SHPËRNDAJE

jo, ata që të kanë thënë se isha i pikëlluar, s’ të kanë gënjyer aspak. Unë isha i lodhur, i bezdisur, i mllefosur, i pikëlluar dhe, më shumë se gjithçka, i zhgënjyer në vëllezërit e mi. Gjatë këtyre dyzet vjetëve që jam regjur në pelin, shpesh herë e kam pyetur veten mos isha unë, themeluesi i seksionit ”Shote Galica”, ai që mbillte çoroditje në radhët e Shoqatës ”Vëllazërimi”? Mos ka mundësi që, prania ime – si disident dhe intelektual – ua prishte planet jugofilëve shqiptarë? Krejtësisht e mundur. Si themelues i asaj organizate të brishtë ”demokratike”, sha i gatshëm të bëja gjithçka për hatrin e tyre, veçse jo të pranoja që prindërit e mi – dhe fqinjët e mi – dhe bashkatdhetarët e mi – janë sllavë të jugut. Atë të vërtetë, të cilën na kishin imponuar pushtuesit, s’ isha i gatshëm ta mirja në gojë. Ne s’ mundeshim të jemi tjetër pos pasardhës të të parëve tanë ilirë e pelazgë.
Kjo, pra, s’ do të thotë se ne, që mblidheshim në zyrën e seksionit ”Shote Galica”, ishim intrigantë dhe i dëbonim ata që thirreshin se janë  jugosllavë dhe “punëtorë të inkuadruar jasht atdheut”. Përkundrazi, duke qenë se as ne s’ kishim rënë nga qielli,  përpiqeshim t’ ua kujtonim vëllezërve tanë se gjithënjë, deri sa flisnin shqip, kishin një flamur kombëtar dhe jetonin në një shtet që gjendej me mijëra kilometra larg Jugosllavisë, s’ kishin nevojë t’ i mbushin brekët para çdo gubani që fliste serbisht. Ndryshe nga Ismet Reçi, Hysen Kaja, Hilmi Kasaballiu e shumë shqiptarë të tjerë, që ishin shtetas turq dhe hynin e dilnin nga Jugosllaviasi donin dhe kur donin, unë isha gjithënjë “kosovar” dhe e kuptoja hallin e tyre. Mu për këtë arsye isha kundër çdo veprimi që mund të hapte plagë të panevojshme. Shkurt, s’ isha i prirur që ata, për hir të një shoqate kulturore, të hynin “nëpër lluga” dhe t’ i ndërprenin lidhjet e tyre me Kosovën Hallemadhe.
Gjykuar nga reagimet e Hajdarit, kam përshtypje se edhe ai, njësoj si Hysen Çelaj, Shaban Uka, Masar Murtezani, Ditar Kurteshi e emigrantët tjerë shqiptarë, më konsideronte tepër të butë kundrejt ”punëtorëve të inkuadruar jasht atdheut” dhe të cilët vazhdonin të pinin kafe me ”shokun” Vicekonzull. Mjerisht, unë s’ kisha ndonjë opcion më të mirë. Çka më nxiste atëherëtë jem aq i butë, aq i sjellshëm e aq demokrat? Pse s’ i çoja në djall ata frikacakë të papërmirsueshëm?
Përvoja, i dashur, përvoja. Unë, edhe sikur të doja, s’ mundesha ta vështroja realitetin kosovar nga këndvështrimi i një ushtari të përvuajtur turk që dikur, në rininë e hershme, ia kishte kthyer shpinën Kosovës dhe tani priste mëshirë nga Zyra e Emigracionit Suedez. Gjatë viteve që isha n’ Uppsalë, unë s’ i ndiqja gjurmët e partizanëve të varfër kurdë, por gjurmët e atyre që gjithnjë dergjeshin në burgjet e ”parajsës” jugosllave. Hiç më pak se nëntë vjet kisha qenë anëtar i organizatës Amnesty International dhe kisha bërë – aq sa mundesha – për t’ i ”bërë të njohur” ata që kishin rënë në thonjtë e Policisë Sekrete Jugosllave dhe keqtrajtoheshin vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Ata s’ vuanin se ishin proletarë dhe s’ kishin bukë për të ngrënë… S’ vuanin se ishin analfabetë dhe askush s’ iu jepte punë… S’ vuanin se ishin qejfllinj dhe Prishtina s’ kishte klube të natës… Ata vuanin se Kosova lëngonte në robëri dhe Nëna Shqipëri e kishte lënë në baltë… Është e vërtetë se drejtorët e burgjeve pak mërziteshin për ato që shkruanin ca ”borgjeze” si Marianne de Lorenzi, Eva Moberg, Cecilia Eklund, Barbro Karabuda e Sara Liedman, por mbështetja e tyre morale ishte e rëndësishme për Metush Krasniqin, Ali Aliun, Kadri Halimin, Adem Demaçin, Hilmi Rakovicën, Hydo Dobrunën e të burgosurit tjerë politikë.
Po, i nderuar. Gjatë kohës që endesha qytet më qytet, nga Uppsala në Stockholm, nga Stockholmi në Oslo, nga Osloja në Paris, nga Parisi në Varshavë, nga Varshava në Tiranë dhe – përsëri – nga Tirana në Stockholm, unë e kisha kuptuar definitivisht se ne,”kosovarët”, kundër vullnetit tonë, në sytë e tyre ishim – jugosllavë. Të gjithë, që nga byrokratët e vegjël suedezë, të cilët kurrë s’ e kishin shkelur Kosovën, e deri te funkcionarët e lartë shqiptarë, të cilët prore s’ e dinin ku gjendej Podujeva, me këmbëngulje pohonin se ne ishim jugosllavë dhe s’ kishim çka kërkonim në Tiranë.
Deri në agun e vitit 1967 Jugosllavia s’ dallonte shumë nga Afrika e Jugut. Sado demokratike e liberale që shtirej, ajo ishte hermetikisht e mbyllur për gazetarët e huaj. Kot që provoje t’ i shkruash dikujt, se e mirje në qafë. Udbashët serbë, maqedonas, boshnjakë e sllovenë dispononin me shuma kolosale dollarësh dhe mundeshin ta blenin cilindo kundërshtar që jetonte n’ Evropën Perendimore. Ata kishin njerëzit e tyre jo vetëm në Pariz, Rotterdam, Berlin e Kopenhagë, por edhe në zyrat më të larta të Piramidës shqiptare.
Fatlumnisht, situata ndryshoi. Të mos ishte për një sherbëtore të thjeshtë kroate, që – krejt rastësisht, duke pastruar dhomën e Josip Brozit – zbuloi kabllot e mikrofonave të montuar nën krevatin e tij, zullumi i udbashëve serbë, kroatë e maqedonas do të vazhdonte deri në vdekjen e të lartpërmendurit, por ashtu s’ kishte qenë e shkruar dhe Rankoviqi ra në gropën që ua kishte bërë të tjerëve.
Tani dalin në pah orvatjet e para të titistëve kosovarë për t’ u afruar me talibanët e Enver Hoxhës. Kjo dëshmon se të lartpërmendurit, pa  marrë parasysh ato që kishin ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin gjithnjë të gatshëm t’ ua falnin mëkatet.Se mos kishin opcione më të mira? Ndonëse Kosova s’ shkëputej dot nga Jugosllavia, ajo, brenda mundësive të saj, ishte e gatshme t’ i priste kuadrot e Shqipërisë Marksiste.Paçka se bijt e saj, qoftë skojevcat apo atdhetarët e vërtetë, shumë shpejt e  kuptuan se Shqipëria ishte fushë e veshur me bunkere e me mina dhe asnjë shqiptar s’ ishte i kualifikuar për ta drejtuar timonin e saj. Kuadrot e Shqipërisë Marksiste, në të shumtën e rasteve minoritarë grekë, evgjitë, gollobërdas, vllehë e maqedonas, s’ e kishin hallin te afrimi i Kosovës me Shqipërinë, por te prishja totale e të dyja Shqipërive. Në vend se t’ i thërrisnin kosovarët për një ardhmëri paqësore, ata i thërrisnin në luftë të hapur për prishjen e Jugosllavisë Titiste. Po pse, thua ti. Sepse lobi kroato – slloven e kishte shitur Jugosllavinë në tregun e  imperializmit anglo-amerikan. Kjo ishte logjika e atyre që vetë ngjisheshin me petulla ndërsa popullin e mësonin të hante bar.
Sidoqoftë, rënia definitive e Rankoviqit dhe letrat që filluan të më vinin nga Prishtina, më dhanë të kuptoja se vitet e 60-ta kishin marrë fund dhe Kosova gjendej në një faze të re të evolucionit politik. Dikur pashaportat vlenin vetëm tre muaj, ndërsa tani vlenin nga tre vjet dhe mund të udhëtoje në cilindo vend të Evropës. Kjo frymë nxori kokë në artikujt që herë pas here dilnin në faqet e gazetës ”Rilindja”,titujt e librave që m’ i dërgonte një mik shumë i nderuar preshevar, në përgaditjet që bëheshin për hapjen e Univerzitetit të Kosovës, si dhe në debatin që zhvillohej rreth Kushtetutës së re jugoslave, e cila duhej – patjetër – t’ i eliminonte padrejtësitë e vjetra.
Të gjitha këto më kishin dhënë të kuptoja se Borëbardha po çlirohej nga helmi që ia kishte dhënë njerka Mbretëreshë dhe, si ne që ishim jashtë atdheut, ashtu dhe ata që ishin brenda, duhej të luftonim për realizimin e aspiratave tona. Njëra prej tyre ishte ruajtja e identitetit kombëtar. Po si mund të ruhej identiteti kombëtar në një vend që kishte me dhjetra elaborate e me qindra doktorë të shkencave, të cilët ishin përgaditur me vite për ta bluajtur e për ta shprishur brumin e fortë të emigrantëve italianë, hungarezë, turq e jugosllavë? Ajo bëhej vetëm me mirësjellje dhe shpjegime. Unë s’ kisha çka prisja as nga Krahina Autonome e Kosovës, as nga Republika e Shqipërisë. I kisha parë të dyja dhe të dyjave ua dija hallin. Nëse kisha diçka për të bërë, duhej të mbështetesha pikërisht në supet e atyre që kisha pranë… Pa marrë parasysh nga cili vend kishin ardhur dhe me cilën parti simpatizonin… Me fjalë tjera, kam njëmijë e një arsye të pendohem,  se – si shumë të tjerë – as unë s’ kam qenë i përsosur, por nuk pendohem kurrë që vëllezërit e mi i kam mbajtur afër dhe gjithnjë i kam kritikuar për të mirën e tij.
Përse, atëherë, e bëra këtë hyrje kaq të gjatë, kur mundesha të vazhdoja me aktivitetet që kishim filluar në vjeshtën e vitit 1975?Thjesht, për ta cikur një të vërtetë, të cilën ”militantët” e një organizate të madhe do ta shfrytëzonin për të hedhur baltë mbi punën që kisha bërë unë e Kosovë Rexha Balaj dhjetë vjet para daljes së tyre në ”gurbet”. Më lejoni t’ ua kujtoj se unë, që nga çasti kur u ula ta shkruaj rregulloren e Shoqatës ”Vëllazërimi” isha i pajisur me një kulturë perendimore dhe, ndonëse kisha dituri mbi format e organizimit ”ilegal”, nuk kam ndjerë kurrë nevojë për të zënë bomba e flamuj dhe për të premtuar diçka që ishte e pamundur. Puna më e mbarë që kam mundur të bëj për Kosovën ka qenë – të punoj për të mirën e saj me ndërgjegje të pastër. Këte po e bëj edhe sot, duke shkruar për ato ngjarje ashtu siç kanë qenë, e jo siç do t’ i dëftonin ca tregtarë të flamujve, të cilët deri dje e gjuanin Zotin me gurë, ndërsa sot po shtiren më katolikë se Papa.
Sidoqoftë, në rrëfimin e fundit, përpos tjerash, i ceka edhe dy gabimet fatale që bëri kryesia e Shoqatës ”Vëllazërimi”. Gabimi i parë ishte vendimi i saj për ta marrë me qira klubin e Safet Plluqkës, gabimi i dytë ishte të anëtarsohej në Bashkësinë e Shoqatave Jugosllave. Me kaq u mbush kupa dhe unë e kuptova se ajo kryesi s’ e kishte syrin e Qabes. Si mbledhjet që bëheshin në ”klubin” e lartpërmendur, ashtu dhe vendimet që merreshinn’ atë lokal, s’ kishin tjetër qëllim pos ta çonin ujin në mulli të katër pesë familjeve ”shqiptaro-jugosllave”. Mbledhjet fillonin në rregull, rëndomt me katër pesë pika në rendin e ditës, por pa kaluar as çereku i orës, trefishoheshin si pulat e Nasradinit. Për çdo orë që shkonte kisha përshtypje se ajo kryesi nuk përbëhej nga burra të pjekur, që kishin nga dyzetat e sa vjet, por nga një tufë kalamajsh që ziheshin për fara të kumbullave. S’ kishte aty as kryetar të mbledhjes, as listë të oratorëve, as rend dite, as procesverbale, as vendime që merreshin në interes të popullit shqiptar. Secili fliste kur donte dhe, në vend se t’i përmbahej temës për të cilën e kishte kërkuar fjalën, ngatërronte edhe pesë të tjera.
Shkurt, përçarja ishte fakt i kryer. Sado që s’ e çfaqnim hapur, kishim botëkuptime të kundërta me njëri tjetrin. Posaçërisht rreth antarësimit të Shoqatës në Bashkësinë e Shoqatave Jugosllave. Duke qenë se kryesia kishte vendosur prap të ktheheshim në klubin e Safet Plluqkës, unë dhe nja katër shokë të tjerë s’ ishim të gatshëm të shkonim. Fundja, ne kishim votuar kundër atij vendimi dhe s’ e kishim ndër mend të punojmë angari për një hampë që langaraqësh që çdo javë e ftonte vicekonzullin te shtëpia dhe shtirej si zëdhënëse e aktiviteteve të një shoqate shqiptare. Për të qenë e keqja më e madhe, ai bodrum ishte tepër i vogël dhe tepër ierrët për nevojat tona. Për here të parë e ndieja veten shumë të zhgënjyer. Isha i vetëm dhe në konflikt të përhershëm me kohën. Të tjerët, që nga kryetari i Shoqatës e deri te revizorët e saj, kishin kohë për ta luajtur nga një parti shah apo për ta zbrazur nga një birrë, por mua e Ismet Vrellës s’ na mjaftonte koha. Ikte ajo me hapa vigane deri sa ne vrisnim kokën për këngët dhe vallet që duhej t’ i ushtronte Seksioni i të rinjëve. Të tjerët, si Safeti, Hima, Sala, Fadili e Hajdari, edhe pse e dinin që ishim të vetëm, kurrë s’ gjenin kohë për të na shtrirë dorën. Sa herë që hynin në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira uleshin pranë banakut që gjendej karshi Sallës A dhe ankoheshin që Shoqata ishte në gjendje të keqe ekonomike, mungonin instrumentet, mungonin kostumet, mungonin valltaret, por asnjëri s’ e luante një gurë për ta zgjidhur atë çeshtje.
S’ duhej shumë mençuri për të kuptuar se Shoqata, me të gjitha të mirat e të këqiat e saj, ishte si pirgu i plehut, ku gjallëronin lloj lloj zhuzhingash, brumbujsh, kandrrrash e rriqënash të vegjël të cilët s’ bënin tjetër veç buçkurisnin në truallin e saj. Edhe aty, si në çdo pellg flliqtie, notonin lloj lloj insektesh. Kjo ishte sa e keqe, aq edhe e mirë, sepse n’ atë log zhvillohej një luftë e heshtur midis të mirës dhe të keqes. Samiu mërzitej ndonjëherë, ikte i mllefosur te shtëpia, por unë isha i sigurte se atë pirg mundeshim ta rrëzonim në cilëndo orë të ditës. Mos ndryshe, ate mund ta bënim duke themeluar një shoqate të re, krejtësisht kombëtare, krejtësisht të mbyllur për Legatën Jugosllave. Por unë s’ isha i gatshëm ta ndiqja atë rrugë. Të iknim nga Gjaku ynë i prapambetur e i pashkolluar ishte njësoj si t’ ia çonim ujkut në gojë. Përkundrazi, duhej të bënim gjithëçka që ishte e mundur për ta shpjeguar dhe për t’ ia nxjerrë nga goja.
Përndryshe, tetori ishte i vakët dhe pa skandale ndërkombtare. E vetmja ngjarje dramatike që ndodhi në afërsinë e qytetit Malme ishte një fatkeqësi e lehtë automobilistike, të cilën shtypi lokal e kaloi me katër pesë rreshta. E përditshmja “Arbetet” njoftonte se shoferi i makinës, një shtetas jugosllav nga Shkupi, ishte lënduar rëndë, ndërsa katër pasagjerët tjerë, në mesin e të cilëve gjendej edhe konzulli jugosllav Vinko Horvat, kishin marrë plagë të lehta.
Ka mundësi që ajo paqëdo të mbretëronte edhe në klubin e Safet Plluqkës, ku mrizonin vëllezërit e“ inkuadruar përkohësisht jasht atdheut,” por situata ndryshoi menjëherë pas mbledhjes së parë të kryesisë. Dy ditë më vonëatje kishin shkuar dy miqët e ngushtë të kryetarit të Shqatës, Asim Çajani dhe Fahredin Cfilaka. Fahredini, një pijanec e dallkauk nga Gazibaba, gjithnjë i gatshëm për t’ u zënë e për t’ u rrahur, e kishte fyer keq shokun e tij. Asimi, që s’ i duronte fyerjetdhe skandalet, e kishte zënë një shkop të bilardos dhe iu kishte vërsulur shokut të vet. Copë copë do t’ ia bënte atë gaznicën që ma kishte mbi supe. Fatlumnisht, aty kishte qëlluar Ajet Abdyl Latifi, daja i kryetarit, dhe akti i parë i asaj zënke kishte mbaruar pa gjakderdhje. Kjo, pra, s’ do të thotë se konflikti ishte mbyllur me kaq. Shumë shpejt do të vinte një rast tjetër dhe ata do të rriheshin përsëri. Kot se ne, kryesia e Shoqatës, e kishimvënë një rregullore në mur. Si për inatin tonë, miqët e kryetarit, sa më tepër vendime që shihnin në mur, aq më shpesh ziheshin midis vedi. Tani jo dhe aq për bjondet që Safeti i drejtonte në klub, por për çeshtje më të thella, çeshtje morale e politike. Secili prej tyre ishte i armatosur me ndonjë thikë dhe, ndonëse asnjëri prej tyre s’ ishte antarësuar në ndonjë parti politike, sytë donin t’ ia nxirnin njëri tjetrit. Ja një shembull. Sa për t’ u dëftuar miqëve të tij se cili ishte, Fahredin Cfilaka çohet dhe e godet Siri Kucën, një emigrantnga Shqipëria. Po pse më re, o vëlla? Sepse je nga Shqipëria. Epo, kur qenka ashtu, prite shishen e verës!…Pijanecët rriheshin, ndërsa Muhamet Balla i ngratë, mblidhte gota dhe fshinte gjakun e shqiptarëve…
Lajmet që na sillte Muhameti s’ ishin të këndshme. Sipas tij, në klubin e Shoqatës “Vëllazërimi” pihej me të madhe. Thuajse çdo mbrëmje, sapo rrëzohej terri mbi Rusengord, atje shkonin miqët e kryetarit dhe, duke qenë se s’ e gjenin “të zotin” e klubit, ziheshin me kujdestarin që e kishte caktuar kryesia. Rrafjet ishin të rregulltae të përditshme. Rëndomt fillonin si mahitje, shakara apo fyrje të vogla, por krejt rrufeshëm shndërroheshin në ndeshje kolektive. Kuptohet se prapa tyre fshihej ndonjë prostitute polake, ndonjë borxh i trashiguar apo ndonjë inatë të cilit s’ ia dinim gjenezën. Priti pastaj fjalët, thashethemet dhe sharjet e kërxhallinjëve shqiptarë!!. Ka shumë gjasa që ajo gjendje do të vazhdonte deri në vitin e ardhshëm, por deshti i Madhi Zot dhe Ismet Reçi, të cilin e kam përmendur në një vend tjetër të këtij rrëfimi, filloi të vinte rregullisht në zyrën e Seksionit të rinisë. Ai shkonte mirë me Ismet Vrellën dhe ishte i sigurt se, me pak punë të hajrit, do të  mundeshim ta organizonim një çfaqje për nder të 28 Nëntorit. Mu për atëarsye duhej të mblidhnim lekë dhe t’ i porositnim nja 6-7 kostume kombëtare. Pa kostume,çfaqja do të dilte qesharake.
Çfarë mundeshim të bënim? Pas kërkesave të ditëpërditshme të Ismet Reçit, ne të Seksionit të Rinisë morëm një vendim që ta kontaktonim Musa Kryeziun dhe ta pyesnim nëse mundej të na gjente nja shtatë kostume kombëtare.
Përgjigjja ishte pozitive. Sipas fjalëve të Saliut, që e mori përsipër të bisedonte me Musain, ato do na kushtonin përafërisht 4000 korona. Duke parë se të tjerët s’kishin të ngutur, vajta në Bankën Tregtare dhe, pa humbur kohë, ia nisa Musait të hollat. A ishte në rregull që unë, me një rrogë të ligshtë mujore, sakrifikoja të ardhurat personale? Mbase s’ ishte në rregull, por kjo ishte e vetmja gjë që mundesha të bëja në një kohë kur duhej vepruar? Me përjashtim të Safet Selimit, që m’ i dha të hollat në dorë, të tjerët e prisnin “rrogën” e Mirëqenies Sociale ose “qarin” që do t’ u dilte nga bilardoja.Tani duhej të mblidheshim edhe një herë dhe të mirnim vendim mbi programin që duhej përgaditur për 28 Nëntor.
Shi n’ ato ditë më ra në qafë edhe një surprise e re.Ndryshe nga ardhacaket tjera shqiptare, të cilat, sa herëqë dilnin në Qendër mbështilleshin si për dimër, me shamia, shalle e pallto dimri, Xhevaire Brahaj endej nëpër atë lagje me çiltërinë e një femre moderne shqiptare. Syzezë, e thatë në shtat, e veshur si të gjitha fqinjet e saj, me flokët që i binin lehtë mbi supe, Xhevairja ishte e vetmja qenie në botë që ma kujtonte elegancën e natyrshme të Gjakut tim. Nuk e di se ç’ mendonte baci Selim përbashkshorten e tij,por ajo ishte njëra nga ardhacaket e pakëta që i donte fëmijët e saj me gjithë shpirt dhe ishte e gatshme të vdiste për mirëqenien e tyre. Mjerisht, ata kishin rënë keq në grackat e Suedisë dhe, pa dashjen e tyre, i shkaktonin shumë surpriza. Ato i ndiente edhe bashkshorti i saj, por Selimi ishte burrë dhe arsyetonte ndryshe për ato që ndodhnin në familjen e tij. Si të gjithë malësorët tjerë, ai ishte i sinqertë sa të duash, besnik sa të duash, por edhe i rrebtë sa të duash. Ai e dinte se çdo gjë që shkëlqente në diell s’ ishte floridhe kishte kërkesa tjera. Ai s’ i jepte djemt e tij dhe, nëse e donte puna, nuk m’ i dëftonte të gjitha. Xhevairja, si të mirat, ashtu dhe të kqiat m’ i vente para.
Ashtu dhe atë ditë. Sa kisha dalë nga shkolla Krydgord dhe po nxitoja drejt Qendrës, ku më prisnin ca punë tjera, më del Hasimja përpara dhe më njofton se Selimi donte ta pinte një kafe me mua.
” S’ ka problem,” i thash. ” Bëju të fala se do të vijë pak më vonë, pasi ta mbarojë një punë tjetër.”
Sëpari më shkoi mendja te Ganiu. Ai djalë, më shumë fëmijë se sa djalë, i kishte tronditur në themel. Shyqyr Zotit, Ganiu i kishte punët mirë. Sipas të jatit, ai shkonte në shkollë, i bënte detyrat e shtëpisë, fliste rregullisht me familjen dhe mezi priste të vinte prapa. Njëmend s’ ishte rritur shumë, po shpresat s’ i kishte humbur. Të gjithë, pa i përjashtuar as ata të Spitalit Univerzitar, kishin lexuar për një hormon që ndikonte në rritjen e fëmijve, por ai ishte aq i shtrenjtë sadrejtoresha e Mirëqenies Sociale s’ donte t’ ia dinte as emrin. Dhe kishte të drejtë, se Ganiu e kishte sharë, iu kishte kërcnuar dhe i kushtonte shtetit sa dy drejtoresha.
Pritja, pra, që do të kuvendonim për Ganiun, por dola i gabuar. Me të hipur lart, Brahajt më pritën si vëllanë, më përqafuan, më nxorën kafe dhe – krejt papandehur – më pyetën si i kishte hallet Avdiu, djali i tyre i dytë. Avdiu sapo kishte mbushur të katërmbedhjetat dhe shkonte në klasën e shtatë. Çuditërisht, gjatë muajitshtator, kur isha goxha i lirë dhe e ndihmoja me matematikë, aivinte në shkollë, hynte në klasën e vet, por sa po kalonin nja pesëmbëdhjetë minuta,mirte leje dhe ikte përjashta senuk e ndiente veten mirë. Kur e pyesja për shkakun,gjithnjë kapej për të jatin dhe ankohej që ishte i rrebtë. Në ç’ mënyrë i rrebtë, e pyesja. Baci është cingun dhe i  rrebtë, më thonte.Ka lekë për vedi por mua s’ m’i jep as dhjetë korona.
Si arsimtar që isha, e kisha nuhatur seAvdiue pinte duhanin dhe mbase dilte për të blerë cigare. Disa herë e kisha parë të shkonte drejt shkurreve e kaçave dhe gjithmonë ishte në shoqërinë e një evgjiti nga Finlanda. Pastaj u zhduk fare nga shkolla.
” Unë s’ di gjë,” iu thash prindërve të tij. ” Mirë ishte gjatë muajit shtator, po termini vjeshtor sapo ka filluar dhe akoma s’ jemi ngrohur sa duhet. Mos ka ndodhur gjë?”
“ Hiç mos pyet, se jemi bërë për mjek,” tha Xhevairja.
Ata ishin në hall. As hanin, as pinin nga mërzia. Tërë javën e kishin kërkuar nëpër Rusengord, por çunin sikur e kishte përpirë toka. Kish disa net që u lajmërohej në telefon, sa për t’ i njoftuar se ishte mirë, por s’ donte të kthehej te shtëpia. Natë e ditë endej nëpër qytet por as i jati, as e jëma, s’ e dinin ku hante, ku pinte dhe ku flente ai djalë. Nevzati, përkthyes i tyre zyrtar, kishte folur me drejtoreshën e Mirëqenies Sociale, dhe ajo e kishte pritur keq. Sa ta shtiem në dorë, kish thënë, se edhe ate do ta në Norrlandë. Ashtu i kishte thënë.
Selimi dridhej nga inati.
“ Për besë s’ di nga t’ ia mbaj,” tha. ”S’ e kam gjuajtur Zotin me gur, por tëra hallet e botës m’ i ka nisur. Sa ikën njëri, prite tjetrin. Dhe krejt fajet i ka ai qenii Dallanguzëve, që na solli drogën në Suedi. Ti s’ e di këtë punë, se ke ardhur vonë, po ai e nisi tregtinë me do hapa amfetamine… Pastaj kaloi në masllahate më të forta… Marihuana… Hashash… Opium… E ku di unë… Deri sa përfundoi në morfinë… Të gjitha këto droga i blente në Holandë…Tani që e kanë kapur me presh për dore dhe e kanë dënuar me gjashte vjet burg, suedezët mentojnë se çdo gjë mori fund, por gabohen. Ata s’ e dinë se Zyla atë zanat ia ka lënë të birit…”
” Po gabohesh, bac,” i thash.  “ Djali tijështëi vogël për ato punë.”
“ I vogël është edhe djali im, por ka rënë thellë në pusin e asaj bande.Inshallah jam gabim, po sipas fjalëve të atyre që e kanë takuar, im bir edhe po e shet, edhe po e përdorvet. Ndryshe, pse nuk vete në shkollë? Një njeri që gjithë ditën bën gjumë e gjithë natën bën qejf, s’ ka takat për shkollë. Deri sa ta shtien në dorë ata të Sociales dhe ta degdisinnë viset polare… Siç e degdisënatë tjetrin…” Ai pushoi pak dhe unë e kuptova që ende s’ kishte kaluar te kryesorja. “ Qebesa, zoti Mësues, nëse ka ndo’i burrë që ma shpëton atë djalë, ai burrë je ti. Përndryshe, do më ngelet në ndoi bodrum të Rusengordit…”
E pash me sy të çakërdisur. Ai njeri s’ ishte më vete… Ai njeri ishte në hall të madh… Ndryshe, nuk do të kërkonte rruaza nëpër bar.
“ Unë jam mësues, baci Selim,” i thash me zë të matur. “ Me sa mend do t’ ma besosh atë përgjegjësi? Ti e di se kjo bie në sektorin e atyre të Mirëqenies Sociale?”
Xhevairja i fshinte lotët me shami.
” E dimë, si s’ e dimë,” tha ajo. “ Po ne s’ kemi besim te ata të Mirëqenies Sociale. Ata do ta marin djalin dhe do ta fërfllojnë diku në Norland, ndër zotrote je këtu… Ti je në Rusengord  dhe Avdiu të pëlqen shumë.Ne e kemi menduar këtë punë, ani po flasim. Po deshte ti,jemi të sigurtë se djali do kthehet në rrugë të mbarë dhe do të shpëtojë nga thonjtë e Sociales… Ja ku është Selimi dhe po të premtoj se do të vijë çdo ditë e do t’ ju bëj bukë taze. Aman, o vëlla, se na çmendën këta qena…”
Unë mbeta si hu gardhi. Ata mbase më përjetonin si njeri të mirë, si njeri të sjellshëm, si njeri zemërbardhë, por unë s’ isha Krisht që ta nxirja atë djalë nga ujrat e thella.
” Kjo është një punë që s’ bëhet, bac,” i thash. “Në dorë të parë sepse djali duhet të zhdrogohet e kjo do të thotë se ai duhet të qëndrojë në një klinikë të posaçme për atë punë, gjegjësisht të mjekohet. Droga është sëmundje e keqe. Pastaj aty janë organet e Mirëqenies Sociale. Ata bëjnë më parë vetëvrasje se miratojnë një gjë të tillë. I njoh, ani po flas; përndryshe, s’ do t’ ua ktheja fjalën.”
“ E dime këtë punë,” tha Xhevairja.” Lutja që ta shtroi baci Selim s’ është miratuar askund pos në kokën tonë. Po para se t’ i drejtohemi asistentes, patëm qejf ta marrim edhe mendim tënd. Të paktën të dalim me një propozim. Ti i kupton këto gjëra më mirë se ne.  Djali ka nevojë për një dhomë të vetën, një krevat, një tavolinë, një orar pune dhe një njeri që mund ta këshillojë si baba. Për ate mentova të shkoj e t’ i shes florinjtë që m’ i ka bërë burri peshqesh.”
” Unë jam i gatshëm ta ndihmoj Avdiunme gjithë zemër, por brenda kufijve të ligjit dhe takatit individual. Pra, në bashkëpunim me organet e Mirëqenies Sociale. Po pati nevojë, mund t’ ua jepni edhe emrin tim.Asistenti juaj më gjenë çdo ditë në Ertagord apo Krydgord midis orës nëntë dhe katër pasdite.”
“ Ashtu do bëjmë,” më thanë, duke më përcjellë deri n’ oborrin e shtëpisë së tyre, që shënonte cepin më të largut të një kompleksi që e ndiqte autostraden Lund – Treleborg.Atëbotë ai fillonte nga oborri iKishës katolike dhe, pasi e kërcente urën që sot lidh dy krahët e lagjes Rusengord, ndalonte mu para shtëpisë së tyre. Për t’ u tallur me kotësinë e Ndërmarrjes Komunale për Banesa, që gjithnjë priste t’ i vinin ardhacakë të rinj, malmoitët e rinj s’ e quanin kompleksin e lartpërmendur me emrin e tij të vërtetë, por e quajtën ”Muri i Madh Kinez.”
Duke e ndjekur trotuarin e shtruar me pllaka, gjithnjë i brengosur, gjithnjë i trishtuar, gjithnjë i bezdisur, m’ u kujtuan fjalët e gjyshës Azize, të cilat i kishte lëshuar në njërën nga seancat e sajtë gjata, pasi kishte pirë kafe me gratë e lagjes. Plaka, pasi i kishte mbyllur sytë  dhe e kishte recituar ”euzubilahin” plot nëntë herë, kishte thënë se bota e kishte marrë të prapën dhe i vetmi njeri që do ta çante deri në themel ishte Nevzat Dallanguzi. Jo se ishte përpjekur shumë për atë ndërmarrje të rëndësishme, por sepse kish patur fatin të katandisej në një pirg të qorrave dhe aty kishte gjetur dy palë çelsa. Njëra palë ishin të argjentë, tjetra palë ishin të florinjtë. Të gjithë vëllezërit e tij, që nga Alixhanie deri te Destani, do të përfundonin si kripa në ujë, por ai do të mbetej i fortë e i paharruar.        
Dhe gjyshja kishte të drejtë, se shenjat e atij bollëku dukeshin prej së largu. Alixhani, edhe pse shitej i mençur, arnohej nga dromcat e Zyrës për Mirëqenie Sociale. Kushëriri i tij i parë, Ibrahim Plluqka, e kishte marrë në qafë një sakate të krishterë. Resuli, ai i treti, ishte ngatërruar në pirgun e pjatave dhe tenxhereve. Destani, më i vogli, e kishte shitur parukerinë dhe kishte dalë në fshat. Vetëm Nevzati që bënte para dhe, sado që s’ na besohej, e kishte përfunduar çeshtjen e varrezave. Këte s’ e kisha dëgjuar nga Alixhani apo Zarifi, që rëndomt lëshonin dëngla, por nga e përditshja “Svenska Dagbladet”, që ishte botuar në agun e po asaj dite.
Sipas kryeredaktorit të gazetës, që ishte për një import më të madh të emigrantëve myslimanë, vendimi ishte marrë në mbledhjen e Këshillit bashkiak dhe trualli i miratuar për atë qëllim gjendej prapa “Murit kinez”. Ata që zhvillonin propagandë kundër ardhjes së shqiptarëve, turqve e arabëve gabonin keq, sepse shqiptarët, turqit dhearabët veç kishin mbërritur në Malme dhe kishin nevojë për një truall ku mund t’ i varrosnin njerëzit e tyre. Si t’ ju pëlqente a të mos u pëlqente racistëve suedezë, feja islame kishte lëshuar rrënjë edhe n’ atë qoshe të Evropës dhe ithtarët e saj shtoheshin për çdo ditë.

(vazhdon).

Shkruan: Ramadan Rexhepi