SHPËRNDAJE

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar shortin e kualifikimeve për Europianin e 2016- ës, duke u ndalur natyrisht te ndeshja me Serinë. Si krahasim ai ka sjellë fitoren e kuqezinjve më 4 shtator 2004 ndaj Greqisë (2-1) në “Qemal Stafa”, por pa harruar të lëshojë edhe një apel për tifozët e Kombëtares.

Gjatë një emisioni televiziv në “Vizion Plus” ai u ka kërkuar këtyre të fundit që të mos i kalojnë caqet, duke e konsideruar këtë vetëm si një ndeshje normale futbolli. Takimi pritet të jetë ndër më të zjarrtit e këtyre kualifikime, kjo nisur edhe nga përplasjet politike që shqiptarët kanë pasur ndër vite me serbët.

Shorti – “Jemi në një grup shumë të vështirë, por unë them se ne mund të ndeshmi me këta kundërshtarë dhe gjithçka duhet t’ia lëmë fushës së lojës. Shqipëria ka treguar se mund të bëjë lojëra të mira ndaj çdo kundërshtari, ndaj do ta provojmë edhe këtë të bëjmë më të mirën e mundshme. Është një grup i fortë, ku çdo skuadër mund t’i marrë pikë tjetrës dhe në këtë këndvështrim pse të mos përfitojmë edhe ne nga këto përplasje. Të gjithë kundërshtarët ne duhet t’i shikojmë si të tillë sportivisht dhe nuk duhet që t’i kalojmë caqet. Ne duhet të bëjmë më të mirën edhe sa i përket ndeshjes me Serbinë, por natyrisht pa i shtuar më shumë se duhet dozat, pasi kjo do ta vinte disi në presion edhe skuadrën tonë. Do të jetë një ndeshje futbolli dhe e tillë duhet të mbetet, ndaj ne do bëjmë punën tonë maksimalisht në këtë këndvështrim. Kemi rastin e Greqisë, ku ne vërtet fituam dhe krijuam edhe një atmosferë shumë e mirë dhe të zjarrtë, që normalisht ndikoi pozitivisht edhe te skuadra. Unë e kuptoj se tifozët janë disi më të prirë në ndeshje të tilla, por përballjen me Serbinë në radhë të parë duhet ta kuptojmë si një ndeshje futbolli, të cilën të gjithë duam që ta fitojmë, natyrisht pa kaluar më pas caqet e tifozllëkut. Ndaj u bëj apel të gjithë tifozëve që ta përkrahin Kombëtaren, por pa bërë presion apo pa i kaluar limitet”, u shpreh Duka.