SHPËRNDAJE

Egzona Gërvalla ka lindur në Prishtinë, më 1986. Studimet i filloi që në moshë të re në shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës «Prenkë Jakova», në Prishtinë. Më pastaj i vazhdoi studimet në Degën e Kantos në Akademinë e Arteve në Tiranë, me pedagogen e shquar prof. Nina Mula. Më tej, ajo i vazhdoi studimet në kolegjin e muzikës në Vadstena (Suedi) dhe në konservatorin «Peter Cornelius» në Mainz (Gjermani). Ajo po vazhdon zhvillimin e saj vokal nën përkujdesjen e pedagoges së mirënjohur të solokëndimit prof. Merita Juniku. Karriera e saj muzikore po vazhdon me sukses nëpër koncerte të ndryshme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni, si dhe në vende të ndryshme të Evropës. Kësaj radhe, ne e patëm rastin që ta realizojmë një intervistë dhe të flasim më gjerësisht për tema të ndryshme.

Ashtu siç e do rendi, fillimisht Ju falënderoj që gjetët kohë për këtë intervistë. Si është gjendja aktuale e artit muzikor, në përgjithësi, në Kosovë?

Kosova, fatmirësisht, ka talente të reja dhe premtuese, si dhe artistë me vlera. Element kyç për ta përmirësuar gjendjen aktuale të artit muzikor në Kosovë është mbështetja financiare për artistët dhe institucionet kulturore, qoftë nga Ministria e Kulturës, apo nga komunat. Arti kërkon financim, nuk mund ta financojë vetveten.

Ka viruse në muzikën shqipe?

Unë i përkas muzikës klasike. Në fushën time nuk ka sfida të tilla, po ka të bëjë me talentin, zotësinë, fuqinë dhe performansën e një artisti. Sakrificat dhe vështirësitë për të arritur sukses dhe për të bërë karrierë si artiste janë të mëdha.

 

Atëherë, si do të shërohet muzika shqipe nga këto viruse?

Nevojitet nivel më i lartë në edukimin artistik, kontakt më i gjerë me kulturë të cilësisë më të lartë. Shteti duhet të sigurojë fonde adekuate për artistët, si dhe për ndërtimin e sallave adekuate koncertale, ku ata të mund të interpretojnë. Interesimi i publikut është i madh, ka artdashës e dashamirë të muzikës së mirëfilltë. Është thelbësore për mirëqenien njerëzore të njohë, të vlerësojë dhe t’i kuptojë benefitet e artit muzikor. Muzika e mirëfilltë e luan një rol të rëndësishëm në kualitetin e jetës së njerëzve. Mendoj që është përgjegjësi e institucioneve tona të investojnë për artin dhe edukimin e artistëve të rinj.

Ke lindur në Prishtinë. Të kujtohet kënga e parë që e keni kënduar që në vegjëli?

E mbaj mend se qysh e vogël i kam admiruar këngët e vjetra qytetare. Një ndër këngët e para që më ka bërë përshtypje, e që e kam kënduar, ka qenë kënga «Luleborë», kënga favorite shqiptare gjatë vegjëlisë sime.

 

I ke kryer studimet muzikore në shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës «Prenkë Jakova», në Prishtinë. Sa të ka ndihmuar kjo shkollë për studimet tjera?

Më ka ndihmuar dhe më ka shërbyer jashtëzakonisht shumë. Në të gjitha shkollat ku kam studiuar deri tani, edhe në Akademinë e Arteve në Tiranë, por edhe në Suedi dhe Gjermani, e kam pasur një avantazh të madh për shkak të njohurive të mia të marra qysh në vegjëli në solfezh, teori të muzikës, piano e lëndë të tjera muzikore.

 

Menjëherë i ke vazhduar studimet në Degën e Kantos në Akademinë e Arteve në Tiranë, me pedagogen e shquar prof. Nina Mula. Cili është kujtimi më i mirë që ke pasur gjatë studimeve në Tiranë?

Kujtoj edhe sot me shumë nostalgji orët e mia të kantos, që i mbaja me profesoreshën time, Nina Mula. Mbështetja dhe devotshmëria e saj ndaj studentëve, jo vetëm me mua, por me të gjithë artistët e tjerë të rinj ishte për t’u admiruar. Artistja e madhe e muzikës lirike, prof. Nina Mula, gjatë orëve të kantos përçonte ndaj nesh dashurinë dhe pasionin e saj për operën në mënyre brilante.

Cilat janë dallimet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës sa i përket Degës së Kantos?

Mendoj që dedikimi në Degën e Kantos është i lartë, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Për dallim me Prishtinën, Tirana ka salla koncertale adekuate për këndimin lirik, e ka Teatrin e Operës dhe Baletit, që u mundëson artisteve të saj ta shfaqin talentin dhe interpretimin e tyre ne këto hapësira. Shpresoj që edhe në Prishtinë, sa më shpejt, ta gëzojmë një privilegj të tillë.

 

Megjithatë, nuk jeni ndalur, vazhduat studimet në kolegjin e muzikës në Vadstena (Suedi) dhe në konservatorin «Peter Cornelius» në Mainz (Gjermani). Si jeni pritur në Suedi dhe në Gjermani?

Jam pritur shumë mirë, si nga studentët, ashtu edhe profesorët. E vlerësuan talentin tim. Ndoshta do ta veçoja pak më shumë Suedinë. Përveçse kam takuar artistë shumë të talentuar, kam fituar edhe shumë miq të mirë.

 

Keni marrë pjesë në ndonjë program në Suedi apo Gjermani në kohën sa keni studiuar?

Kam marrë pjesë në disa projekte operistike dhe në koncerte të shumta që janë organizuar brenda dhe jashtë shkollës. Mund ta veçoj interpretimin tim në rolin kryesor në shfaqjen e operës «Nusja e shitur» nga Smetana, në Vadstena (Suedi).

 

Më mirë të duket kur këndon shqip, italisht, frëngjisht, apo gjermanisht? 

Këngëtareve të muzikës klasike u jepet rasti të këndojnë arie nga opera të kompozitoreve të ndryshëm, në shumë gjuhë të ndryshme. Unë kur i këndoj ariet e mia ndihem mirë në secilën prej tyre, por të kënduarit në shqip gjithmonë më jep një ndjesi dhe emocion të veçantë e të papërshkrueshëm.

 

Në sa koncerte solistike ke marrë pjesë deri tani?

Që nga maji i këtij viti kam debutuar me koncertin tim të parë solistik në Shkup. Dy i kam realizuar deri tani, në Shkup dhe në Tetovë. Në tetor do të mbahen në Prishtinë dhe Tiranë, e për të vazhduar më pas edhe në Evropë. Për zërin tim dhe në përzgjedhjen e programit të këtyre koncerteve, momentalisht përkujdeset profesoresha ime e kantos, Merita Juniku, një artiste e madhe, me eksperience në skenat operistike evropiane, pra me një bagazh të madh artistik.

 

Gjithashtu, ke marrë pjesë edhe nëpër konkurse të ndryshme rreth Evropës. Ku ke kaluar më së miri?

Konkurset vokale janë të domosdoshme për një këngëtar opere. Aty promovohesh si artist. Pikërisht nga konkurset janë lansuar këngëtarët më markantë në botën operistike. Unë momentalisht jam duke u përgatitur për të konkurruar në disa prej tyre.

 

Mendoni se me profesionin tënd është e vështirë të mbijetohet në Kosovë?

Aktualisht, po. Përveç vetorganizimeve dhe vetëfinancimeve të koncerteve solistike, mundësi e vetme punësimi për këngëtaret e muzikës klasike në Kosovë është Kori i Filarmonisë së Kosovës, institucion i cili nuk shpall as audicione për artistë të rinj.

 

Në cilin shtet do të kishe pasur më së shumti dëshirë të jetosh?

Unë me familjen time brenda disa viteve i kemi ndërruar disa shtete, duke mësuar gjuhë të reja dhe duke shijuar kështu kultura të ndryshme. Destinacioni ynë tjetër do të jenë Italia dhe Australia.

 

Pse?

Italia, për faktin se aty ka lindur opera, aty është La Scala, aty kanë jetuar dhe janë frymëzuar Puccini, Verdi e Bellini, duke krijuar perlat e muzikës klasike. Dua t’i përjetoj dhe vizitoj të gjitha këto vende ku janë inspiruar këta kompozitorë dhe artistë të mëdhenj të botës operistike. Ndërsa Australia, për shkak të klimës së mirë dhe bukurisë natyrore që posedon.

 

Ke provuar të këndosh këngë popullore?

Kam kënduar «Ani mori nuse». Më pëlqejnë këngët e vjetra popullore. Këtë nuk mund ta them edhe për këngët e tanishme popullore «moderne».

 

A është në një ngërç nga shundi dhe kiçi arti muzikor?

Shundi dhe kiçi janë krijuar për nevoja komerciale, prandaj frymëzimin nuk e gjejnë në art. Muzikën e tillë e gjejmë të popullarizuar në forma të ndryshme në gjithë botën, si shlager në Gjermani, dansband në Suedi, country në SHBA etj. Mendoj se ky lloj muzike e plotëson një nevojë tjetër dhe nuk është në konkurrencë apo konflikt me muzikën artistike.

 

Me cilin këngëtar apo këngëtare do të kishe dashur të këndosh?

Do të ishte një privilegj i madh të këndoja me mbretëreshat e muzikës lirike, Inva Mula dhe Mirella Freni.

 

Ke kontakte me artistët tanë që janë nëpër Evropë në fushën tuaj muzikore?

Kam kontakte shumë të mira me shumë artistë shqiptarë, duke përfshirë këngëtarë dhe instrumentiste të shkëlqyeshme, jo vetëm në Evropë, por edhe në gjithë botën.

 

E sheh veten larg Kosovës, apo gjithsesi aty?

E shoh veten kudo që vlerësohem, aty ku mund ta shpalos lirshëm artin dhe kontributin tim në botën operistike.

 

Çfarë do të kishe ndryshuar në Kosovë, po ta kishe këtë mundësi?

Momentalisht politika është ajo e cila duhet të ndryshojë rrënjësisht. Me ndryshimin e saj radikal, do të përmirësohen vetvetiu fushat e tjera.

 

Sigurisht se je paraqitur edhe në Maqedoni?

Po, jam paraqitur me dy recitale të mia në Shkup dhe Tetovë. Ishte një befasi e këndshme për mua mikpritja e publikut shkupjan dhe tetovar, meqë e çmon dhe e vlerëson artin.

 

Ke menduar ta realizosh ndonjë album?

Pol, e kam menduar. Albumi natyrisht që do të përmbajë arie të ndryshme operistike, e pse jo edhe ndonjë romancë të bukur të Strauss-it apo Brahms-it.

 

Sigurisht di të luash në ndonjë instrument?

Kam filluar të luaj në piano që në vegjëli, një instrument për të cilin e ushqej një dashuri të madhe.

 

Cili është instrumenti më i dashur për ty?

Është instrumenti i krijuar nga vetë natyra, zëri.

 

Do të kishe dëshirë që edhe fëmija yt në të ardhmen të merret me profesionin tuaj?

Është zbuluar shkencërisht që luajtja e fëmijëve në një instrument ndikon në zhvillimin e trurit. Ndikon në aftësinë për t’u marrë me detyra të shumëfishta në të njëjtën kohë, aftësinë për të lexuar dhe për të shkruar në zhurmë dhe shumë të mira të tjera. Vajza ime Emma besoj që pasionin për muzikën e ka trashëguar nga unë. Ajo ka disa muaj tani që ka filluar të mësojë të luajë piano.

 

Çfarë ju lodh më së shumti?

Moti dhe njerëzit e ngrysur.

 

Ngjyra më e dashur për ty?

Është ngjyra e bardhë.

 

Ju faleminderit dhe shpresoj se në të ardhmen do të dëgjojmë kemi suksese edhe më të mëdha nga ti.

 

Ishte kënaqësi dhe ju uroj edhe juve punë të mbarë! (Intervistoi: Dashnim Hebibi, dialogplus.ch, presheva.com)