SHPËRNDAJE

MuhametXhemajli

Muhamet Xhemajli i njohur si komandant Rebeli i ka bërë 11 vite që në mënyrë tinëzare është vrarë në Gjilan. As pas kaq vitesh asnjë hetim dhe asnjë përgjigje zyrtare s`ka marrë familja. Enkelejdë Xhemaili së bashku me fëmijët e përkujtojnë më të dashurin e tyre, derisa Enkelejda ka edhe një porosi. “Është një turp i madh të mos përkujtohen dëshmorët, është e padrejtë që ende nën emrin e Muhamet Xhemajlit përfitojnë matrapazët. I lutem zotit që një ditë t`i ndëshkojë drejtësia këta dallaverxhinjë” tha Enkelejda për rajonipress.
Më 12 korrik 2005 është vrarë në mënyrë tinëzare në Gjilan Muhamet Xhemajli i njohur me nofkën e luftës si Rebeli. Rebeli ishte njëri nga figurat kyçe të UCPMB-së. I patrembur dhe luftëtar i pashoq në të gjitha betejat. Ata që e kanë njohur ose kanë pasur nderin të luftojnë me Rebelin e kanë cilësuar si ikonë të trimërisë.

Por vrasja e tij kurrë nuk u hetua, as kurrë nuk u ndriçua, pavarësisht apeleve të shumta që ka dhënë Enkelejda Xhemaili gruaja e Rebelit.

Enkelejda së bashku me fëmijët dhe familjarët e Rebelit e kanë të vështirë dhe të paqartë ta kuptojnë këtë heshtje të institucioneve hetuese, por edhe të atyre politike në Luginë, Kosovë e Shqipëri. “Asnjëherë s`ka pasur gatishmëri që të ndriçohet rasti i Rebelit. As Lugina nuk bëri asgjë për Rebelin edhe pse ai e dha jetën dhe luftojë e punojë për një Luginë të pastër, për një Luginë me shqiptarë të sinqertë, të aftë e të përkushtuar për komb e atdhe” shprehet Enkelejda.

“Kam shpresuar që përvjetori i 11 i vdekjes së Rebelit do të kremtohej e përkujtohej më ndryshe. Muhameti dhe vepra e tij meritojnë më shumë vëmendje, më shumë ndriçim historik sepse ai ishte i të gjithëve”.

Enkelejda thotë se është krenare për veprën e burrit të saj dhe së bashku me fëmijët nuk ka ditë që nuk mendon për të e për veprat e shumta që i la pas.”Çdo vit e ka përkujtuar vendlindja, por kësaj radhe si duket kanë heshtur dhe e kanë lënë në harresë. Ky është një turp i madh të mos përkujtohen dëshmorët, të mos përkujtohet heroizmi i Rebelit dhe i bashkëluftëtarëve të tjerë. Ne po vazhdojmë të kemi dhimbje për këto padrejtësi që po i bëhen njeriut të luftës sepse nuk i është njohur asnjë status fëmijëve e as familjes së Rebelit. Dhe kjo po ndodhë për shkak të disa matrapazëve e dallavergjinjëve e përfituesve që ende po krenohen e po përfitojnë në emër të Rebelit” shprehet e revoltuar Enkelejda.

“I lutem Zotit që një ditë t`i ndëshkojë këta njerëz kurse ne familja shpresojmë ende në drejtësi dhe kjo është arsyeja që ne mburremi me veprën e Rebelit. Të kujtojmë me mall unë bashkëshortja Enkelejda, djemtë Hedoni dhe Ramizi dhe vajza Elona” ka thënë Xhemaili./rajonipress/