SHPËRNDAJE

Fotoreportazh nga kremtimi i 28 nëntorit nga Shoqata Humanitare “Medvegja”, në Fully të Zvicrës
.

“Të mblidhemi rreth shoqatës, sepse kjo është sofra e vërtet e Medvegjës edhe ate për 30 vjet me radhë, që ka pasur një punë të madhe në të gjitha fushat që është kërkuar nga atdheu. Fjala ime e fundit për këtë tubim, është Medvegjë, mos më dalt shpirti, pa të parë kuq e zi”, tha ndër të tjera z.Zenel Neziri

Foto dhe teksti: Dashnim Hebibi, Charrat/Valis, nëntor 2016

Jo vetëm në Zvicër, por edhe në gjithë diasporën tjetër shqiptare, me dhjetëra manifestime kanë filluar të mbahen para 28 nëntorit, por edhe pas 28 nëntorit, për të shënuar 104 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Vonesa të tilla, apo manifestimet para datës së shënuar nuk bëhen me qëllim, por janë mundësitë e tyre, që shpesh ndosh, që një datë e shënuar të qëlloj në ditë pune dhe mërgimtarët janë nëpër punë. Për Shoqatën Humanitare “Medvegja”, jo vetëm lexuesit tanë, por e gjithë shqiptarët kudo që gjenden janë të njohur me punën që kanë bërë me vite e vite, e jo më pak se mbi tridhjetë vjetë. Nuk mundet të ikë festa kombëtare tek medvegjasit pa e festuar me vite të tëra dhe në këto manifestime marrin pjesë qindra mërgimtarë nga e gjithë diaspora shqiptare, pa përjashtuar edhe miqë zviceranë. Adresa e medvegjasëve mërgimtarë është Shoqata Humanitare “Medvegja”, ku mblidhen thuajse të gjithë mërgimtarët rreth kësaj sofre, ku ka pasur e ka e do të ketë veprimtarë të dëshmuar, jo vetëm për Medvegjë, por për kombin në përgjithësi. Edhe pse nëpër shumë qytete të Zvicrës, po zhvillohen manifestime kremteje, në manifestimin e Shoqatës Humanitare “Medvegja”, nuk munguan medvegjasit dhe shumë vëllezër e motra nga të gjitha trevat shqiptare. Si zakonisht, kryesia e kësaj shoqate edhe sivjet, kishte punuar me aq mundësi sa ka pasur, që të shënoj ditën e flamurit, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Musafirë të shumtë vinin dhe drejtoheshin nga kryesia e kësaj shoqate për në vendet e rezervuara. Tradita e organizimeve është e njohur tek kjo shoqatë, sepse ndër vite, marrin pjesë personalitete të shumta kombëtare, por edhe nga ato zvicerane. Skena ishte e përgaditur në maksimum, duke ia bërë me dije secilit pjesmarrës, se sonte Medvegja kremton kuq e zi. Edhe pse në Medvegjë është e pamundur të kremtohet kjo festë kombëtare ashtu si e meritojnë banorët e atyre trevave, për shkaqe të njohura, kjo pjesë e Zvicrës, njihet si Medvegja e dytë dhe kremtojnë lirshëm, duke e ndjerë veten se janë në Medvegjë. Medvegjasit, është për të përmendur, se në këto kremte, marrin pjesë familjarisht edhe duke i sjellur edhe fëmijët e tyre. Shoqëria Kulturo Artistike, që vepron me vite nën kulmin e kësaj shoqate, shoqëri, që ka nderuar e përçuar zërin medvegjas nëpër manifestime edhe të tjera nëpër Zvicër, duke përfaqësuar komunitetin tonë, edhe sonte u paraqit me disa këngë e valle, pa përjashtuar edhe disa recitime nga nxënës të shkollës plotësuese shqipe. I madh e i vogël medvegjas, buzëqeshte, por në anën tjetër e përmendnin Medvegjën e tyre, që është në një gjendje jo ashtu si duan ata. Musa Neziri, një veprimtarë i dëshmuar, përcillte anëtarët e shoqërisë, se si përgaditeshin për të dalur në skenë e për të filluar programi, që me përgaditje kishin filluar disa muaj më herët. Nuk mungonte portreti i Skënderbeut, Ismail Qemajlit, Isa Boletinit, Dr.Ibrahim Rugova dhe flamuri ynë kombëtar dhe ai zviceran në njërën anë të sallës. Ishin miqtë zviceran, që edhe kësaj here, ishin ulur në rend të parë së bashku me kryetarin e Shoqatës Humanitare, “Lugina e Preshevës”, z.Fazli Musliu me qendrën e saj në Gossau të St.Gallenit, së bashku me ish komandantin e UÇPMB-së, z.Shefqet Hasani dhe disa miqë të tjerë veprimtarë që veprojnë në këtë pjesë të Zvicrës franceze. Fëmijët mërgimtarë lëviznin me veshje kombëtare andej e këndej, dhe u bë e ditur, se do fillohet programi. Me hymnin kombëtar, filloi kremtimi i 104 vjetorit të shtetit shqiptarë nga kjo shoqatë. Me një fjalë përshëndetëse, para të pranishmëve u paraqit, kryetari i Shoqatës z.Zenel Neziri, i cili falënderoi moderatoren dhe mësuesen e shkollës plotësuese shqipe zonjën Shaqiri në këtë pjesë të Zvicrës, e cila pa asnjë përtesë ka pranuar të jetë në mesin tonë. Z.Neziri ndër të tjera tha: “
Kam nderin dhe kënaqësinë të nderuar vëllezër e motra, ju fëmijë të dashur, t`ju uroj ditën e pavarësisë. Gëzuar 104 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

medvegja2016-02

Të nderuar medvegjas, të nderuar bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare, po shkojnë vitet dhe Medvegja, po mbetet në situaten e njohur. Situatë mjerimi.
E ne fatkeqësish, po thehemi mes veti, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës e Mal të Zi. Në vend se të bashkohemi, po merremi më shumë për ndarje dhe rezultati po shkon në hambarë të armikut shekullorë. Të nderuar miqë zviceranë, që gjithmonë ishit afër nesh, u jemi mirenjohës për jetë. I nderuar Ish komandant Shefqet Hasani, Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”, me kryetar z.Fazli Musliu, Ambasador i Paqes, Dashnim Hebibi, njëherit drejtor i Institutit Shkencor Helevetik në Zvicër, kryetar i Shoqatës në Martigny, Komuniteti shqiptarë në Montey, komuniteti shqiptarë në St.Maurice, e shumë personalitete tjera, ju jam mirënjohës që jeni në mesin tonë. I nderuar aktorë i merituar Çun Lajçi, ju falënderoj shumë që jeni prezent, në mesin e medvegjasëve, që shpesh na ke ardhur dhe na ke nderuar shumë, ju urojmë gjitha të mirat, zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe shtetin mik të kombit tonë Zvicrën. Për sa vjet jam kryetar i shoqatës, në festat tona ishin prezent lloj lloj personaliteti, i përshëndes nga Tirana, Kosova e Lugina. Jam munduar, që zërin e Medvegjës, ta përcjell deri në SHBA, Bruksel e gjithë botën.
Medvegjasit duhet të jenë edhe më të bashkuar nëmes veti. Bashkimi na bënë më të fortë.
Si gjithmonë edhe kësaj here, duhet ti kujtojmë dëshmorët e kombit, ata që dhanë jetën për atdheun, për liri e paqe, lavdi i qoftë gjithë dëshmorëve të kombit e atyre veprimtarëve që me dekada kanë dhënë gjithçka që kanë mundur për të jetuar të lirë dhe të pavarur.

medvegja2016-03
Ne medvegjasit, jemi shumë të shqetësuar edhe në këtë përvjetorë të madh, edhe kësaj here, kur e kemi edhe shtetin e Kosovës, kur i kemi miqtë tanë ndërkombëtarë në Kosovë, shumë afër medvegjës sonë e cila po përjeton ditë shumë të rënda, e cila po kërkon ndihmë, e zëri i saj si duket nuk po dëgjohet. Ne medvegjasit jemi të përbuzur nga ata që janë duke e trazuar rrugën e kryekriminelit Millosheviq, që vdiq me turp në burgun e nderuar të Hagës. Miqë zviceranë, ne shqiptarët flasim me fakte, ne nuk dijmë propaganda, ne nuk kemi luftuar për territorë të huaj, ne e kemi mbrojt pragun, moralin dhe familjen në përgjithësi. Ju e dini këtë, ju kisha lutur, që të na ndihmoni edhe më shumë në këtë drejtim, që të jemi edhe ne të lirë atje, atje ku i thuhet bukës bukë shqip, atje ku i kemi varret e të parëve tanë. Ata argatë të Millosheviqit, duan që ti lëjmë shtëpitë tona, ti shesim dhe të ikim, por e kanë të vështirë, sepse ajo tokë ka qenë shqiptare dhe do të jetë përgjithmonë. Nuk po dojnë me na lënë rehat as të vdekurit që i kemi, as fëmijët të rriten lirshëm. E tmerrshme. Ne jemi mësuar me maltretime, vrasje, por mjaft më, mjaft, kur europa po përparon, kur europa po na thërret e ata kanë në zemër luftën, torturën. Padyshim, atyre që janë në detyra zyrtare qoftë në Medvegjë, Preshevë apo në Bujanoc, të punojnë drejt dhe të mos mashtrohen me kravata, e rroga të mira e karrike, sepse historia do të gjykojë çdo veprim që bëhet. Shoqata jonë nuk është politike, por edhe ne jemi pjesë e medvegjës. Ti kthehemi festës sonë që jemi mbledhur sot, të festojmë pavarësinë e shtetit shqiptarë, ditën e flamurit. Mu kujtuan disa fjalë të Ismail Qemalit e mbajtur më 28 nëntor 1912 në Mitingun e madh në Vlorë me rastin e ngritjes së flamurit, i cili me këto fjalë ju drejtua gjithë shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtarë: Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Deshti Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë. E tash, duke kujtuar ato fjalë, e shikojmë Shqipërinë në NATO, Kosovën e pavarur, por ka edhe shumë punë, për tu bërë mirë, ashtu siç e meritojmë ne. 28 Nëntori është datë që shënon një varg aktesh në historinë tonë kombëtare. Skënderbeu, Ismail Qemajli, Adem Jashari dhe UÇK-ja na mësojnë se lufta për liri dhe vetëvendosje është vendim i njëanshëm.
Ne sot po festojmë, sepse nuk dijmë të dorëzohemi asnjëherë, ne do të punojmë bashkë, të jemi më unikë mes veti drejt çlirimi përfundimtarë të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

medvegja2016-04
Do të vije dita që flamuri ynë kombëtarë kuq e zi do të valoj në mes të Medvegjës, ashtu si e meritojmë ne, ku me këtë flamur jemi rritur dhe kanë dhënë jetën shumë dëshmorë të kombit. Valoi para disa viteve, ishim unikë dhe e vendosëm, por jo përgjithmonë, ashtu si do të duhej. Të festojmë së bashku dhe gëzuar ditën e madhe, këtë datëlindje të madhe të Shqipërisë nënë dhe flamurit kombëtarë. Gëzuar, zoti e bekoftë popullin shqiptarë, Zvicrën dhe të gjithë ata që na ndihmuan dhe po na ndihmojnë e në tërë rruzullin tokësor, të ketë paqe dhe shëndet e të mira. E nderuara kryesi e shoqatës, të nderuar miqë, që ishit gjithmonë afër nesh në çdo situatë, ju jam falënderues, e di se shpesh ndoshta edhe ju kam lodhur, por kemi dashur të dalim mirë. Prandaj, si kryetar i shoqatës, uroj nga shpirti, që juve dhe familjeve tuaja gjithmonë të ju gjej e mira. Faleminderit, faleminderit. Të mblidhemi rreth shoqatës, sepse kjo është sofra e vërtet e Medvegjës edhe ate për 30 vjet me radhë, që ka pasur një punë të madhe në të gjitha fushat që është kërkuar nga atdheu. Zoti ju bekoftë, urime festën, të festojmë, të festojmë. Fjala ime e fundit për këtë tubim, është Medvegjë, mos më dalt shpirti, pa të parë kuq e zi”. Pas këtyre fjalëve, të gjithë të pranishmit e mirëpritën me duartrokitje. Me nga një fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe disa nga musafirët, si Fazli Musliu, kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, dhe Shefqet Hasani, Baci Shefqet, ish komandant I UÇPMB-së, të cilët i uruan të pranishmëve 28 nëntorit dhe duke I treguar dhe dëshmuar, se kjo shoqatë, kishte bashkëpunim e do të ketë edhe në të ardhmen me shoqatën si motër “Medvegja”, ku u bë thirrje, që të jemi edhe më të bashkuar, sepse të bashkuar do të kemi mundësi ti çmojmë proceset përpara. Me këtë rast, kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja”, z.Zenel Neziri, ndau edhe një mirënjohje z.Hasani, i cili ka përkrah e po përkrah këtë shoqatë dhe çështjen e Medvegjës dëshiron ta sheh sa më shpejt të zgjidhur. Z.Hasani, i emocionuar, falënderoi kryetarin e shoqatës z.Neziri dhe të gjithë medvegjasit, duke i thirrur që të jemi bashkë, sepse ai është edhe amaneti i dëshmorëve, që ranë për flamur e gjuhë shqipe. Programi artistikë si edhe herave të tjera, filloi me fëmijët, duke recituar, kënduar e vallëzuar, me një program vërtet të mirë. Pas fëmijëve, programi artistikë filloi me grupin e të rriturve, e kryesisht me këngë folklorike, këngë për bashkim kombëtar e këngë tjera patriotike. Aktori i merituar, Çun Lajçi, i cili jo vëtëm në Zvicër, që është në mesin e medvegjasëve, por edhe në Medvegjë, ai recitoi disa vargje të Fishtës dhe më pastaj disa vargje të tjera të Rilindësve, që emocionoi gjithë të pranishmit. Me të mbaruar programin e tij artistikë, para se të largohet nga skena, u pa, Zenel Neziri, kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja”, që iu afrua aktorit Çun Lajçi për ta përqafuar, për ta nderuar dhe përmendi disa takime, që ky aktorë i madh, nuk ka prituar asnjëherë, edhe ate të rrezikoj jetën, për të nderuar medvegjasit në mes të Medvegjës. Ku recitimi i aktorit tonë të madh, para disa viteve në Medvegjë, u lakua nëpër disa media serbe, duke e kritikuar, se si është e mundur, ti recitohet Adem Jasharit. Prandaj, ky aktorë, është i shenjtë jo vetëm për medvegjasit, por për gjithë vëllezërit e Luginës së Preshevës, i cili menjëherë pas këtij manifestimi, po të nesërmend, u gjend edhe në Preshevë, duke recituar vargjet e Fishtës, për gjuhën shqipe. Z.Neziri, në emër të kryesisë dhe anëtarëve të shoqatës, nderuan me një mirënjohje të veçantë, aktorin e merituar Çun Lajçi, me titull, anëtar nderi të shoqatës. E aktori Lajçi me të marrur këtë mirënjohje, falënderoi nga zemra kryesinë e shoqatës dhe gjithë medvegjasit kudo që janë. Aktori Lajçi, ia dhuroi edhe kryetarit të Shoqatës Humanitare “Medvegja”, z.Zenel Neziri edhe një libër me poezi, të shkruar para disa muajve, ku siç na paralajmëroi z.Lajçi, së shpejti do të dalin në dritë edhe dy libra të tjerë me poezi të shkruar nëpër kohë të ndryshme. Pas recitimit të z.Lajçi, filloi kënga e vallja deri në orët e para të ditës. Të gjithë medvegjasit mërgimtarë, të rrethuar rreth kësaj shoqate, shpresojnë, se edhe në të ardhmen, do të kremtohen këto festa në Zvicër, por pa e harruar edhe Medvegjën tonë, me shpresë, se faktori ndërkombëtar, do ti mundohet të zgjidh problemin e gjuhës dhe të drejtës së flamurit kombëtar. Zenel Neziri, kryetar i Shoqatës, falënderoi edhe njëherë të gjithë të pranishmit, mediat prezente, por edhe miqtë që ishin e që nuk ishin, por që kanë qenë ndër vite për të treguar, se medvegjasit nuk do të jenë vetëm, por do të jenë së bashku në çdo proçes. Krejt në fund të këtij kremtimi të 104 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të gjithë të pranishmit u ndanë të kënaqur dhe duke u lutur, që vitin tjetër, të shohim Medvegjën më ndryshe, Medvegjën si do të duhej, dhe të mbahen dasmat shqiptare në ate tokë shqiptare. /presheva.com/