SHPËRNDAJE

“Serbët që jetojnë Kosovë do të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë që janë caktuar të mbahen më 16 mars, ka deklaruar ministri serb i ngarkuar për Kosovën,  Aleksandar Vulin”. ( www.koha.net- 30.01.2014  duke u bazuar në burimet e  Tanjug-ut.). Ndërsa, www.presheva.com e datës 31. 01. 2014 shkruan se: “kryetari i trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, ka ftuar shqiptarët e tre komunave që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe me 16 mars, se kjo datë është shans për shqiptarët që me pjesëmarrjen e tyre në qeverinë shtetërore mund të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve të tyre”. 

Absurditetet e zyrtarëve serbë nuk kanë kufij, deklarimet dualiste të tyre si zakonisht dalin nga kryeqendra e tyre, Beogradi.

 Dualizmi i tyre konsiston në deklarimet e kohëpaskohshme se janë për dialog, se janë të  moderuar, se dëshirojnë paqe e mirëqenie në rajon, por kur bisedohet për shqiptarët harrojnë se çka kanë thënë dje, duke menduar se shqiptarët ende janë në gjumë, ende janë të paarsimuar, ende janë skllevër të tyre, ende mashtrohen nga fjalët boshe të premtuara nga ta.

Politika pushtuese e shfrytëzuese e pushteteve serbe dje e sot, është demaskuar nga veprimet gjenocidiale të vet pushteteve serbe dhe kryengritjeve shqiptare njëkohësisht, dhe për këtë di bota demokratike. Po për këto veprime çnjerëzore të ushtruara nga policia, ushtria e paramilitarët e ndryshëm serbë, demokracia botërore në vitin 1999 bombardoi forcat e tilla, për të ndalë shfarosjen e një populli të tërë në Kosovë. Dhe, sot kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, po mundohen të krijojnë paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor se bashku me shqiptarët, ende gjenden zyrtarë serbë, të cilët  lëshojnë deklarata dualiste, përçarëse, irrituese, konflikt-nxitëse e qesharake njëkohësisht. 

Për më shumë, flasin dy deklaratat e lartshënuara të dy zyrtarëve të pushtetit serb: njërit i ashtuquajturi ministër për Kosovën, Aleksandër Vulin dhe tjetri, kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq. 

Të gjithë ata që besojnë se filozofia serbe në raport me shqiptarët do të ndërrojë, mund të thuhet se po lajthitin, në vend se të thuhet po gabohen rëndë, sepse filozofia e  pushtimit të tokave shqiptare dhe e ripushtimit të tyre, as ka pushuar, po sa vete e ngjizet pas një shprishje gjatë 1999-s.

Dhe në këtë kontekst veprimet e tyre çnjerëzore nuk janë ushtruar vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj vet popullit serb. Le të kujtojmë rastin në kafenenë  “Panda” në Pejë, në vitin 1999, ku Serbia i  vrau 6 të rinj serbë për të akuzuar UÇK-në  dhe arsyetuar  sulmet e saja ndaj Kosovës. 

Edhe sot po mundohet ta shfrytëzojë  gatishmërinë, vullnetin e mirë të lidershipit të shqiptarëve të Kosovës  për vendosjen e paqes në këtë rajon. Po ashtu, ulja e armëve nga ushtarët e UÇPMB-së në vitin  2001 në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, me insistimin e botës demokratike, po shfrytëzohet nga Serbia për qëllime të prapështa. 

U mbushën 13 vjet që shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit votojnë me ligje të Serbisë për komunat e theksuara duke kontribuar që të  zhvillohet demokracia, paqja e lëvizja e lirë, por, pushteti serb, asnjëherë nuk i përfilli këto sakrifica të shqiptarëve, po vazhdoi me diskriminim në të gjitha fushat e jetës ekonomike, politike e sociale në Kosovën Lindore.

Nga ana tjetër, me urdhër të Serbisë, komunat e Kosovës me shumicë serbe, si Mitrovica e veriut, Leposaviçi, Zubin Potoku e Zveçani, nuk po integrohen në institucionet e Kosovës. Dhe këtë e di gjithkush, edhe ata më të painformuarit. Serbia di, do dhe inkurajon grupet kriminale për të shkaktuar vrasje, dëbime, korrupsion, e shumë veprime tjera që janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për jetë të qetë, lëvizje të lirë e respektim të ligjeve të shtetit ku jetohet.

A s’është e turpshme, anticivilizuese, antidemokratike e qesharake edhe sot, kur në njërën anë për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit zyrtarët serbë bëjnë thirrje  e këmbëngulin që të dalin në zgjedhjet e Serbisë  e në anën tjetër për serbët e  Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut e Zveçanit, komuna të Kosovës, bëjnë thirrje që të votojnë, po ashtu për zgjedhjet e Serbisë. 

Atëherë, nëse Serbia bën thirrje dhe kërkon që me çdo kusht serbët  e veriut të Kosovës të votojnë për Serbinë, sipas kësaj logjike edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e  Bujanocit do të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës apo të Tiranës, sepse nuk ka asnjë arsye që në këtë rajon kaq të ngushtë;  për një etni të ketë kritere tjera e për tjetrën etni, të tjera. 

Aq më shumë shqiptarët kanë të drejtë 100 herë të mos votojnë për zgjedhjet e Serbisë, ngase, vetëm pas luftës së fundit në mes UÇPMB-së e forcave ushtarake policore serbe, janë diskriminuar, vrarë, burgosur e dëbuar pa faj, u janë marrë gjykatat, u janë ndaluar abetaret në gjuhën shqipe u janë bërë shumë e shumë të këqija tjera, ndërsa në pjesën veriore të Kosovës, serbët, nëpër mes pushtetit serb, kanë vrarë e dëbuar shqiptarë nga shtëpitë e tyre, nuk e kanë njohur qeverinë legjitime të Kosovës, e janë përfshirë në kriminalitete të shumta. Këto dihen botërisht, por edhe do të vërtetohen edhe në të ardhmen siç është rasti, tani,  me  Oliver Ivanoviçin.

Prandaj, Vulin e Zoran Stankoviq, kot e keni me llafe të tilla, askush nuk u beson “lojërave” tuaja të dala boje. 

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, së paku  që nga 1912, atëherë  kur u pushtua me terror e hekur, nuk kanë qenë të lidhur me Beograd e Serbi, ata vazhdimisht kanë qenë të drejtuar kah Prishtina e Tirana dhe kjo ëndërr i ka mbajtur gjallë, kanë ruajtur etninë, gjuhën e kulturën e vet dhe një ditë, besojnë shumë, se kjo ëndërr do të realizohet, sepse është e drejtë e tyre që t’i kthehen trungut të vet, sepse këtë të drejtë e kanë mbrojtur vet, e ka  mbrojtur edhe zoti dhe nuk kanë lejuar që të asimilohen që 2000 vjet, e nuk do të lejojnë  as tani. 

 

Gjilan, 04. 02. 2014

Ismet TAFILI