SHPËRNDAJE

Trupat tokësore turke pritet të hyjnë në lindje të lumit Eufrat në Siri shumë shpejt, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Shpresoj se askush nuk do të përpiqet ta testojë vendosmërinë e Turqisë për të pastruar kufijtë e saj me Sirinë nga terroristët”, tha Erdoğan duke folur në një eveniment në qytetin lindor Muş me rastin e 948-vjetorit të Betejës së Malazgirtit.

“Aktualisht, dronët dhe helikopterët tanë kanë hyrë në rajon. Fortifikimet në vendet pranë kufijve tanë po shkatërrohen. Presim që së shpejti në rajon të hyjnë edhe njësitë tona tokësore”, tha presidenti turk.

Erdoğan shtoi po ashtu se Turqia është “plotësisht e përgatitur për të realizuar planet e saj”.

Duke iu referuar krijimit të zonës së sigurt në Siri, Erdoğan tha se “Ndërlikimi i planeve në rajon dhe bollëku i kurtheve të pabesë nuk do të pengojë kurrë rrugën tonë”.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacione të mëdha ushtarake në veri-perëndim të Sirisë, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, për të pastruar rajonin nga grupet terroriste DEASH dhe YPG, e cila është dega siriane e organizatës terroriste PKK.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e pothuajse 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.