SHPËRNDAJE

Për ndërtimin e tunelit më të gjatë në botë nënujor për trena, që do të lidh qytetet kryesore të Finlandës dhe Estonisë, janë mbledhur hiq më pak se 15 miliardë euro. Një e treta e fondeve do të realizohet përmes investimeve kapitale private dhe dy të tretat në formë të huave, sipas një memorandumi të mirëkuptimit të nënshkruar.

Sipas sipërmarrësit finlandez Peter Vesterbacka, tuneli i planifikuar të ndërtohet midis Helsinkit dhe Talinës do të jetë 100 kilometra i gjatë, kurse të paktën një ishull artificial do të ndërtohet me qëllim të realizimit të këtij projekti Qeveria e Finlandës dhe ajo e Estonisë kanë premtuar se do të përpiqen që një shumë të parave ta marrin nga Bashkimi Evropian, gjë që do të zvogëlonte pjesën e investimeve të nevojshme private.

Por, edhe pse ndërtimi i tunelit ende nuk ka filluar, biletat për udhëtim kanë filluar të shiten që nga dhjetori i vitit të kaluar. Bileta njëdrejtimëshe do të kushtojë 50 euro, derisa bileta vjetore do të shitet për njëmijë euro. Sipas ekspertëve, ndërtimi i tij do të duhej të fillonte në vitin 2024.