SHPËRNDAJE

Radio Televizioni “Presheva” është njëri nga institucionet lokale që është degraduar në maksimum nga polika dhe pushteti i dekadave të kaluar. Ky institucion është përdorur vazhdimisht nga pushteti i Komunës së Preshevës si mekanizëm dhe pjesë përbërëse e subjektit politik i cili ka pasur pushtetin. Përpos asaj që në këtë medium janë punësuar kryesisht aktivistë politik të partive lokale, ky institucion është përdorur disa herë për kalkulime politike të subjekteve përgjegjëse. Me aprovimin e ligjit të ri mbi informimin publik dhe media në Serbi është rrezikuar egzistenca e RTV Presheva.

Me dosjën e RTV Presheva pushtetet e kaluara komunale nuk ishin aspak transparent, gjë që ishte e pamundur të analizohen rrjedhat dhe aktivitetet për opinionin e gjërë. Presheva.com ka arritur të i siguroj materialin e gjykatës themelore të Republikës së Serbisë, paraleles në Nish me numër II-3 U.5002/16 të datës 15.06.2017, e cila publikohet (më poshtë) për herë të parë në mediat lokale të Komunës. Publikimi i fakteve do të pasqyronte situaten e rëndë të RTV Presheva në opinionin e gjerë dhe rrjedhimisht do të shtronte trysni mbi pushtetin lokal dhe organet përgjegjëse shtetërore për gjetjen e një zgjidhje optimale për të mirën e këtij mediumi publik dhe qytetarët e Komunës së Preshevës. Faktikisht personeli i këtij mediumi ka zgjedhur në rradhë të parë mbrojten e subjekteve politke lokale që janë në shërbim të tyre, për të kamufluar përgjegjësin e tyre ndaj këtij mediumi publik që është në rrugën definitive të shuarjes.

Që nga korriku i vitit 2015 opinionit publik të Komunës së Preshevës paria politike lokale si dhe udhëheqesia e atëhershme e RTV Presheva ka propaguar opinione se RTV PResheva pas aprovimit te Ligjit mbi informimin publik dhe media, do të jetë televizion publik dhe i njejti do te finansohet nga buxheti Komunal. Në këtë drejtim kjo tentative pati dështuar, ndërsa për opinioin e gjërë ishin bërë deklarata publike ku thuhej se RTV Presheva po synonte që të shëndërrohet në “TV Lugina” si institucion medial pranë Këshillit Nacional Shqiptarë (KNSH). Sa sa ishte tentativa dhe angazhimi serioz i parisë komunale nuk dihet, ndërsa rezultatet siç kemi sot parasysh ishin të dështuara.

Në aktin e rradhës RTV Presheva i`u është futur procesit të privatizimit dhe gjithashtu ky proces ka dështuar duke detyruar organin kompetent, gjegjësisht Ministria e Ekonomisë me vendimin me vendimin numër 401-00-346/2016-05 i datës 18.02.2016 të bëjë ndarjen e pjesëve dhe aksioneve punëtorëve pa pagesë, përkatësisht pjesa papagesë e kapitalit iu është bartur Ardita Saqipit në vlerë prej 13.051.000 dinarë.
Punëtorët tjerë të pakënaqur me vendimin e Ministrisë së Ekonomisë deponojn padi në Gjykatën Administrative duke kundërshtuar vendimin e Ministrisë dhe si objekt padie kishin dy kërkesa. Kërkesa e parë e tyre kishte të bëjë me pranimin e kërkesë-padisë, ashtu që Ministria të anuloj vendimin e marrur dhe të ri-shqyrtoj atë në kontekstin e tyre. Në rastin tjetër punëtorët kishin kërkuar që të anuloj vendimin Ministria dhe lëndën sërish tiˋa kthejë Ministrisë së Ekonomisë që të ri-vendos për këtë çështje.

Gjykata Administrative, njësia në Nish më datë 15.06.2017 ka sjellur Aktvendimin të cilën për herë të parë publikohet në presheva.com. Përkunder jehonës pozitive të ish-pushtetit të Komunës së Preshevës të kryesuar nga Ardita Sinani (PVD) dhe udhëheqësisë së RTV Presheva të instaluar nga Partia për Veprim Demokratik, aktvendimi i gjykatës ishte interpretuar gabimisht dhe është keqpërdorur politikisht. Proklamimi publik i ish-pushtetit të Komunës të kryesuar nga PVD-ja në bashkëpunim me RTV Presheva (udhëheqit momentalisht gjithashtu nga PVD-ja) ishte se me aktvendimin në fjalë të gjykatës Administrative, njësia në Nish, tani definitivsht RTV Presheva ka “fituar” lëndën dhe ky medium do të shëndrrohet përsëri në Ndërmarrje informative publike ashtu që pushteti lokal ka përgjegjësinë e finansimit të tyre. RTV Presheva sipas tyre kishte menjanuar privatizimin dhe tani më do të kthehet në statusin e viteve të kaluar dhe kjo ishte bazuar në aktëvendimin e Gjykatës Administrative, Njësisë në Nish, nr. II-3 U.5002/16 të datës 15.06.2017. Ky qëndrim i ish-pushtetit komunal dhe udhëheqësisë së RTV Presheva faktikisht nuk kishte të bëjë asgjë me aktëvendimin në fjalë, pasi ky aktëvendim pasqyron një qëndrim tjetër nga verzioni “zyrtarë” i pushtetit lokal dhe RTV Presheva. “Aksionet” e redaksisë së RTV Presheva kishin filluar më 05. prill 2017 me një lajm të publikuar nën titullin “Së shpejti mediat lokale (RTV Presheva) i kthehen vetëqeverisjes lokale”. Në këtë artikull RTV Presheva informonte se:

“Qeveria e Serbisë ka sjellur ndryshimin e Urdhëresës mbi bartjen e kapitalit pa pagesë të të punësuarve në media, me të cilin i mundëson që vetqeverisjeve lokale ti barten aksionet dhe mediat që kanë dështuar në privatizim të kthehen në pronësi të komunave.” duke shtuar në fund se “Sidoqoftë, duket se ky është një lajmë pozitiv për mediat lokale pasi që pushteti lokal do të ketë duart e lira të vendos vetë për fatin e mediave e sidomos për të punësuarit”.

Ky lajm “pozitiv” i reda ksisë ishte bazuar në “urdhëresën më të re të Qeverisë” por nuk ishte saktësësuar dhe argumentuar lajmi. Ky lajm ju përkujtojmë se ishte botuar pothuaj dy muaj para aktëvendimit të Gjykatës Administrative.

Në fakt, nëse ia hedhim një sy Aktvendimit të Gjykatës Administrative, Njësisë në Nish, nr. II-3 U.5002/16 të datës 15.06.2017, në paragrafin e parë vendoset se ” Pranohet padia, Anulohet vendimi i Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Serbisë numër 401-00-346/2016-05 të datës 18.02.2016 dhe LËNDA I KTHEHET ORGANIT PËRKATËS PËR TË RIVENDOSUR.” Kjo nuk korrespondon me qëndrimin zyrtarë të ish-pushtetit dhe udhëheqësisë së RTV Presheva. Meqë në faqen nr.5 në paragrafin nr.2 të ketij Aktvendimi, Gjykata e arsyeton vendimin e saj si me poshtë “ Duke marë parasysh propozimin e padisë që Gjykata me aktvendimin e saj të zgjedhë këtë kontest administrativ, në bazë të asaj se çfar parashikohet në nenin 43 të Ligjit mbi kontestet administrative, Gjykata gjenë se natyra e kontestit këtë NUK E LEJON si dhe gjendja faktike e vërtetuar nuk ofron bazë të besueshme për një vendim të tillë, si dhe është më ekonomike dhe më e dobishme që shkeljet e bëra të përmisohen nga organi kompetent në një procedure të re të vendosjes.” Duke vazhduar në faqen nr.5, në paragrafin nr.4 të ketij aktvendimit, gjatë arsyetimit të vendimit të saj, ku thuhet se:” Gjatë ekzekutimit të këtij vendimit organi i paditur, është I OBLIGUAR QË TË SJELLË NJË VENDIM TË RI TË BAZUAR NË LIGJ, duke u bazuar në vërejtjet e Gjykatës të dhëna në Aktvendim, në afat dhe mënyrë që është parashikuar në nenin 69, paragrafi nr.2 të Ligjit mbi procedurën administrative”.
Nga këto dokumente konkludohet se Aktvendimi i Gjykatës Administrative, Njësisë në Nish, nr. II-3 U.5002/16 të datës 15.06.2017 është shumë i qartë se Ministria e Ekonomisë duhet të sjellë një vendim tjetër lidhur me ndarjen e aksioneve – kapitalit mes ish punëtoreve të N.I.P. “Presheva” e të bazuar në ligjë. Pra nga interpretimi i këtij aktëvendimi rezultohet se Gjykata nuk ka kërkuar fare rikthimin e statusit juridik të ish- “N.I.P. “Presheva, sepse një gjë e tillë do të bie në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me Ligjin për informin publik dhe media. Në mungesë të angazhimit të politikës lokale për të sjellur rezultate pozitive në shpëtimin e RTV Presheva nga mbyllja definitive, paria preshevare me ndihmën e udhëheqësisë së RTV Presheva kanë vendosur për manipulime me opinion e gjërë dhe për përfitime partiake dhe politike nga rasti në fjalë. /presheva.com

 

..