SHPËRNDAJE

Theo Fodjo Lali erdhi në klubin e Trepçës në maj të vitit 2017 si përforcim nga Kameruni. Futbollin kosovar e shihte si urë lidhëse për të dalë në futbollin evropian. Portieri nga kontinenti i Afrikës vitin e kaluar u shndërrua edhe në hero të Trepçës, pasi duart e tij ia siguruan mbetjen në Ligën e Parë “xehetarëve”, të cilët falë tri penalltive të pritura nga ai mposhtën Dardanën në barazh.

Por, Theo Fodjo Lali, nuk e kishte menduar kurrë se krahas futbollit në Kosovë për të siguruar “kafshatën e gojës” do t’i duhej të gjente edhe një punë tjetër, e aq më pak se do të përfundonte në ndërtimtari!

26-vjeçari prej muajsh punon në Kompaninë e Ndërtimit “Medi Construction” nga Mitrovica, tek e cila ka gjetur mbështetjen.

Gazeta Olle ka siguruar foto dhe video të punës së tij në këtë kompani. Pronari i Kompanisë, Fadil Halilaj, tregon se si e punësuan portierin e Trepçës.

“Ai ka ardhur me vetëiniciativë për të kërkuar punë tek kompania jonë dhe ne i kemi gjetur ndihmë”, tregon Halilaj, duke e vlerësuar “gardianin” e “xehetarëve” edhe punëtor të vyeshëm. “E dimë se është sportist i mirë, e njeh gjuhën angleze, por gjithashtu edhe punëtor i mirë. Tek ne nuk punon rregullisht, por kohë pas kohe e angazhojmë kur kemi nevojë”, shtoi ai.

Punët dytësore të futbollistëve në Kosovë nuk janë rastësi, por rasti i kamerunasit është më i veçantë. Klubi i tij, Trepça, prej vitesh konsiderohet për obligime të mëdha financiare të papaguara ndaj lojtarëve.

Kryetari i Trepçës, Avni Haxhiu, i pyetur për punën e dytë të Fodjo Lalit, ka dhënë përgjigje diplomatike. “Unë nuk kam njohuri. Edhe pse jam në biseda të rregullta me të, nuk më ka treguar. Edhe nëse ai gjatë kohës së pushimit punon, nuk kam çka të them për këtë, pasi nuk e ka të ndaluar”, arsyetohet Haxhiu, duke mohuar t’i kenë borxh portierit të tyre.

Për shkak të borxheve që ka Trepça ndaj lojtarëve, shumë sosh u larguan këtë dimër në drejtim të klubeve tjera. Të njëjtin fat po mundohet ta ketë edhe Fodjo Lali. “Ai dëshiron të kalojë në Slloveni, por ka probleme me vizë, sepse nuk i është dhënë përgjigje”, shton numri një i klubit mitrovicas.

Gazeta ka kontaktuar edhe lojtarin, i cili në momentin që i tregojmë se jemi gazetar, të kushtëzon për të mos e pyetur jashtë futbollit! “Mund të flasë vetëm për karrierën në futboll, sepse nuk më lejohet të flasë diçka tjetër për menaxhmentin e Trepçës” , ka thënë ai.

Theo është parë edhe në ahengun e kompanisë Medi Construction të organizuar në fund të vitit, për të shënuar një vit të suksesshëm, vit në të cilin ka kontribuar edhe kamerunasi.

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të futbollistëve në Kosovë është formuar vitin e kaluar dhe qëllimi i saj është mbrojtja e të drejtave të lojtarëve.

Për rastin e portierit të Trepçës, kryetari i kësaj shoqate, Visar Zogiani, thotë se nuk është në dijeni, e as nuk kanë pasur ndonjë kërkesë nga lojtari.

“Nuk kemi qenë në dijeni dhe nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga ana e futbollistit (portierit), por duhet të shikohet se a ka kontratë me klubin, a ka pranuar me dëshirë të punoj edhe një punë tjetër apo është obliguar, pasi që në Ligën e Parë nuk është futbollisti i vetëm që punon një punë dytësore për të fituar mjaftueshëm, kur dihet se vetëm dy-tri ekipe që kanë pretendime të inkuadrohen në Superligë paguajnë më mirë”, thekson Zogiani.

Lojtari nuk ka kontratë të vërtetuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai vazhdon të shpresojë se do t’ia shoh hairin futbollit të Kosovës. “Mendoj se futbolli i Kosovës ka një nivel të mirë, për shkak të synimeve të skuadrave që kanë për të dalë në garat ndërkombëtare si Liga e Kampionëve apo Liga e Evropës”, thotë Fodjo Lali.

Trepça garon në Ligën e Parë, ndërsa stinorin vjeshtor e mbylli në vendin 7 me 24 pikë të tubuara. Nëntë vjet më parë, në vitin 2010, ata kishin fituar titullin kampion në Superligë, por vitet e ardhshme nuk ishin aspak të mira, duke luftuar kryesisht për mbijetesë ose ngjitje në Superligë.