SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e grupit të shoqërisë civile për grumbullimin të krimeve të luftës gjatë vitit 1998/1999, sot kanë dorëzuar kontingjentin e pestë të kallëzimeve penale “ndaj kriminelëve serb”.

Qëllimi i dorëzimit të këtyre kallëzimeve penale është për arsye se sipas këtij grupi, kriminelët serb shëtiten të lirshëm në Serbi, Kosovë dhe gjetiu.

Përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, Mevlyde Mezini – Saraçi bëri të ditur se janë mbi 150 kallëzime penale, të cilat sot i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale në Prishtinë.

“Uroj që  këto kallëzime penale të marrin rrugën e drejtësisë dhe të dënohen kriminelët”, tha Mezini-Saraçi.

Sipas saj, në këto kallëxime janë të gjitha shtresat, që nga personat e vrarë ata të arrestuar, plagosur, deri të ata që janë dëbuar nga atdheu dhe pronat e tyre.

“Unë konsideroj se edhe komunat tjera përveç Komunës së Gjakovës duhet ta bëjnë të njëjtën gjë. Ata janë përgjegjës për të gjitha krimet dhe duhet ta marrin dënimin e merituar, ndryshe gjaku i të rënëve nuk do të na fal. Mendoj se kjo punë e jona e ka marrë udhën e drejtë”, ka sqaruar Mezini – Saraçi.

Ata kanë sqaruar se kanë grumbulluar të gjitha të dhënat që i kanë ofruar familjet, duke i përshkruar sipas tyre, personat e dyshuar me pamje, me veshje – kush i ka djegë shtëpitë dhe kush i ka vrarë njerëzit.

Kallëzimet penale kundër disa serbëve janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale- të Republikës së Kosovës, respektivisht në Departamentin për krime Lufte që udhëhiqet nga koordinatorja për krime lufte, prokurorja speciale Drita Hajdari.