SHPËRNDAJE

Përveç shtetit që ka simbolet e veta, që e dallon atë nga shtete të tjera e që e bën të jetë unik, edhe njësitë më të vogla territoriale e që përbëjnë një shtet, siç janë komunat, i kanë simbolet e tyre.

Kosova numëron gjithsej 38 komuna, e shtatë nga to konsiderohen si qendrat më të mëdha në vend, meqë kanë numër më të madh të popullsisë dhe sipërfaqe territoriale më të madhe se të tjerat.

Bazuar në këto të dhëna, Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani, janë shtatë qendrat kryesore të Kosovës.

Secila nga këto komuna ka veçori që i bëjnë të dallohen nga njëra tjetra.

Fakte Plus sjell nga pak fjali se çfarë simbolike kanë qytetet, çfarë embleme kanë dhe pse janë vendosur ato karakteristika në emblemat e tyre.

 

Kryeqyteti i Kosovës – Prishtina

Prishtina si kryeqytet i Kosovës, është zona më e zhvilluar ekonomike dhe njëherit qendra kryesore administrative në vend, ku janë të vendosura të gjitha institucionet qendrore të vendit, si parlamenti, qeveria e të gjitha ministritë e saj e shumë institucione tjera të pavarura.

Por çka është simbolikë e Prishtinës, cila është emblema e saj?

Hyjnesha në Fron

Është artefakt i cili daton që nga vitet e 50-ta.

Po flasim për “Hyjneshën në Fron” që është gjetur rastësisht gjatë ndërtimit të fabrikës së tekstilit “Tjerrtorja” në Prishtinë.

Kjo figurë është e njohur si simbol i kryeqytetit të Kosovës, Prishtina, e madje si simbol i identitetit kulturor të Kosovës.

Hyjnesha në Fron është vendosur të jetë simboli i Prishtinës, por edhe i identitetit të trashëgimisë kulturore për shkak të madhështisë së saj.

 

Kryeqyteti historik – Prizreni

I cilësuar shpeshherë si kryeqyteti i shqiptarëve, i veçuar për shkak të arkitekturës dhe ndërtimit të tij, qyteti i Prizrenit padyshim që ka simbolet e veta të veçanta dhe me bazë historike.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit është emblema e këtij qyteti, ndërsa në rreth ku figuronte edhe viti “1878-Prizren”, data kur edhe është mbajt Lidhja e Prizrenit, për shkak të pakënaqësive të komuniteteve që jetojnë në këtë qytet, është dashur të hiqet viti duke lënë vetëm emrin Prizren, por ende vazhdon të mbetet objekti se ku është mbajtur kjo Lidhje.

“Shtëpia e Lidhjes paraqet vlerat etno-kulturore dhe të popullit tonë për liri e shtet kombëtar”, thanë për FaktePlus zyrtarë për informim të kësaj komune.

Mitrovica

Qyteti i xeheve, qyteti i lumenjve, qyteti i ngjyrave gjelbër e zi, s’kishte si tjetër veçse t’i bënte pjesë integruese të emblemës së saj këto karakteristika.

Stema – Kalaja e Mitrovicës, përfaqëson antikën e qytetit, prej kohës së ilirëve e deri tani, si vazhdimësi e pashkëputur e kulturës sonë.

Simbolikën e zhvillimit ekonomik të qytetit afro një shekull e përfaqëson Xeherorja e Trepçës, si bazë e zhvillimit të qytetit dhe më gjerë. Kjo veprimtari përfaqësohet me ngjyrat gjelbër e zi, simbolikë e minatorëve.

Kristali – Simbol Ilir, shkëlqim i rrezeve të diellit, që ngërthen në vete të shkuarën dhe synimin për të ardhmen e ndritur.

Lumenjtë – Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepça,  janë lumenjtë e Mitrovicës, me një rëndësi të veçantë për shumë fusha, si energjetikë, bujqësi, infrastrukturë dhe rekreacion për qytetarët jo vetëm të Mitrovicës.

 

Peja

Qyteti i Pejës ka vendosur që simbolet e veta identifikuese të jenë bazë historike dhe elemente që karakterizohet  kjo zonë.

Simbolikisht emblema e ka kuptimin e traditës së Dukagjinit, E ato janë kullat e gurit, mandej ura e gurit dhe Lumi Lumbardhë. Këto janë tri simbolikat që i takojnë rrafshit të Dukagjinit dhe janë në stemën e qytetit të Pejës.

 

Ferizaj

Qyteti industrial më i zhvilluar në vend pas Prishtinës, është padyshim Ferizaj.

Lufta për çlirimin e atdheut dhe rënia e veçantë në fushëbetejë e heroit Mic Sokoli, mandej hekurudha, lumi janë disa nga karakteristikat e këtij qyteti, e të cilat janë përfshirë në emblemën e tij.

Hekurudha e qytetit, Hani i Ferizit (Han ky i cili Ferizaj, është emëruar në bazë të këtij Hani), fenomeni i Bifurkacionit të Lumit Nerodime, si dhe Maja e Lubotenit, janë ato që e bëjnë të veçantë emblemën e Ferizajt.

 

Gjakova

Qyteti tjetër nga rrafshi i Dukagjinit, Gjakova konsiderohet me të drejtë si vend i kulturës dhe traditës.

Stema e Komunës së Gjakovës përmban këto elemente: kullat që janë dëshmi e historisë dhe fortesës shekullore, librin dhe çelësin muzikor që kanë domethënien e kulturës së pasur në arsim dhe muzikë, mandej lumenjtë të cilët e karakterizojnë komunën e Gjakovës, si dhe urat që kanë qenë ndërlidhëse për tregti.

 

Gjilani

Qyteti më i madh nga pjesa lindore është Gjilani. Ky qytet në shenjën dalluese të tij ka futur plisin dhe një ndërtesë të vjetër.

Në fakt emblema e Gjilanit, e cila ishte krijuar në pajtim me UNMIK-un paraqet Kullën e Sahatit, në Gjilan, e cila supozohet se ka ekzistuar deri në vitin 1923 dhe ndërtesa e banimit kolektiv, e cila gjendet në qendër të qytetit i njohur si “Soliteri” e që ishte ndërtuar në periudhën e ish- regjimit jugosllav. Por, në emblemë wshtw futur edhe një plis i vogël.

 

Rahoveci

Emblema e Komunës së Rahovecit ka formë të rrumbullakët me fushë të kaltër, e në mes është e vendosur Sahat Kulla me ngjyrën e Hiret, mandej rrushi dhe gjethja e hardhisë me ngjyrë të gjelbër.