe sëbashku dhe s’ kishin tema më të nxehta se forcimi i myslimanizmës në Kosovë e Jugosllavi. 
Të gjitha këto s’ do më vinin në vesh sikur të mos ishte posta e atij çaprazit, Musa Kryeziut, që ishte kthyer prapa në vendlindje. Në mbledhjen e parë të kryesisë e kisha marrë përsipër t’ i njoftoja organet shtetërore se i lartpërmenduri kishte ikur nga Suedia dhe shkresat e tyre duhej t’ ia drejtonin Bedrie Briskut, ish bashkëshortes së tij, sepse askush s’ i hapte shkresat e paralajmërimet që ia dërgonin në shtëpi.
Duke qenë se të nesërmen do mbahej një mbledhje e re e kryesisë, mora shkresat që m’ i kishte sjellë Saliu dhe vendosa t’ ia çoj Haxhere abllës, që prore mbante lidhje me ish bashkëshorten e tij. Unë mundesha t’ ia lëshoj letrat edhe nëpër vrimën postare, por duke qenë se njihesha metë lartpërmendurën dhe gjithnjë më kishte pritur me duar të hapura, e lidha bicikletën poshtë dhe trokita në derën e saj. Bota pëshpërisnin lloj lloj gjërash për Shakirën, të bijën e Haxhere abllës, por plaka e kishte zemrën pogaçë. Të trokisje në derën e saj dhe të mos e pije një kafe prej dorës saj ishte punë që s’ bëhej. 
” Hajde. Urdhëro brënda,” më tha duke e hapur derën.
” S’ mundem, se më presin ca punë,” i thash.
” Këtu e kam gjyshen,” më pëshpëriti. ” Plakë është dhe ka nevoje për një çikë muhabet. Hajde pie një kafe dhe pastaj shko në punën tënde.”
” Po vi për hatrin tënd,” i thash duke i zbathur këpucat.
Gjyshja Azize ishte mbështetur në një divan të kaltër, ngjyrë kokoçeli, dhe herë e studjonte filxhanin e saj, herë kuvendonte me Shakirën. Si rëndomt, ajo e kishte mbuluar kokën me një shami pika-pika, por s’ i kishte fshehur flokët ngjyrë argjendi.
” Shyqyr që u pamë, se ka kohë që dua ta shtroj një pyetje,” i thash duke u ulur përballë. ” Si ke qenë me shëndet? Si po të trajtojnë këto motrat?”
” Mirë kam qenë, se po më ruan Zoti,” ma ktheu plaka duke m’ i picërruar ata sytë e saj mprefët. ”Po zotrote si ke qenë? Ça qënka ajo pyetje e rëndë që t’ paska lënë pa gjumë?”
” Mbase s’ është e rëndë, po e qenësishme,” i thash, duke dashur ta konkretizoja mendimin. ” Zotrote ke parë shumë insharete po ne, të rinjtë, s’ po dimë si t’ i shpjegojmë. A mund të di pse njëra palë e çelsave që paska gjetur Nevzati janë të bardhë, ndërsa tjerët janë të verdhë?”
” Që ta them të drejtën s’ mundem,” tha plaka. ” I madhi Zot, qoftë i lavdëruar emri i tij, më ka dhënë leje të flas vetëm për gjërat që duken e jo për ato që s’ duken. Por duke qenë se ty të kam xhan dhe Nevzatin e kam gjak, do ta shpalos atë insharet ashtu siç e kuptoj unë… Jo si e kuptojnë tjerët… Bota ka dalë nga binarët, o zotëri… Ajo po zien nga plehrat, makinat dhe pisllëku… Ku është parë që burri të martohet me burrë dhe gruaja me grua?Ku është parë që e krishtera të shkërmoqet me mysliman dhe myslimania me të krishterë?Këtu, o sultan, këtu. Si s’ më beson mua, ja ku e ke Shakirën dhe pyete. Po pyetja yte kishte të bëje me Nevzatin… Nevzati, o djalë, është gjaku im… Ai ha e pi e ia puth buzët një kaurre, por shtiret mysliman… Tani dëftomë ti, që je më i ditur: Ku është parë dhe në cilin libër është shkruar që Shejtani duhet të ndërtojë xhami? Paçka se kushëriri im po ndërton, edhe ate, me izën e hyqymetit suedez. Tani që ia paskan dhënë një ngastër me driza e manaferra, ai i ka rrasur një palë çelsa në xhep, ata të bardhët, dhe mundet të më flakë buzagaz në gropë… Ama ky është çereku i së  keqes… Atë ditë që do ta përfundojë atë xhaminë e tij, ai do t’ i fusë edhe çelsat e verdhë në xhep dhe myslimanët do bëhen ortakë me Shejtanin. Q’ aty e tutje myslimanët e këtij vendi, si të bardhët, ashtu dhe të zinjtë, do t’i gjunjëzohen Qoftëlargtit. Pse do të thuash? Sepse juve – dhe jo mua – ua ka mbyllur sytë me fashë. Ta kesh prej meje këtë mësim: Do të vijë një ditë dhe gjaku i myslimanëve do të derdhet lumë, por unë s’ do ta shohë me sy..”
E dëgjova Gjyshen, por s’ e kuptova ku donte të dilte.            
Do mundesha të vazhdoja kështu deri në ditën e nesërme dhe, prapseprap, të mos e prekë atë kryesoren. Ky është shkaku që po më detyron ta ndal revanin dhe t’ ia hedh një sy asaj listës që ma ke dërguar. Zotrote më ke pyetur: Kush u bë shkas që ju, shqiptarët, edhe pse ishit të ndarë në dy taborre, përsëri u mblodhet në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira dhe vendosët të organizoni çfaqje për nder të 28 Nëntorit?
Përgjigjja ime është kjo: Ismet Reçi. Do t’ ishte mirë sikur Ismeti, kushëriri i parë i Hajdar Reçit, të mos kishte të ngutur, por ai s’ na pyeti kur caktoi randez vous me Vdekjen dhe, bashk me shumë sekrete tjera, i mori edhe muhabetet që zhvillonte në ”klubin e Safet Plluqkës”. Ai punonte në anijet që qarkullonin midis Kopenhagës dhe Malmes, njihej mirë me Safet Selimin dhe s’ duhet përjashtuar mundësia që gëzonte përkrahjen e tij, kur – krejt papandehur – mori raport mjekësor dhe filloi të vinte rregullisht në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira, pinte kafe me mua dhe, bashk me Bahri Zujferin,i ndihmonte Ismet Vrellës me përgaditjen e programit. Ismeti ishte bujar, shpirtmadh dhe vallen e kishte në gjak. Ai ishte i afruar dhe gjithmonë e kishte të shoqen me vedi. Zonja e tij ishte greke nga Izmiri dhe, përpos tjerash, do na qepte një komplet veshjesh kombtare që ishin më të përshtatshme për në skenë. Si përgjegjës i valleve, Ismeti donte ta përmbushte detyrën e tij dhe, sa herë që shiheshim, insistonte të fillonim me ”provat e vërteta” dhe ta jepnim një program të pasur me këngë e valle.
Tani ma thuaj të drejtën: Cila ditë është më e përshtashme për një çfaqje të bukur, pos Ditës së Flamurit? Unë s’ kam ndonjë idé të qartë nëse ajo mbledhje ishte e rregulltë apo spontane, se kanë kaluar shumë vjet dhe s’ di nëse egziston ndonjë procesverbal, por e mbaj mend se pas vendimeve që u morën në një takim më të hershëm, relacionet tona u patën ftohur keq. Ne, edhe pse s’ e çfaqnim hapur, s’ ishim të gatshëm për ndonjë bashkëpunim më të thellë. Pajtohem se kishim bërë çmos për ta ngritur një shoqatë, kishim dhënë dy çfaqje të mira, e kishim reklamuar shoqatën para organeve lokale, por duke qenë se njëra palë donte t’ i turrej fushës e tjetra malit, s’ kishte nevojë ta thellonim përçarjen edhe më shumë. E vetmja gjë që mundeshim të bënim ishte ta rezervonim një sallë, të caktonim një datë për mbledhjen e anetarëve të kryesisë dhe të prisnim zhvillimin e ngjarjeve. Në mungesë të dokumenteve më të forta po vazhdoj me shenimet personale.
Mbledhja ishte caktuar në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira. Ishte e premte dhe disa nga anëtarët e kryesisë, si Ajet Tetova, Xhemal Fetiu e Ibrahim Gashi, kishin ardhur herët në sallë. Ndonjë rend dite s’ kishim caktuar sepse  – pas kërkesave të vazhdueshme të Ismet Reçit – ne duhej ta shqyrtonim kryesisht çfaqjen që duhej të organizohej për nder të 28 Nëntorit si dhe detajet që ishin të lidhur me të. Miku im kroat, Vladimir Rozjan, i cili atëherë e drejtonte Shoqatën “Matija Gubec” më kishte njoftuar se zoti Horvat kishte ikur nga Suedia dhe në vend të tij kishte ardhur një tjetër. Edhe ky ishte njeri i mirë dhe, më e vogla që mund të bënim, ishte të mbanim kontakte me të. Unë, që ta them sinqerisht, s’ isha as për kontakte të mira as për kontakte të këqia me Konzullatin e Jugosllavisë Federale. Mjerisht, frika që iu kishte hyrë në bark punëtorëve “të inkuadruar jasht atdheut” më dukej shqetësuese.
E kam cekur një herë se isha për ruajtjen e kontakteve të mira mevendlindjen, qoftë edhe duke e antarsuar ”Vëllazërimin” në Lidhjen e Shoqatave Jugosllave, por jo duke e ndryshuar rregulloren e saj. Të antarësohesh në një bashkësi shoqatash s’ ishte si të hyje në Paktin Natos. Atje ishin antarësuar thuajse të gjitha shoqatat serbe, kroate, sllovene e maqedonase dhe të gjitha iu përmbaheshin rregulloreve të veta nacionaliste. Ndryshe nga shoqata ”Vëllazërimi”, që ishte shoqata e vetme shqiptare, të tjerat ishin sllave, komunikonin mirë në gjuhën serbo-kroatishte, që ishte gjuhë zyrtare, mbanin lidhje me republikat e tyre nacionale dhe dërgonin delegatë në mbledhjet vjetore të Lidhjes sepse atëbotë merrej ”hisja” që iu takonte nga qeveria suedeze. Mjerisht, ne s’ kishim ça të merrnim, se kishim vetëm një shoqatë dhe ajo ishte e sapoformuar.
Ajo që kisha mësuar nga zoti Rozjan s’ lente vend për shqetësime të mëdha. Si shoqatat kroate, ashtu dhe ato sllovene, nuk e bënin punën e Lidhjes së Shoqatave Jugosllave. Kroatët e dinin se Jugosllavia edhe ashtu do të rrëzohej përdhe, andaj, duke marrë pjesë aktive në aktivitetet e Lidhjes, vazhdonin ta prishnin nga brënda. Rrjedhimisht, s’ kishim ndonjë dëm nga ajo aleancë e përbashkët, sepse një ditë, kur do të vinte koha për ta ngritur popullin në demonstrata, kroatët dhe sllovenët do t’ ishin të parët që do të solidarizoheshin mekërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Mjerisht, ishim tepër të dobët dhe s’ i kishim as dy shoqata të hajrit. Me përjashtim të Geteborgut, që bënin përpjekjet e para për ta themeluar shoqatën ”Ballkan”, ”Vëllazërimi”  ishte shoqata e vetme shqiptare në Gadishullin Skandinav.
Aty nga ora shtatë hyra dhe unë në sallë.Dashur e padashur duhej të prisnim pak, sepse Ismet Vrella, Bahri Zujferoski e Ismet Reçi prore s’ ishin gati.Për të mos e shkuar kohën kot, i pyeta të pranishmit nëse mundesha t’ ua lexoj procesverbalin e mbledhjes së kaluar dhe, nëse kishin ndonjë vërejtje, ta korrigjonim aty për aty.
Jo, s’ kishin.
Kësisoji,pa dashjen time, biseda kaloi të gazetari Jonuz Jonuzaj dhe porositë që na kishte dërguar me Ibrahim Gashin. Ajo shkaba pa yll e kishte shqetësuar shumë dhe Ibrahimi po matej të ikte nga Shoqata… Ra ylli i klasës punëtore, pra, dhe gjakrat u trashën… Unë, Sami Dashi, Safet Selimi, Xhemal Fetiu e Hajdar Reçi ishim të mentimit se vula, si me yll apo pa yll, ishte vetëm një vulë me të cilën vuloseshin shkresat zyrtare. Ata tjeret, duke filluar nga Ajet Tetova, Ibrahim Gashi, Fadil Gashi e njëfarë Selman Maçoku, që sapo kishte mbërritur nga Kosova, kishin mendime të kundërta. Sipas tyre shkaba ishte ja ”me yll” ja “pa yll” dhe kushdo që e kishte porositur ate pa u konsultuar me Legatën Jugosllave donte t’ i fuste vëllezërit e tij nëpër lluga. 
Pak më vonë, deri sa po ziheshim si qenët, erdhën të lartpërmendurit dhe e harruam çeshtjen e vulës. Mjerisht, në vend të vulës, polli një çeshtje tjetër, që na mbajti deri më dy të natës. Çka s’ i tekej asaj hampe që s’ ishte aq e arsimuar por shtirej se kishte studjuar artet në Harvard. Nëse do ta kremtonim 28 Nëntorin – thoshin ata – duhej të vendosnim për cilin “nëntor” ishte fjala: për 28 Nëntorin apo 29 Nëntorin. Ata e dinin që 28 Nëntorin e kremtonte Shqipëria, por ne si ”jugosllavë” që ishim, duhej ta kremtonim 28 Nëntorin, të cilin e kremtonte Kosova. Po edhe ajo punë ishte me dy teha. Sipas Xhemal Fetiut, që ishte më i dituri i kuvendit, mbrëmjet e tilla kërkonin himne. Problemi ishte se cilin himn do ta këndonim: “Himnin e Flamurit” apo himnin “Hej Slloveni”?!
“ Le të supozojmë se do ta kremtojmë 28 Nëntorin,” tha Xhemal Fetiu, që tani kishte marrë flakë në fytyrë. “ Po a di Ismet Vrella ta luaj ”Himnin e Flamurit” me fizarmonikë?”
“ Që t’ ua them të drejtën, s’ di,” tha Ismeti.
” Ani s’ ka gjë, se Ramadani ta jep tekstin,” tha Samiu.
” Unë s’ kam nota,” ia ktheva i shqetësuar. ” Nëse duhet ta këndojmë “Himnin e Flamurit” shqiptar, s’ duhet ta mësojmë vetëm tekstin por dhe melodinë. E kjo punë s’ është e lehtë, se ata të Shqipërisë nuk dërgojnë tjetër pos veprave të Enver Hoxhës.” 
Kjo na futi në shkurre edhe më të dendura. Të jesh shqiptar e të mos e dish ”Himnin e Flamurit” ishte turp i madh. Paçka se ata s’ e dinin as ate jugosllav.
Dikur, pasi u zumë plot tri orë me njëri tjetrin, vendosëm që çfaqjen e 28 Nëntorit ta japim ditën e djelë 30 nëntor, edhe ate, për këto dy arsye: data 28 nëntor binte ditën e premte, kur shumica e shqiptarëve dilnin nëpër shitore. Pak më e përshtatshme ishte dita e shtunë, 29 nëntor, kur të gjithë ishin të lirë, por atë ditë e kremtonin serbët, kroatët, sllovenët dhe maqedonasit. Po ta ftonim popullin atë ditë, vëllezërit tanë nga Shqipëria, Kosova e Turqia do na akuzonin për tradhëti, sepse atë ditë ishte çliruar Jugosllavia Federale. E vetmja ditë tjetër, kur s’ kishte nevojë as për parada, as për flamuj, as për mysafir të Legatës jugosllave, ishte dita e djelë, 30 nëntor. Mjaftonte ta nxirnim Ismet Vrellën në skenë dhe ta këndonte këngën ”Krisi topi në zabel” dhe çdo gjë do të binte në vend. Pa sa për programin e shoqatave jugosllave, atje mundej të shkonte Ismeti me ca fëmijë dhe ta përfaqsonte shoqatën me një valle shqiptare. Kjo ishte zgjidhja më e mirë, më e arsyeshme dhe më e mundshme. Tjetër zgjidhje s’ kishte.
Tani erdhi radha e asaj fatkeqsisë që kishte ndodhur në autostradën që e lidhte Malmen me Treleborgun, me ç’ rast ishte lënduar zoti Horvat, konzulli i Jugosllavisë. Bahriu, që shpesh herë shkonte në Treleborg, na njoftoi se dhjetë ditë më parë, zoti Konzull, bashk me sekretarin e tij dhe dy zonja tjera, paska qenë i ftuar nga shoqata ”Makedonia” e atij qyteti. Me sa duket, kishte pirë pak, se duke u kthyer prapa, i kishte dalë freni nga dora dhe te gjithë ishin katandisur në një misrishte. Të katërt ishin lënduar pak, por më së shumti njëra nga zonjat që s’ e kishte njoftuar të shoqin mbi endjet e saj personale. Ky, me sa duket, ishte shkaku që Ministria e Punëve të Jashtme menjëherë e kishte transferuar në Sudan, ndërsa për në Malme e kishte nisur një konzull tjetër. Duke qenë se konzulli i ri s’ e njihte mirë qytetin, Bahriu propozoi që kryesia e Shoqatës duhej t’ ia jepte një darkë në restorantin “Chez Ollga”. Ai shtoi se n’ atë lokal femrat ishin më të pjekura dhe ahengjet më të qetë, më diskretë.
Hajdari ishte vendosmërisht kundër. Ai, ç’ është e drejta, pat dhënë dorëheqje, por – për shkaqe krejt të paqarta – kërkoi leje të mirte pjesë edhe n’ atë mbledhje.
“ Jo,” tha ai. “ Propozimi i Bahri Zujferoskit nuk vjen në pyetje. Një kafe mund t’ ia japim, se s’ fiket bota, por kurrëqysh ndonjë darkë të spërkatur me raki.”
Ibrahim Gashi u mërdhez në fytyrë. Rëndomt ai ishte i urtë, por dinte edhe të mllefosej.
” S’ di pse përzihesh në punët tona,” i tha Hajdarit. ” Po të dëgjonim ty, duhet t’ i zëmë armët e të luftojmë kundër Jugosllavisë, por ajo është punë që s’ bëhet. Andaj propozoj që zotin Konzull ta ftojmë këtu, në klubin e Shoqatës, t’ ia shtrojmë një darkë shqiptare, me mish e byrek e raki, dhe ta bëjmë anëtar kryesie. Kjo është ajo që duhet bërë.”
Jo, ishte pikërisht kjo që s’ guxonte të bëhej. Kjo ishte një shoqatë kulturore dhe aty s’ kishin ça kërkonin konzujt, ambasadorët apo politikanët e Kosovës… Tollovia rritej, fjalët kërcisnin si kokrra breshëri, reagimet ishin spontane dhe të pahijshme. Më në fund, ia dolëm ta shpjegonim palën tjetër, se Shoqata ”Vëllazërimi” ishte shoqatë kulturore dhe konzulli jugosllav ishte përfaqsues diplomatik. Ai, edhe sikur t’ ia shtronim ofertën e lartpërmendur, s’ do ta pranonte një nder të tillë.
Aty nga ora njëmbëdhjetë Ajet Tetova e shtroi edhe çeshtjen e kujdestarit të klubit. Duke marrë parasysh shkopinjtë, bullashkat dhe gjaku që derdhej n’ atë ”shpellë të Gadimjes”, asnjëri prej nesh s’ e kërkoi fjalën. Më në fund, përsëri ia lanë Xhemal Fetiut. Me ta hequr edhe atë dert, zgjodhëm edhe dy përfaqsues të Shoqatës për mbledhjen e kontributeve vullnetare dhe ikëm te shtëpia.
Të nesërmen paradite, deri sa po merresha me një artikull të gjatë të Ulmar Kvikut, të cilin po e rregulloja për Fletushkën Informative, në zyrën e Seksionit të Rinisë ia behu Hysen Çelaj.
Zotin Hysen Çelaj e kam përmendur edhe më parë. Ai ishte njohës i shkëlqyeshëm i historisë tonë kombëtare. Studimet gjimnaziale i kishte bërë në ”Zosimea” të Janinës dhe në Univerzitetin e Athinës, ku studjoi gjuhën dhe letërsinë greke. Ai kishte prirje të jashtzakonshme për mësimin e gjuhëve të huaja dhe ishte kurreshtar për prejardhjen e popullit shqiptar. Me ta parë kurreshtjen e tij për historinë e moçme shqiptare, Policia sekrete greke ia lidhi duart dhe e ktheu në Shqipëri si persona non grata. Nuk vonoi shumë dhe Italia fashiste e pushtoi vendin e tij.
Hyseni Çelaj, që ishte një nacionalist i devotshëm, kërkoi menjëherë shokë e miq për ta pritur armikun mepushkë në dorë. Ai u lidh me Hysen Lepenicën dhe krijuan një çetë për të luftuar kundër armikut. Më vonë, kur u themelua Lëvizja Nacional Çlirimtare, ai u inkuadrua në radhët e Brigadës së Parë Shqiptare, të cilën e udhëhiqte Mehmet Shehu. Hyseni e kuptoi shumë shpejt se ajo Brigadë s’ luftonte për çlirimin – por për ”sjelljen” e një okupatori të ri në  trojet shqiptare. Konflikti ishte i paevitueshëm me forcat partizane dhe ai mori një plagë të keqe në këmbën e djathtë.
Atë çast që Balli Kombëtar krijoi çetat e veta, Hysen Çelaj u gjend në radhët e para të asaj ushtrie kombëtare dhe u emërua komandant i një batalioni që, sëpari, luftoi në zonat jugore të Shqipërisë, ndërsa më vonë, kur filloi tërheqja e forcave gjermane, ai doli edhe në Kosovë. Por lufta mbaroi në favor të partizanëve. Pas mbarimit të saj, kur nacionalistët shqiptarë e humbën luftën, edhe Hysen Çelaj, si shumë atdhetarë tjerë, me zemër të thyer e la Shqipërinë dhe kërkoi shpërim në Evropën Perendimore.
Ai ishte njeri i sjellshëm, kishte një kulturë të gjërë, por si të gjithë atdhetarët e Shqipërisë Etnike, ishte shumë i prerë në gjykimet e tij. Banonte në qytetin Engelholm dhe, ndonëse i lodhur nga peripecitë e jetës, prore endej nëpër Suedi për t’ i konsoliduar radhët e forcave nacionaliste. Kur i dëftova mbi hallet e përditshme dhe vendimet e mbledhjes së fundit, desh i ra pika.
” Po a jeni ne vete, o vëllezër,” më tha.” A dini ju sa shqiptarë kanë prerë jugosllavët dhe bullgarët në Kara Orman, Sharr, Drenicë, Ulqin, Karadak e gjetiu? Ju duhet ta kuptoni një herë e përgjithmonë se bashkëpunimi juaj me emisarët e Titos e Enverit është në shërbim të armiqëve tanë. Edhe regjimi i Titos, sado paqësor që ju duket, është për prishjen e popullit shqiptar dhe çdo lëshim që ia bëni, qoftë edhe si një shoqatë e thjeshtë shqiptare, është gabim i madh.”
E dëgjova si babanë dhe s’ gjeta asnjë fjalë që t’ i kundërvihesha. Më erdhi keq, më erdhi turp nga ai burrë flokëbardhë, që tërë jetën kishte luftuar për Shqipërinë Etnike dhe tani duhej të dëgjonte mbi flirtin shqiptaro-jugosllav. Merre me mend, unë kisha ndenjur deri më dy të natës dhe i kisha dëgjuar fikanakët shqiptarë si vriteshin e priteshin për ta antarësuar një konzull në kryesinë  e një shoqate shqiptare.
Këto marrëzi i kisha përjetuar edhe në Kosovë. Atje diku, në Prishtinën e shokut Fadil, vriteshin e priteshin shqiptarët për t’ i përjashtuar nja katër pesë ulqinakë që kishin gabuar dhe kishin deklaruar se janë shqiptarë e jo ”cërnagoras”. Shkuma iu dilte nga goja disave nga edukatorët e arsimtarët e mi duke i akuzuar ata axhaminj që refuzonin të bëhen malazias. Deri sa i përjashtuan nga Shkolla Normale e Prishtinës dhe ” i deportuan” në Shkollën Normale të Shkupit…
” Ah, more zoti Hysen,” i thash.“ Sikur ta njihje popullin tënd, si po e njoh unë, nuk do mirje mund të vije në Malme. Ata që zotrote po i quan vëllezër janë njëmend shqiptarë – sepse qajnë e këndojnë në gjuhën shqipe – por që nga ikja e partizanëve nga Kosova, ata mbetën në duart e Shkaut dhe dhuna i ka detyruar të mentojnë se janë jugosllavë. Unë s’ kam tjetër arsyetim, veçse të lus të na falësh. Mos ia merr për të madhe këtij populli, se s’ ka dituri më të thella për të kuptuar. Ky popull shpreson se një ditë Kosova do bëhet Amerikë. Inshallah bëhet e shlirohemi nga Shkau.”
Ai më pa me sytë e tij të shkruar dhe, pasi ma zgjati një cigare të fundit, më qortoi me atë ironinë e tij tipike çame.
” Pse s’ po vjen ndonjë herë n’ Engelholm? Unë s’ jam i pavdekshëm siç ishin zotat iliro-pelazgë.”
” Hiç mos u mërzit, se do ta marr trenin një ditë.”
Ai iku nga Malmja thellësisht i bindur se shqiptarët e Kosovës e kishin braktisur nacionalizmën dhe s’ rronin dot pa librat e Enver Hoxhës. Unë dhe ata pak miq që kisha, e dinim se Kosova, ajo Zonjë e Vërtetë dhe Hallemadhe, një ditë do të zgjohej dhe do ta fitonte lirinë e saj kombëtare. Dhe kjo ndodhi pas hyrjes së Amerikës në truallin e saj.

Shkruan: Ramadan Rexhepi

SHPËRNDAJE
Artikulli mëparshëmiPhone 4, ios 6.1.3
Artikulli i rradhësSinti Yamaha