SHPËRNDAJE

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, emërtimin “Eufori” e shpjegon kështu:

1. mjek: Gjendje shpirtërore e sëmurë, kur njeriu pushtohet nga ndjenja të forta gëzimi, kënaqësie e lumturie, e cila shkaktohet nga ndonjë sëmundje nervore, nga veprimi i narkotikëve, i pijeve alkoolike etj. Gjendje

euforie. Shfaqje euforie. dhe,

2. libr. Gëzim i madh e i papërmbajtur, ndjenjë vetëkënaqësie e gëzimi të tepruar. Çast euforie. Flet me eufori. Të mos biem në eufori!

Se sa pushtohemi nga ndjenjat e forta të gëzimit, dhe biem në ndjenjë vetëkënaqësie e gëzimi të tepruar është parë e dëshmuar shpesh.

Dhe ky pushtim i ndjenjave dhe gëzim i madh e i papërmbajtur nuk ndodh vetëm me njerëzit dhe vetëm me ne, shqiptarët. Ndjenja të tilla reflektohen te të gjitha qeniet e gjalla, e me të edhe te popujt e tjerë, por, njerëzit janë ata, që me aftësitë e tyre komunikuese i shpërfaqin më hapur, e ne shqiptarët biem pre e saj më shpesh.

Ndodhi fluturimi i Dronit mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes futbollistike Serbi-Shqipëri. Nuk dihej autori i lëshimit të kësaj fluturakeje. Dhe, me t’u akuzuar Shqipëria nga shteti serb, se ishte ajo që organizoi këtë spektakël për të poshtëruar Serbinë, dhe me të parë entuziazmin e shqiptarëve për këtë ndodhi në mes të Beogradit, nxituan shqiptarë nga anë të ndryshme të Botës të merrnin përsipër lëshimin, e me të “të bëheshin” autorë e dizajnues të këtij spektakli.

Ç’eufori!?

Pastaj, ndodhi, që një portal kroat (një medie kroate) të publikojë foto të kryeministrit serb Vuçiç dhe të gazetarit shqiptar nga Kosova, Fahri Musliu, që për një kohë punoi në Beograd, dhe “zbuloi” se Vuçiç ishte bir i Fahriut. Prapë, ndjenjat pushtuan një pjesë të shqiptarëve, dhe të medieve, e nisën të përflitnin e të shkruanin, dhe të konstatonin atësinë e Fahriut ndaj Vuçiçit.

Një foto e publikuar bëri që shumë sosh, e ndër ta edhe mjek ligjor, të nxirrnin përfundimet e tyre, pa pasur parasysh dëshmitë e tjera.

Dhe, kjo, po që ishte edhe një eufori tjetër.

Në rastin e parë: Nuk pritëm dot të hetohej: Kush e dizajnoi atë flamur? Ide e kujt ishte të fluturonte mbi stadium? Kush mund ta bënte atë? Nga doli, dhe si erdhi deri te stadiumi? Sa shqiptarë pati në stadium dhe përreth tij? Si tejkaloi organet e rendit dhe të sigurisë serbe? Kujt i konvenonte një tollovi e tillë?.. etj, etj..

Ndërsa,

Në rastin e dytë: Shpërndarësit e lajmit, si dhe komentuesit e konstatuesit nxitues për mundësinë, që, Fahriu të ishte baba biologjik i Vuçiçit, nuk u ndalën e të mendonin, por gjykuan menjëherë. Nuk u shkoi mendja përfshirësve në këtë “lajm” e gjykuesve nxitues e euforik, të pyesnin: Kur ka lindur Vuçiç? Kur ka nisur punën Fahriu në Televizion? Kur e ka njohur nënën e Vuçiçit? Çfarë raportesh ka pasur me të?.. Kujt i shkon për shtati lansimi i një informacioni të tillë? A do të lëndojnë ndonjë person a ndonjë familje me lansime të tilla? etj. etj..

Nëpër eufori të tilla si këto të dyja, kemi rënë shpesh, dhe na kanë kushtuar mjaftë gjatë historisë.

Për këto, e ngjarje të ngjashme me to, një ndër përgjegjëset janë edhe mediet, që raportojnë lajme e informacione të paverifikuara e të pavërtetuara.

Gazetaria e ka: Që, së pari të mblidhen të dhënat, e pastaj të bëhet shkrimi. E jo, njëherë të bëhet shkrimi, e pastaj të mblidhen të dhënat.

Përderisa në rastin e parë u tentua të merrej përsipër një barrë, që s’na përkiste dhe s’është e jona fare, në rastin e dytë, u luajt me ndjenjat, jo vetëm të një personi, por të një familjeje të tërë.

Kjo, po që është marrëzi!

Shkruan: Ferid Selimi