SHPËRNDAJE

Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë produkt nga Serbia pavarësisht nëse është markë ndërkombëtare apo serbe, nuk mund të hyjë më në Kosovë pa iu nënshtruar taksës prej 100 për qind.

“Kjo masë e re e qeverisë së Kosovës “ndonëse nuk thuhet zyrtarisht”, erdhi pas një letre që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq u dërgoi vendeve të ndryshme të botës përfshirë edhe Shqipërinë, nga të cilat kërkoi tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. E si duket kjo letër e ka nervozuar tej mase kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e shprehu pakënaqësinë tij edhe ndaj komisionarëve të BE-së që sipas tij nuk reaguan fare për letrën e Bernabiq”.

Në artikull evidentohet fakti se ky vendim i qeverisë së Kosovës ka sjellë reagimin e Bashkimit Europian që i ka bërë thirrje qeverisë sëKosovës që të rishikojë vendimin për zgjerimin e tarifës edhe ndaj produkteve të markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi.

“E shohim me shqetësim vendimin e Kosovës për të shtrirë tarifën prej 100 për qind edhe për produktet e brendeve të njohura ndërkombëtare të vendeve të tjera, duke përfshirë edhe vendet e BE-së, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Ne duam të përsërisim mesazhin e BE-së, se vendosja e tarifave nuk kontribuon në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ajo bie në kundërshtim me angazhimet e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe angazhimeve të marra nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA)”, thuhet në reagimin e BE-së që sjell DË.

Më tej artikulli sjell edhe reagimin e kryeministrit të Kosovës, Haradinaj, sipas të cilit e vetmja mënyrë e arritjes së paqes Kosovë-Serbi është pranimi i të drejtës së Kosovës.

Efekti i vendimit për Serbinë, nga 21 nëntori deri me 11 dhjetor është 30 milion euro më pak mallra krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Ndërsa për Bosnje-Hercegovinën, fatura llogaritet 4 milionë euro.