SHPËRNDAJE

Emblema e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, po del të ketë ngjashmëri të madhe me atë të një kompanie private në Amerikë. Kompania “American Premium Security”, ka një emblemë pothuajse identike me atë të FSK-së, çka ka nxitur diskutime në media dhe rrjete sociale. Por autori i emblemës së FSK-së, Taulant Qerkini në një prononcim për Telegrafin e ka mohuar se emblemën e ka marrë nga kjo kompani amerikane.

Ai ka deklaruar se emblemat e FSK-së janë hartuar qysh nga viti 2008, dhe përkundër se kompania amerikane është themeluar në vitin 2003, FSK-ja sipas tij i ka emblemat autentike.

“Emblema është e kopjuar, por ndoshta jo prej neve. Në fakt simbolet e FSK-së, projekti ka qenë në vitin 2008 e jo kur është bërë Ushtria. Ushtria është bërë tash, por dizajnet kanë qenë qysh nga viti 2008. Kjo si kompani e pashë që ish themelu në vitin 2003, por logot ribrendohen. Publiku këto i ka pa në fakt prej që është krijuar Ushtria, mirëpo këto logo janë të dizajnuar nga Initi, unë dhe Alban Gagica. Ne e kemi përdorur formën e shqiponjës, domethënë shqiponjën si simbol, dhe i kemi bërë dizajnet e tona”, ka thënë Qerkini.

Ai  ka bërë të ditur edhe një detaj, që tregon dallimet ndërmjet dy emblemave. “Edhe një informacion, në dizajnet tona janë nga gjashtë vija të rrufesë anash për shkak të flamurit pra minoriteteve që janë në Kosovë. Kurse në logon e tyre janë pesë, për shkak se sigurisht nuk ua ka zënë tekstin”, ka thënë Qerkini.