SHPËRNDAJE

Gjithë mediat e Serbisë dje dhe sot kanë shkruar për letrën që i ka dërguar Vlladimir Putinit një serb radikal nga Kosova.

Në këtë letër, Sllavisha Ristiqi, kryetar i lëvizjes ekstremiste serbe “Otadzbina” i ankohet Putinit për veprimet e Aleksandar Vuçiqit në raport me Kosovën.

Megjithatë, një çështje interesante që vërehet në letër është fakti kur Ristiq hedh dyshime nëse ish-shefi i Zyrës Ruse në Prishtinë ia ka përcjellë ose jo Putinit “çmimin” që ia kishin dhënë komunat serbe nga veriu atij.

Duke u munduar t’i kujtojë Putinit se kush janë serbët e Kosovës dhe se njëherë e patën dekoruar me “Qytetar Nderi”.

“Sigurisht se ju kujtohet që ne serbët e krahinës jugore të Serbisë, më 15.03.2011, në praninë e 500 përfaqësuesve popullorë, në shtëpinë e kulturës në Zubin Potok, iu kemi ndarë çmimin me të cilin iu kemi shpallur ‘Qytetar Nderi’.

Çmimin ia kemi dorëzuar ish-shefit të Zyrës Ruse në Prishtinë Andrej Shogorovit, i cili na premtoi se do t’ua dorëzonte juve me rastin e vizitës në Beograd më 23.03.2011. Shpresojmë se e ka bërë këtë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Ristiqit drejtuar Putinit, e në të cilën hedhen dyshime nëse Shogorovi si kreu i dikurshëm i Zyrës Ruse në Prishtinë ia kishte përcjellë atë Putinit.