SHPËRNDAJE

Eksluzivisht për presheva.com, flet Shaqir Shaqiri, atdhetar dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare

ShaqirShaqiri

Presheva.com: Zotri Shaqiri, ju si njëri ndër themeluesit e PDSH, dhe njohës i zhvillimive në luginë të Preshevës a jeni duke përcjellë zhvillimet politike në Luginë të Preshevës?

Sh.Shaqiri: Presheva ishte pikënisja e aktiviteteve të mia atdhetare dhe, jo vetëm aq. Parulla “Kosova Republikë dhe Presheva tokë e Kosovës” e shkruar në vitin 1981 jo vetëm që ishte kryefjala e burgosjes sime dhe grupit tim, por mbeti objektiv i vazhdueshëm edhe pas daljes nga burgu. Ne, shokët e idealit, bashkëveprimtarët e ilegales patriotike, arritëm që Preshevën ta vejmë ne nivele të barabartë të organizimit dhe përgjegjësisë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, edhe organizimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përjashtuar nuancat e veprimeve egoiste të individëve të caktuar, ishte organizim i përbashkët i po i atij brumi që ishte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e UÇPMB-së përfundoi duke i dhënë një përparësi zgjidhjes politike të problemit ekzistues në Luginë të Preshevës dhe duke i dhënë një detyrim partive politike. E kaluara nuk na jep komoditetin që të jemi indiferent para ngjarjeve dhe zhvillimeve politike që po ndodhin në Luginë të Preshevës dhe normalisht, herë pas here kemi reaguar publikisht. Personalisht, jo vetëm që nuk jam i kënaqur por konsideroj se kemi një devijim total nga partitë politike. Të shohësh sot Luginën e Preshevës, të kërcënuar nga mjerimi, varfëria, shpopullimi, thjesht pa shpresë dhe pa perspektivë, nuk është gjë e lehtë, nuk kapërdihet lehtë.

Presheva.com:  Prej nga erdhi gjithë ky zhgënjim, që në masë te madhe solli edhe zbrazjen e Luginës?

Sh.Shaqiri: Mendoj se partitë politike e veçanërisht udhëheqësit e tyre u treguan të papërgjegjshëm karshi obligimeve të marra dhe elektoratit të tyre. Lufta e pakompromis për marrjen e pushtetit krijoi përçarje të thellë, gjë që dobësoi fuqinë politike të partive shqiptare. Si rezultat i veprimeve të tilla nga partitë politike shqiptare, sot në Luginë të Preshevës kemi një nivel të ulët të të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë. Marrja e pushteti krijoi edhe privilegjet ekonomike dhe mundësinë e korrupsionit marramendës dhe hajnisë perfide. Gjërat janë sheshazi, qytetarët i dinë të cilët edhe janë të irrituar, janë të varfëruar, janë të pashpresë dhe janë të gatshëm të marrin rrugën e migrimit. Kjo është vetëm një segment i sferës politike, gjithsesi e leverdishme për pushtetarët po e papranueshme për qytetarët, e veçanërisht është shumë e dhimbshme kur e tëra kjo bëhet në emër të patriotizmit.

Presheva.com:  Duke ditur angazhimet tuaja si veprimtar bashkë me shokët e tu, ta quajmë të idealit, a ndjeheni të zhgënjyer nga politikanët tanë e sidomos nga partia që ishe bashkëthemelues (PDSH ) e cila nuk iu përmend asnjëherë pothuajse.

Sh.Shaqiri: Ne kur e formuam Partinë Demokratike Shqiptare kishim një objektiv, organizimi i shqiptarëve si komunitet, për të krijuar një fuqi politike dhe ashtu të angazhohet maksimalisht për të drejtat politike, ekonomike dhe kulturore deri në të drejtën e bashkimit me Kosovën. Zhvillimet politike në rajon determinuan edhe kahen e zhvillimeve politike shqiptare, por konsideroj se liderët e partive politike në Luginën e Preshevës nuk u treguan vigjilent as vizionar, përkundrazi, u treguan të papërgjegjshëm dhe të padijshëm, apo ishin të shantazhuar. Thjeshtë, rezultuan të paaftë për të kapur momentet e zhvillimeve politike, e veçanërisht kur Bashkësia Ndërkombëtare shtroi tryezën e bisedimeve dhe zgjidhjes së problemeve të pakicave kombëtare në rajon. Në këtë çështje, normalisht se jam më së shumti i zhgënjyer nga PDSH, sepse është partia të cilën në vitin 1990 (jo vetëm unë) themeluam, e ngritëm në këmbë dhe e vëmë në binar të lëvizjes. Është partia që edhe sot ka shumë anëtarë, simpatizant dhe votues që qëndrojnë aty jo për një interes, jo për shkak të tanishmes dhe liderit të saj, por për shkak të kaluarës, të themeluesve të saj dhe objektivit që kishte kjo parti. Sa herë që PDSH-ja ka fituar në zgjedhje, tek unë kanë ardhur shumë shokë e qytetarë nga Presheva duke më thënë, “Shaqë, urime fitoi partia jote”. Atyre asnjëherë nuk ju kam thënë se kjo parti ka devijuar, por e vërteta është se po, kjo parti ka devijuar…

Presheva.com: A mendoni se ka mundësi përmirësimi, zhvillimi e sidomos ndryshimi në Luginë të Preshevës?

Sh.Shaqiri: Mendoj se Lugina e Preshevës ka nevojë për një forcë të re politike, të pakorruptuar dhe të padjallëzuar, e cila do të kthente shpresën tek qytetarët e saj. Duke mos goditur partitë në tersi, mendoj se qytetarët duhet ta kenë kuptuar se deri më tani vetëm se kanë qenë të mashtruar dhe në shërbim të klaneve të krijuara nga liderët e partive të cilat i kanë votuar. Gjendja e mjerueshme ekonomike u mundëson partive politike gjeste të ulëta dhe denigruese të joshjes së votuesve. Po shpresoj se qytetarët tani më janë vetëdijesuar dhe do të dinë t’i ndëshkojnë keqbërësit dhe profiterët. Pra mendoj se gjendja politike dhe ekonomike në Luginën e Preshevës mund të ndryshoj pozitivisht me një brez të ri, me një alternativë të re politike.

Presheva.com: A do ta përkrahni Alternativën për Ndryshim?

Sh.Shaqiri: “Alternativa për ndryshim” si subjekt politik është diçka e re në Luginë të Preshevës. Personalisht do të mbështesë çdo përpjekje politike që është e drejtë dhe e pakorruptuar, që për objektiv të vetin ka mirëqenien e qytetarëve. Do të mbështesë çdo parti politike që përpiqet për të kthyer tek shqiptarët shpresën për të ardhmen dhe guximin për të qëndruar në trojet stërgjyshërore.

Presheva.com: Porosia e juaj për votuesit e Luginës?

Sh.Shaqiri: Qytetarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë pjesë aktive e politikëbërjes, qoftë ajo mosdëgjueshmëri qytetare karshi institucioneve shtetërore të Beogradit apo qoftë edhe pjesëmarrja në zhvillimet politike institucionale. Thjeshtë, duke votuar ata duhet të vendosin për fatin e tyre. Pra, nëse partitë politike marrinë pjesë në zgjedhje, qytetarët duhet të jenë shumë aktiv dhe në mënyrë masovike të marrin pjesë në zgjedhje. Mendoj se qytetarët do ta kenë parasysh dhe të mos i votojnë keqbërësit dhe mashtruesit. /presheva.com/